UBT

Qytetarët kërkojnë më shumë investime

/ 4 minuta lexim

Gjilan – Në Kamenicë është debatuar për planifikimin buxhetor 2013-2015, me ç’rast është thënë se është duke u punuar brenda qytetit, ndërsa janë rregulluar edhe rrugë në fshatra dhe lagje fshatrash si në Tygjec, Gmicë, në lagjen Pireva të Tygjecit, në rrugën kufitare Sfircë – Tepe, Shahiq, dhe mbetet prioritet vazhdimi i saj deri në Lisockë.

Këto propozime dhe interesime të tjera për investime dhe prioritetet, janë dhënë në debatin publik, të martën, me temën “Planifikimi i buxhetit komunal 2013-2015”, organizuar nga Drejtoria për Ekonomi, Buxhet e Financa e Komunës së Kamenicës, në mbështetje të Projektit Zvicër –Kosovë për qeverisje lokale dhe decentralizim-LOGOS.

Në debat është folur për planifikimin buxhetor 2013-2015, me ç’rast është thënë se është duke u punuar brenda qytetit, ndërsa janë rregulluar edhe rrugë në fshatra dhe lagje fshatrash si në Tygjec, Gmicë, në lagjen Pireva të Tygjecit, në rrugën kufitare Sfircë – Tepe, Shahiq, dhe mbetet prioritet vazhdimi i saj deri në Lisockë.

Kryetari i Kamenicës, Shaip Surdulli, pasi ka përmendur investimet në shumë projekte, ka thënë se është kërkuar nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale në vazhdimin e punimeve në rrugën malore kufitare nga Kapia e deri në Poliçikë e Lisockë jo larg Velegllavës.

Ai duke u ndërlidhur me diskutimin e një qytetari nga Kosovica e Strezocit ka shtuar se do të investohet edhe në këtë fshat, por duhet durim. Në interesimin e një qytetari rreth punësimit dhe minierave, Surdulli ka nënvizuar se koha e socializmit dhe e fabrikave të asaj kohe ka ikur, dhe tani vetëm investimet private mund të aktivizojnë ndonjë minierë të Kamenicës, kryesisht të humzës që kanë funksionuar dikur.

Ai ka thënë se Komuna nuk ndërton fabrika as hap miniera apo uzina, por nëse ka interesim të ndërmarrësve privatë është gatshme të ndihmojë në lehtësira siç është bërë edhe deri tashti. Kreu i Kamenicës ka shtuar se aktualisht janë të përqendruar në rregullime e ndërtime brenda qytetit, e pastaj do të vazhdojnë edhe në periferi të tij, duke përmendur propozimin e qytetarit Shaban Berisha, i cili kërkoi të futet në propozim të planifikimit të bexhetit 2013-2015 ndërtimi i parkut të madh të qytetit në shpatin e malit në pjesën veriperendimore të tij.

Surdulli ka theksuar se asfaltimi i rrugëve lokale do të bëhet me participim të qytetarëve me 20-30 për qind. Sipas tij, ka shumë të interesuar që të nisin me grumbullimin e mjeteve që tani, por në bazë të këtij planifikimi buxhetor të tri viteve të ardhshme, ende është herët, por ata duhet të jenë të gatshëm për pjesëmarrje me përqindjen e duhur. “Qytetarët duhet të jenë të përgatitur me grumbullimin e mjeteve për asfaltim rrugësh lokale, ujësjellës, kanalizim e projekte të tjera që përmirësojnë jetesën e tyre”, është shprehur Surdulli.

Fidanishtja

Disa qytetarë e kanë krahasuar Kamenicën me Mitrovicën për pasuri minierash, dhe me Prizrenin për bukuri natyrore dhe objekte të vjetra arkeologjike.

Qytetari Shaban Berisha, mësimdhënës i artit figurativ, ka kërkuar që në të ardhmen, në kuadër të mundësive buxhetore të Komunës, në listën e projekteve të hyjë shndërrimi në park i shpatit të malit në mes të rrugëve të Rubocit dhe Strezocit, dhe blerjen e objekteve arkeologjike, sidomos të artifakteve që qyteti i Kamenicës ta kenë trashëgiminë e saj kulturore e historike dhe vjetërsinë që ky qytet ta ketë muzeun e qytetit.

Ndërkaq, kryetari i Kamenicës ka thënë se këto propozime do të jenë projekte me prioritet në të ardhmen, sepse po punohet e do të punohet sipas prioriteteve dhe kërkesave e nevojave të qytetarëve.

Naser Hashani, zyrtar i lartë financiar i Komunës së Kamenicës, ka thënë se përmes komunikimit të drejtpërdrejt me qytetarë do të bëjnë një planifikim të drejtë dhe transparent të menaxhimit me paranë publike, dhe realizimit të projekteve kapitale.

Në fund të debatit u formuan grupet punuese, në të cilat dominuan propozimet për trotuare, ndriçime, deponitë, ujësjellësi, kanalizimi, renovim shkollash – të gjitha këto për fshatra etj.

Këto dhe propozime të tjera për projekte zhvillimore do t’u dërgohen strukturave komunale, dhe ato do të analizohen, shqyrtohen, dhe do të realizohen ato për të cilat ka mundësi buxhetore dhe konsiderohen prioritet qytetar dhe ndikojnë drejtpërdrejt në jetesën e tyre./rajonipress/