Qeveria komunale e paaftë për të hartuar politika efikase
Gjilan – Për LDK, qeveria komunale jo që vetëm nuk di të programoj, por nuk di as të hartoj politika efikase që nxisin veprimtarinë ekonomike, mbrojnë biznesin nga falimentimi dhe rrisin të ardhurat
Dega e LDK-së në Gjilan përmes Saranda Bllaca nga Zyra për Marrëdhënie me Publikun ka reaguar ndaj deklaratave të Nuhi Nuhiut rreth konstatimeve të Zijadin Maliqit sa i përket buxhetit të viti 2013. Në reagimin LDK-së thuhet se për këtë subjekt, qeverisja komunale po varfëron dita ditës qytetarin, kjo qeveri është e paaftë të mbledhë taksat komunale dhe padrejtësisht obligon dhe shantazhon qytetarët Gjilanas me kushtëzime të panevojshme për inkasim të hyrave komunale.
Në reagim thuhet se LDK Dega në Gjilan konstaton se të gjitha zërat e të ardhurave janë me mosrealizim dhe kjo për shkak të korrupsionit dhe mungesës totale të profesionalizmit në mbledhjen e tyre. Për LDK, qeveria komunale jo që vetëm nuk di të programoj, por nuk di as të hartoj politika efikase që nxisin veprimtarinë ekonomike, mbrojnë biznesin nga falimentimi dhe rrisin të ardhurat.
“Më skandalozja është që drejtori krahason periudhën 2007 me 2013 kur dihet çfarë realiteti kemi pasur në atë kohë dhe në cilën gjendje ekzistuese jemi sot. Në vitin 2007 buxheti i Kosovës ka qenë pothuajse përgjysmë buxhetit që është sot, sepse tani jemi në Kosovën e pavarur dhe në secilin vit vijues kemi rritje të buxhetit dhe të njëjtën kohë edhe granteve komunale, andaj për ne si LDK ky konstatim që bëhet për këto periudha edhe më shumë forcon bindjen tonë se ky njeri është i padijshëm”, thuhet në reagimin e LDK-së.
Më tej thuhet se për të qenë më bindes dhe largpamës LDK konstaton se zëdhënësi i ri i komunës bie në kontradiktë me ato që vetë deklaron me herët dhe atë një ditë përpara në një gazete ditore ku ai dhe shefi i tij pranojnë publikisht se ndarja e buxhetit nuk është e drejtë dhe nuk përmbushë objektivat e kësaj qeverisje.
“LDK publikisht i rekomandon Nuhiut, se më mirë për ju është të bëni një analizë të thellë në raportin e auditorit gjeneral, ku auditori gjeneral ka konstatuar shkelje shumë të mëdha ligjore, dhe menaxhim jo efikas financiar ku e keqja më e madhe e kësaj është se menaxhimi financiar nuk posedon kontroll adekuatë.”, thuhet në këtë reagim.
Gjithashtu LDK i kujton atij se edhe një zyrtar tjetër komunal pranon publikisht se inkasimi i mjeteve për tatim në pronë është duke shënuar rënie, si pasojë e kushtëzimeve që ky pushtet i ka bërë dhe vazhdon t’i bëjë qytetarëve ku nga këto kushtëzime të panevojshme qytetarët detyrohen të regjistrojnë automjetet e tyre në Artanë, Kamenicë dhe Viti thuhet në reagimin e LDK-së./rajonipress/