Fundamenti

Qeveria e skandaleve dhe Ramushi

/ 4 minuta lexim

Nga Adrian Çollaku – Skandalet e kësaj qeverisjeje thuajse nuk kanë fund. Vetëm pak ditë pas publikimit të përgjimeve telefonike të zyrtarëve të lartë shtetërorë, e njohur si afera “Pronto”, ku ata zhvishen nga maska që kanë mbajtur tash e sa vjet dhe opinioni e mësoi se kush është “baba” që merr vendime në Kosovë, të martën mediet austriake kanë raportuar se kompania austriake OeSD, që ka prodhuar deri më tash pasaportat biometrike për Kosovën, ka pezulluar kontratën me autoritetet kosovare.

Ky vendim i kompanisë austriake erdhi pas skandalit të avullimit të 1.4 milionë euro të taksapaguesve kosovarë. Ministria e Punëve të Brendshme, që drejtohet nga Bajram Rexhepi, në vend se paratë t’ia transferonte kompanisë austriake OeSD, ato iu transferuan kompanisë së Natali Velijajt, e cila pak ditë pas raportimit të “Zërit” për këtë skandal u arrestua nga policia e Kosovës. Shtetasja gjermane, e cila udhëhiqte kompaninë nënkontraktuese të OeSD-së, tha se paratë i dha ryshfet. Ajo tha se në këtë skandal janë të përfshirë shumë zyrtarë të lartë shtetërorë të Kosovës.

Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, duke mos e ndjerë veten përgjegjës për tërë këtë skandal, mori vendim për suspendimin e katër zyrtarë të lartë të kësaj ministrie, ndonëse zyrtarisht tha se ky vendim nuk ka të bëjë me çështjen e pasaportave.

Po kthehem edhe njëherë tek afera “Pronto”.

U pa shumë mirë në prapaskenë se si ndodhin punësimet në Kosovë dhe si bëhet politika. U dëshmua se Qeveria vendos se si duhet të sillet e çka duhet të bëjë Kuvendi, si institucioni më i lartë qeverisës në vend, në bazë të Kushtetutës.

Institucioni i konkursit publik u dëshmua se është një formalitet, sepse në fund vendosin “bosat”. Kush mërzitet për ata të shkretë aplikantë, disa nga të cilët në kërkim të një vendi pune dhe me besim në drejtësi kanë aplikuar deri në 500 herë, por asnjëherë nuk kanë arritur të futen as në rrethin e ngushtë.

Hidromorava

I njëjti sistem dhe e njëjta logjikë funksionon edhe në dhënien e tenderëve. Procedurat e prokurimit janë vetëm formale. Me gjasë një ditë do të publikohen përgjime se si janë dhënë edhe tenderë të ndryshëm…

Me një fjalë, skandalet po shtohen dita – ditës dhe askush, jo vetëm që nuk mban përgjegjësi penale, por as përgjegjësi morale. Gjithmonë kur ndodhin skandale e “hanë” ata të vegjlit atje poshtë, dhe ata që nuk e kanë krahun të fortë…

Fundi i kësaj keqqeverisjeje ose vazhdimi i saj, sot është në dorën e një njeriu- kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinajt. Ai e ka mundësinë që t’ia vazhdojë jetën kësaj qeverisjeje, duke iu bashkangjitur edhe vetë, ose t’i japë fund asaj.

Futja eventuale e tij në këtë qeveri, me aq shumë skandale të panumërta dhe që ka degraduar thuajse çdo vlerë në këtë vend, jo vetëm që do ta dëmtojë atë personalisht dhe partinë e tij, duke e shndërruar në një AKR të llojit të veçantë, por me gjasë do të shkaktojë një irritim të paparë në elektoratin e kësaj partie dhe një zhgënjim në masë.

Ndryshimi për 180 shkallë i qëndrimit të Haradinajt para se të shkojë në Hagë me atë pas kthimit, nuk do mend se do ta dëmtojë atë shumë në elektorat. Jo vetëm për faktin e ndërrimit të qëndrimit, por edhe për faktin se pas 5 vjet qëndrimi në opozitë, AAK-ja duke u bërë bashkëqeverisëse me të keqen do të marrë mbi kurriz të vet tërë ato dështime e skandale që i ka bërë kjo qeveri që nga ardhja në pushtet.

Prandaj, AAK e Haradinaj duhet t’i llogarisë shumë mirë të dy opsionet, të rrijë edhe pak ditë në opozitë e të dalë faqebardhë, ose të hyjnë në qeverisje për të marrë një copë pushteti, dhe përgjegjësinë për tërë këto të zeza e skandale që i ka bërë qeveria Thaçi. E ka bërë shumë, tash e pesë vjet. Zgjedhja është e tyre.