Uji Dea

Qeveria la anash popullin

/ 13 minuta lexim
Uji Dea

Kosova nuk duhet të presë derisa Serbia të kërkojë falje për krimet e luftës, të kompensojë dëmet e luftës, të tregojë për gati 1800 të zhdukur, e në ndërkohë të mos bëjë vet asgjë për popullin e saj, për familjarët e viktimave të luftës e për kompensimet ndaj tyre, thotë Nora Rafaeil, këshilltare speciale e Pieter Faith, për ballafaqimin dhe pajtimin me të kaluarën.

Kur flet për kriminelët e luftës, thotë se ata nuk janë vetëm në Serbi, dhe kërkon nga Kosova të mos e hedh fajin vetëm te të tjerët. Lavdëron Serbinë për përkrahjen që ju jep dëshmitarëve të luftës, ndërsa kritikon Kosovën që nuk bën të njëjtën gjë.

Rafaeil, në një intervistë dhënë për “Zërin” thotë se Qeveria e Kosovës nuk ka bërë mirë që me Ligjin për Vlerat e Luftës nuk ka paraparë kompensim edhe për gratë e dhunuara gjatë luftës. Sipas saj, me këtë ligj janë përjashtuar po ashtu komunitetet tjera që kanë pësuar nga konflikti i fundit.

Zëri: Jemi në përfundim të mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës. Sa është e gatshme Kosova që të ballafaqohet dhe të pajtohet me të kaluarën?

Rafaeil: Unë mendoj se është punuar për një Kosovë multietnike, por mendoj se ka akoma hapësirë që të bëhet më shumë, duke filluar nga ballafaqimi me të kaluarën, ndërtimin e institucioneve, miratimin e ligjeve, dhe të përdorë mekanizmat që i duhen për këtë. Më kryesorja këtu është që Kosova duhet të shikojë mbrapa dhe të ballafaqohet me konfliktin e së kaluarës.

Zëri: Si mendoni se mundet Kosova të ballafaqohet dhe të pajtohet me të kaluarën e saj, derisa Serbia nuk bashkëpunon?

Rafaeil: Ka mekanizma të ndryshëm se si të ballafaqohet me të kaluarën. Një mënyrë është gjithsesi të kemi bashkëpunimin e Serbisë. Mirëpo, ka edhe mundësi tjera që Kosova mund t’i implementojë vetë dhe në bazë të standardeve ndërkombëtare edhe nëse Serbia nuk ofron bashkëpunim.

Për shembull duke filluar me viktimat e lutës, të flitet me ta që ata të tregojnë nevojat e tyre. Ne si ICO nëpër mbledhje të ndryshme kemi takuar familjarë të viktimave, shoqëri të ndryshme civile, si shqiptarë ashtu edhe serbë, të cilët kanë një kërkesë të njëjtë, ata duan të dinë për të kaluarën e tyre, duan kompensim, duan drejtësi, ata duan që njerëzit që kanë bërë krime lufte të dalin para drejtësisë.

Ballafaqimi dhe pajtimi me të kaluarën, bazohet në katër shtylla, që janë: e drejta për të ditur përmes komisioneve të pajtimit, materialeve edukuese dhe faktike. Pastaj shtyllat tjera janë e drejta për reparacion, e drejta për drejtësi dhe garantimi i mospërsëritjes.

Një pikë tjetër me rëndësi këtu është po ashtu procesi i kthimit të refugjatëve në tokat e tyre, kompensimi, drejtësia, inkurajimi i dëshmitarëve për të treguar çfarë ka ndodhur në të kaluarën. Pra, ky është koncepti ndërkombëtar, kjo është ajo që po e duan edhe gratë e familjarët e viktimave të luftës.

Zëri: Kërkesa kryesore e familjarëve të viktimave, është që Serbia të tregojë se ku janë afërsisht 1800 persona të zhdukur gjatë luftës…

Rafaeil: Është e vërtetë që ka shumë rëndësi bashkëpunimi i Serbisë në këtë rast, por po ashtu Kosova mund të bëjë edhe vetë në këtë drejtim. Kosova duhet të rishikojë të gjitha dosjet që i ka, t’i shqyrtojë të gjitha burimet që i ka, gjithashtu informatat që i ka marrë nga ish-ushtarët e UÇK-së, të sigurojë më shumë fonde për ekspertizë dhe të jetë më përgjegjëse. Këtë nuk po e them unë, por ekspertët ndërkombëtarë të cilët thonë se pavarësisht mosbashkëpunimit të Serbisë, është Kosova ajo që shumë punë ka për të bërë.

As Kosova nuk po punon për të zhdukurit

Zëri: Informatat për të zhdukurit i ka Serbia e jo Kosova

Rafaeil: Unë nuk jam eksperte e personave të zhdukur, unë mbështetem tek ato që i thonë ekspertët ndërkombëtarë dhe vendorë, e ata thonë që Qeverisë Kosovës i duhet më shumë ekspertizë, më shumë përgjegjësi, e jo çdo gjë ta hedhet te Serbia. Ekspertët po kërkojnë që Kosova të rishikojë të gjitha burimet, informatat e ish-ushtarëve të saj. Pastaj të inkurajojë të gjithë dëshmitarët të cilët dinë ndonjë gjë për të zhdukurit e të flasin.

