Qytetarët, duhet të jenë prioritet në punësime o Alban Hyseni, jo militantët, kunatat, balldëskat

Gjilan – Lëvizja “Vatra” shpreh shqetësimin e saj për politizimin e administratës komunale nga ana e Kryetarit të Komunës. Sipas informacioneve tona, punësimet e fundit në institucionet komunale kanë favorizuar aktivistët politikë, duke lënë anash qytetarët e kualifikuar dhe profesionistët që meritojnë të punësohen mbi bazën e aftësive dhe përvojës.
Ne e dënojmë këtë praktikë të padrejtë, e cila dëmton besimin e qytetarëve në institucionet publike dhe pengon zhvillimin e një administrate efikase dhe profesionale. Institucionet komunale duhet të jenë në shërbim të të gjithë qytetarëve, jo vetëm të një partie politike.
Ftojmë Kryetarin e Komunës të sigurojë transparencë dhe meritokraci në punësime, duke iu dhënë përparësi kritereve profesionale dhe jo përkatësisë partiake. Gjithashtu, inkurajojmë qytetarët të reagojnë kundrejt nepotizmit dhe favorizimeve politike në institucionet publike.
Lëvizja “Vatra” do të vazhdojë të mbrojë interesin e qytetarëve dhe të kërkojë një qeverisje të ndershme dhe të përgjegjshme për të gjithë.