Qeveria tërheq Projektligjin që ka qenë kusht për liberalizim
Qeveria e Kosovës për herë të dytë ka tërhequr nga Kuvendi Projektligjin për parandalimin e konfliktit të interesit, pa asnjë shpjegim, shkruan sot Koha Ditore.
Kurse një herë tjetër Projektligji nuk ka arritur që të kalojë nëpër të gjitha procedurat parlamentare për shkak të shpërndarjes së Kuvendit. Miratimi i këtij ligji është një nga kushtet e mbetura për liberalizimin e vizave.
Projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për parandalimin e konfliktit të interesit, pavarësisht se ka kaluar nëpër të gjitha procedurat qeveritare dhe parlamentare, është tërhequr nga rendi i ditës i seancës plenare të hënën.
Megjithëse nga Qeveria nuk kanë dhënë arsyet e vërteta të tërheqjes, problem duket të jetë fakti se ligji e ndalon kategorikisht që një zyrtar t’i mbajë dy e më shumë poste.
Më shumë se 800 zyrtarë publikë mbajnë nga dy deri në pesë vende të punës. Ky fakt vazhdon të përmendet si problem shqetësues edhe në Raportin e Progresit për Kosovën.
Madje në raport përmendet edhe fakti se disa zyrtarë nuk e ndalin rolin e tyre aktiv në kompanitë private kur marrin përsipër postet publike. Sekretari i Kuvendit, Fitim Krasniqi, i ka thënë gazetës se ende nuk i di arsyet e tërheqjes së këtij projektligji
http://koha.net/?id=27&l=89438


