Qosja:Jam i privilegjuar që marrë çmimin letrar Beqir Musliu

Gjilan – Duke marrë çmimin letrar Beqir Musliu akademik Rexhep Qosja tha se ndihet i nderuar dhe i privilegjuar që merr çmimin me emrin e një krijuesi të gjithanshëm e me një dhunti të gjerë siç ishte Beqir Musliu.
Të premten në sallën e Kuvendit Komunal në mënyrë solemne çmimi letrar “Beqir Musliu” i është dhënë laureatit dhe fituesit të sivjetmë akademik Rexhep Qosja. Në prani të shumë krijuesve,këshilltarëve komunal,poetëve,letrarëve,profesorëve universitar, çmimin e ka dhënë solemnisht Qemajl Mustafa.
Arsyetimin e jurisë e ka dhënë profesor Faik Shkodra, derisa për krijimtarinë e Qosjes ka folur edhe profesor Agim Vinca.
Kryetari i Gjilani Qemajl Mustafa duke dhënë çmimin tha se e kam serish nderin e veçantë që në cilësinë e kryetarit të komunës së Gjilanit t’i uroj dhe t’i falënderoj të gjithë ata që dhanë dhe po japin kontributin e tyre në fushën e krijimtarisë letrare dhe ata që këtë krijimtari e bëjnë kuptimplotë e që janë lexuesit dhe organizatorët e akteve simbolike e ceremoniale çfarë është ky sot këtu.
“Është patjetër nder i veçantë të jetosh e aq më shumë është nder ta përfaqësosh një komunë e cila ka dhënë krijuesin Beqir Musliu, profili i të cilit nuk “prodhohet” shpesh. Ishte nderë për autorin por para së gjithash për ne të gjithë ideja për themelimin e çmimit Beqir Musliu. Është ky çmim simbolik në vlerë materiale po domethënës për nga përkushtimi dhe porosia që bartë ai me vete” tha Mustafa.
Mustafa tha se është nderë i veçantë se çmimi Beqir Musliu i jepet krijuesit të veçantë të hapësirës shqiptare në një konkurrencë të denjë. Sivjet ndjehemi fare mirë që këtë çmim juria i ndau njërit nga njerëzit më meritor të letrave shqipe dhe të mendimit tonë kritik, shoqëror e politik, mikut të madh të ngjarjeve kulturore e letrare në Gjilan, të nderuarit akademik Rexhep Qosja.
Duke e uruar Qosjen për çmimin Mustafa tha se urojmë që ky akt i vogël i komunës sonë t’ju shërbejë juve dhe krijuesve të tjerë për të krijuar vlera edhe më konkurruese në nivel kombi, rajoni dhe globi. “Ju premtoj se Gjilani mbetet i përkushtuar dhe i hapur në promovimin dhe nderimin e vlerave të vërteta sepse kjo tashmë në Gjilan është kërkesë e publikut, është përkushtim i komunës dhe krijuesve të saj “tha Mustafa.
Kurse akademik Rexhep Qosja pasi ka marrë çmimin letrar Beqi Musliu i cili ndahet nga Ars Clubi “Beqir Musliu” tha se ndihem i nderuar dhe i privilegjuar që marrë këtë çmim që mbanë ermin e një krijuesi të madh siç është Beqir Musliu. “Për Beqir Musliun kam shkruar qysh në vitet 1967 sepse vëreja që në shkrimet e tija kishte diçka interesante dhe të dobishme dhe dallonte nga të tjerët”.
Qosja tha se duke parë këto vlera tek Beqir Musliu e ka futur edhe në antologjinë e poezisë shqipe, në mesin e 31 poetëve të tjerë edhe pse Beqa atëherë kishte vetëm 25 vite. Qosja tha se Beqi Musliu është krijues i gjithanshëm dhe figurë me dhunti të gjerë. “Krijimtaria e Beqës ka cilësi dhe vlerë” tha Qosja.
Duke folur për zhvillimet e përgjithshme në Kosovën e pasluftës Qosja tha se Kosova e lirë dhe e pavarur është krijuar edhe falë krijimtarisë letrare. Qosja falënderoj Gjilanin dhe në veçanti Qemajl Mustafën për përkushtimin e treguar ndaj vlerave krijuese e kulturore./rajonipress/