Çka po ndodh tani është një dekurajim i dëshmitarëve për të folur. Këto janë probleme që Kosova vetë duhet t’i zgjidhë. Dhe ju lutem, askush nuk duhet ta mendojë këtë proces si kritikë apo dënim, larg saj, është një proces që duhet shikuar si mundësi e mirë për pajtim, si mekanizëm i mirë për t’i dëgjuar viktimat dhe për t’u ballafaquar me të kaluarën për një të ardhme më të mirë.

Zëri: Kosova ka dëgjuar shumë rekomandime të ndërkombëtarëve, është pajtuar të nisë dialogu me Serbinë. Po e bën atë që po i kërkohet, por prapë po ngelet e vetme pa përkrahje kur vjen puna te të zhdukurit?

Rafaeil: Një gjë të tillë po e dëgjoj gjithmonë, që Kosova po bën pjesën e saj, e të tjerët jo, që ndërkombëtarët nuk po punojnë sa duhet, që Serbia s’ po bashkëpunon. Serbinë nuk mund ta ndryshojmë për një kohë të shkurtër, dhe unë në këtë rast si këshilltare për ballafaqimin dhe pajtimin me të kaluarën e shikoj anën e Kosovës, atë që ajo mund dhe duhet ta bëjë.

Që Kosova të bëhet vërtet një vend demokratik, ajo duhet të marrë më shumë përgjegjësi mbi supet e saj. Në këtë rast, unë e përgëzoj atë që Kosova veç ka filluar të punojë në krijimin e grupit punues, me anë të të cilit do të punohet me shoqërinë civile, lidhur me ballafaqimin edhe pajtimin me të kaluarën.

Është diçka shumë e vështirë, por pa e adresuar të kaluarën e të gjithë qytetarëve të Kosovës, si për shumicën shqiptare, ashtu edhe për serbët, romët, ashkalinjtë e komunitetit tjera, të ballafaqohesh me të kaluarën, të pajtohesh me të, pastaj mund të lësh të kaluarën mbrapa. E, kjo bëhet atëherë kur të gjithë qytetarët e Kosovës janë të barabartë para ligjit, para drejtësisë, me të drejta të barabarta.

Zëri: Çdo iniciativë e Qeverisë Kosovës për t’u ballafaquar me të kaluarën, për të integruar serbët, për të vendosur rendin dhe ligjin për çka edhe ju kërkoni, irriton serbët e Kosovës, e të cilët përkundrazi krijojnë tensione të reja…

Rafaeil: Kosova mund të implementojë ligjin dhe konceptin integrativ për t’u ballafaquar me të kaluarën dhe të forcojë marrëdhëniet midis komuniteteve aty ku ka serbë e shqiptarë. Një veprim i tillë pastaj do të jetë mesazh për serbët e veriut.

Zëri: Ku po ngec më shumë Kosova?

Eco Higjiena

Rafaeil: Kosova fatkeqësisht shumë herë ka ngelur në ndjenjën e viktimës, e nëse paraqitesh si viktimë nuk mund të zhvillohesh, nuk mund të ecësh përpara. Është me shumë rëndësi që të shikohet mirë se çfarë ka ndodhur në të kaluarën, kush ka qenë përgjegjës për viktimat.

E, pikërisht për këtë edhe do të kemi konferencën javën që vjen, ku do të flitet për mekanizmat që Kosovës i duhen për të kërkuar të vërtetën. Një çështje tjetër këtu ka të bëjë me gratë, të cilat kenë pësuar gjatë konfliktit. Ato kanë bërë një performancë të madhe në ditën e grave në muajin maj të këtij viti. Ato kanë thënë: nuk duam lule, por duam drejtësi dhe të vërtetën.

E këtë rast, Ligji për Vlerat e Luftës parasheh dëmshpërblim për heronjtë e luftës, veteranët dhe disa kategori të viktimave civile, duke mos iu referuar fare çështjes së grave të cilat janë ballafaquar me dhunë gjinore në konflikt.

Një grua që është dhunuar, sipas këtij ligji, nuk do të marrë as edhe një cent si kompensim. Po ashtu ky ligj nuk parasheh kompensim për viktimat e luftës të komunitetit tjetër, që janë serbët, romët, ashkalitë e të tjerët, e viktimat civile të luftës duhet trajtuar njëjtë pa dallime.

Serbia po jep rezultate në kapjen e kriminelëve

Zëri: Po, kërkoni nga Kosova të mendojë për viktimat e komunitetit tjetër, e në këtë rast nuk po kërkoni nga Serbia që të tregojë dhunuesit?

Rafaeil: Nuk janë dhunuesit vetëm në Serbi.

Zëri: Po ata që janë, e që janë shumë?

