KKVITI

Qeveria hyn borxh për vazhdimin e rrugës për Pejë

/ 4 minuta lexim
Mobi Casa

Qeveria e Kosovës ka miratuar nismën për negocimin e Marrëveshjes Ndërkombëtare për bashkëpunim në mes të Ministrisë së Financave, Bankës Investive Evropiane dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim lidhur me “Financimin e segmentit Kijevë- Klinë- Zahaq”, për 30 kilometrat e mbetura.

Ministri i Financave, Besim Beqaj, thotë se synojnë ndërtimin e këtij aksi me huazim të jashtëm.

Pas përfundimit me mbi 100 kilometra autostradë në rrugën R7, që lidhë Prizrenin me Tiraninë, Qeveria e Kosovës do të fillojë ndërtimin e 58 kilometra të rrugës R6, që lidhë Prishtinën me Shkupin, përderisa qeveria ka siguruar mjete nga institucionet financiare ndërkombëtare për pjesën e nevojshme të autostradës R6A, e cila lidhë Prishtinën dhe Mitrovicën.

Konfrom strategjisë multimodale të transportit, ministri Beqaj, thotë se Qeveria është përcaktuar për të ndërtuar aksin Prishtinë- Pejë, nga 84 kilometra të këtij aksi, Qeveria ka përfunduar 36 kilometra nga Prishtina deri në Gjurgjicë, dhe ka ndarë mjete për ndërtimin e 18 kilometrave që përfshinë segmentin Kijevë-Pejë-Zahaq.

“Duke pas parasysh strategjinë e borxheve për të ngritur financimin e projekteve nga huamarrja e jashtme si dhe gatishmërinë e Bankës Investive Evropiane dhe Bankës për Rindërtim dhe Zhvillim, për të financuar këtë projekt Ministria e Financave synon të fillojë negociatat për marrëveshjet e nevojshme për implementimin e këtij projekti”, shprehet ministri Beqaj.

Në mbledhjen e Qeverisë është marrë edhe vendimi për procedim në Kuvend të Projektligjit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, i cili sipas zëvendëskryeministrit, Hajredin Kuçi, njëherësh edhe Ministër i Drejtësisë, është i domosdoshëm edhe në parandalimin e luftimit të diskriminimit në vendin tonë në promovimin e barazive efektive, dhe në vënien në jetë të parimit të trajtimit të barabartë të gjithë personave dhe para ligjit.

Eco Higjiena

“Ka qenë e nevojshme të ndërtojmë një projektligj të tillë, i cili është edhe kërkesë i Komisionit Evropian për përmbushjen e kritereve lidhur me liberalizimin e vizave dhe përmbushjen e obligimeve të tjera nga Komisioni Evropian që kanë të bëjnë me tabelën e përputhshmërisë së legjislacionit të e BE-së.Është i domosdoshëm edhe në parandalimin e luftimit të diskriminimit në vendin tonë në promovimin e barazive efektive, dhe në vënien në jetë të parimit të trajtimit të barabartë të gjithë personave dhe para ligjit”, shprehet ministri Kuçi.

Po ashtu, është marrë vendimi për procedim më tej të Projekt-rregullores të punës së Komisionit Kombëtar për Refugjatë, përmes të cilit përcaktohet përbërja, përgjegjësitë e organizimit dhe funksionimi i këtij komisioni.

Është vendosur edhe për shpronësimin e përhershëm dhe krijimin e të drejtës së servitutit për interes publik të pronave të paluajtshme të pronarëve dhe zotëruesve të interesit të cilat preken nga ndërtimi i linjës 400 kilovat orëshe Kosovë- Shqipëri.

Sipas Ministrit të Ambientit dhe Planifikimit Hapësinorë, Dardan Gashi, segmenti i parë 16 kilometërsh, përfshinë zonat kadastrale Obiliq- Plemetin dhe Milloshevë të Komunës së Obiliqit, zonat kadastrale Prelluzhë- Bivolak- Strovc- Zhelivodë të Komunës së Vushtrrisë dhe zonat kadastrale Grabicë, dhe anasjelltas, Komuna Drenas.

Si dhe shpronësim për interes publik i pronave të paluajtshme të pronarëve dhe zotëruesve të interesit publik të cilat preken nga ndërtimi i Segmentit rrugor 7.3 që lidhë Autostradën Vërmicë- Merdar R7, Autoudhën R6, Prishtinë- Hani Elezit dhe Rrugën Magjistrale M2, Zonat kadastrale Miradi e Epërme, Komuna e Fushë Kosovës, Preoc e Uglar – Komuna e Graçanicë dhe Çagllavicë – Komuna e Prishtinës.

Me kërkesë të Ministrit të Shëndetësisë, Ferid Agani, në këtë mbledhje është vendosur për ndryshim plotësimin e vendimit të Qeverisë që lidhet me mjetet e dedikuara për fondin për shërimin e fëmijëve me leukemi dhe kancer. Sipas ministrit Agani procedurat e shfrytëzimit të mjeteve nga kategoria ekonomike mallra dhe shërbime kërkon procedura tjera dhe nuk mund t’i ekzekutohen pagesat e duhura.