Rafaeil: Pajtohem me ty, faktet flasin vetë. Ne të gjithë e dimë sa viktima janë në të dyja anët. Ne mund të flasim shumë për Serbinë, por kur bëhet fjalë për dhunuesit, kriminelët, Serbia është ajo që ka një dhomë për krime lufte, në Gjykatën e Lartë, e cila është shumë e përgatitur.

Nga ajo që e di unë, Serbia ka gjykuar 54 kriminelë lufte, për krimet e bëra në Kosovë, Bosnjë e Kroaci, dhe prej tyre 48 janë dënuar me rreth 600 vjet burgim. Pra, ajo që dua të them është se nëse duam të kërkojmë të vërtetën, atëherë duhet ta kërkojmë në mënyrë të sinqertë atë.

Zëvendësprokurori për krime lufte në Serbi ka thënë: Çdo dëshmitar që paraqitet dhe flet për krimet e kryera nga forcat serbe është hero dhe ky është një akt patriotik, andaj shtrohet pyetja se a e dëgjojmë një gjë të tillë në Kosovë? Jo, e pse jo? Në Kosovë ekziston një impresion që dëshmitarët të cilët duan të flasin mund të ballafaqohen me hakmarrje dhe këtë nuk po e them unë por jeni dhe vetë ju mediet që keni treguar.

Zëri: Nuk e di sa është normale të bëjmë krahasime të tilla. Normalisht që Serbia është ajo që i posedon kriminelët në numër të madh, sepse është Serbia ajo që ka bërë krime në Kosovë. Pastaj, Serbia nuk ka gjykuar shumë kriminelë edhe nëse i ka kapur më pas i ka liruar, për çka edhe është akuzuar nga shtetet perëndimore. Por ta zëmë që është siç thoni ju, që Serbia qenka më e përgjegjshme se Kosova, atëherë pse nuk kërkon falje për krimet e luftës për mijëra civilë të vrarë, për dëmet e luftës, për vendndodhjen e të zhdukurve?

Rafaeil: Unë pajtohem me juve dhe unë dua të jem e qartë: kërkimfalja është një akt simbolik shumë i fuqishëm në rrugë për një pajtim në të ardhmen por nuk është i vetmi. Kosova nuk duhet të presë kërkimin e faljes por duhet të ecë vetë, sepse ajo kërkimfalje mund të vonojë. Këtë e presin shumë shtete në Ballkan prej Serbisë, por sidoqoftë duhet vazhduar të punohet në bashkëpunim forcimit të marrëdhënieve në sferat tjera, ku është e mundshme.

Qeveria të punojë më shumë për popullin e saj

Zëri: Masa, qytetarët e thjeshtë nuk e kuptojnë e as duan ta kuptojnë se si shkon politika, sidomos ata që janë prekur nga lufta. Ata thjesht duan që për këtë të dënohet direkt Serbia. E keni parë edhe vetë, së fundi shoqëria civile, familjarët e të zhdukurve kanë kërkuar nga Kosova që të ndërpresë dialogun me Serbinë, derisa kjo e fundit të tregojë të zhdukurit?

Rafaeil: Le të jem e drejt, dialogu është një mundësi e mirë që çështja e personave të zhdukur të zgjidhet sa më shpejt. Mendimi im është që populli i Kosovës ka nevojë për përkrahje pavarësisht se a vjen ajo nga Serbia apo Kosova të ballafaqohet me traumën e së kaluarës.

Është fakt që roli i Serbisë është pjesë e madhe, por po ashtu është një pjesë tjetër e madhe kur Serbia nuk kërkohet domosdoshmërisht. Lidhur me kompensimin e dëmeve me kërkimfaljen me të zhdukurit është diçka që kërkon më shumë kohë më shumë negociata.

Unë mendoj që është ide e keqe, që Kosova të presë kërkimfalje nga Serbia, të presë kompensimin e dëmeve të luftës, kur në të njëjtën kohë Kosova mund punojë që t’i asistojë viktimat e saj dhe të punojë në proceset e saj demokratike e zhvillimore. Kështu pas 10 vjetësh kur gjërat rregullohen, kur marrëdhëniet Kosovë-Serbi rregullohen atëherë mund të vijë momenti kur Kosova të kërkojë dëmshpërblim nga Serbia.

Zëri: Folët për atë që Kosova duhet të bëjë, e nuk po e bën. A keni diçka të mirë që mund ta thuani që ka bërë Kosova?

Rafaeil: Kosova e do të mirën për popullin e saj, por Qeveria ka nevojë që ta dëgjojë më shumë popullin e saj, e populli po ashtu duhet që të shprehet më shumë, të jetë më i zhurmshëm e të tregojë se çka i nevojitet.

Më e rëndësishmja këtu, është që Kosova të shikojë obligimet e saj ndaj popullit të saj, të ballafaqohet dhe pajtohet me të kaluarën dhe të mos presë që këtë ta bëjë Serbia, sepse populli është ai që po vuan.

E ardhmja e Kosovës nuk varet vetëm nga institucionet e shëndosha, ajo varet shumë edhe nga qytetarët e saj të shëndetshëm, andaj ajo duhet të merret më shumë me nevojat e tyre.