UBT

Qeveria e re e Maqedonisë, në funksion të stabilitetit

/ 3 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Sadri Ramabaja – Maqedonia përmes krijimit të Qeverisë së Zaevit po hyn në rrugën e stabilizimit. Ky është prioriteti i Perëndimit aktualisht në raport me Maqedoninë. Ndërhyrja e faktorit politik perëndimor e ka çmontuar pothuajse në tërësi mekanizmin e kontrollit rus që ishte instaluar përmes Nikolla Gruevskit dhe tashmë kjo Republikë e Ballkanit po hyn në një epokë të re. Shqiptarët përmes platformës politike të unifikimit të interesave nacionale arritën t’ua pamundësojnë strukturave të Gruevskit ndërrimin e kursit të krizës nga një krizë politike brenda bllokut maqedon, në një krizë ndëretnike që do t’ia mundësonte faktorit rus praninë më aktive në këtë pjesë të Evropës Juglindore.

Në këtë kuadër faktori politik shqiptar, sidomos Aleanca për Shqiptarët dhe BDI-ja u treguan të pjekur politikisht dhe bën atë që ishte e mundur të bëhet për momentin. Betejat politike për prosperimin e çështjes shqiptare në Maqedoni vazhdojnë. Fillimi i shthurjes së dramës me emrin Maqedoni në disfavor të skenarëve rus, gjithsesi se e ka vë në lëvizje sërish Moskën për të shfrytëzuar instrumentet rezervë.

Në këtë kuadër do shikuar edhe përpjekjen e Vladimir Putinit kur gjykoi të ndërhynte personalisht për t’ju kundërvënë Perëndimit përmes përplasjeve të inskenuara mes Maqedonisë e Bullgarisë, tashti pas ndërrimit të establishmentit politik në Shkup. Po për këtë qëllim ai e priti në Kremlin më 24 maj, jashtë çdo protokolli diplomatik, Gjeorge Ivanovin, presidentin e Maqedonisë, që ndodhej në Moskë për të marrë një çmim fetar nga kisha ortodokse ruse.

Eco Higjiena

Irritimi tashmë i Bullgarisë përmes deklaratës nxitëse të Putinit se gjoja “alfabeti dhe shkrimi sllav erdhën te ne nga toka e Maqedonisë”, nuk mund të shikohet jashtë skenarëve rezervë rus për destabilizimin e Ballkanit. Kjo deklaratë, siç dihet tashmë, ka ngjallur reagime të shumta në Bullgari. Të pritshme dhe të arsyeshme. Intenca e këtij diversioni rus është shtyrja në kalendarët greke të anëtarësimit të Maqedonisë në NATO dhe BE, por edhe krijimi, qoftë ai edhe i stisur, i një krize të re politike. Promovimi i Ivanovit si gjoja mbrojtës i kushtetutshmërisë, në përpjekjet për t’ i trajtuar shqiptarët tutje si qytetarë të rendit të dytë, gjeti sërish mbështetje në Moskë. Në këto rrethana, faktori politik shqiptar duhet të tregohet i vendosur dhe largpamës për ta realizuar agjendën e vetë politike dhe interesat nacionale në Maqedoni. Maqedonia, tashmë është dëshmuar, se është interes jetik shqiptar. Ky interes nuk përmbushet me shkuarjen apo ardhjen e një garniture ministrash shqiptarë të akëcilës forcë politike në qeveritë e Shkupit, por përmes imponimit të agjendës nacionale në plane afatgjata, që garanton zhvillim ekonomik e mirëqenie të qytetarëve tanë, duke krijuar predispozita që ai të faktorizohet si në rrafshin politik, ashtu edhe në atë ekonomik, të sigurisë etj.

Në funksion të kësaj agjende duhet të vihen edhe ministrat e kësaj qeverie dhe subjektet politike shqiptare jo vetëm në Maqedoni. Edhe pas krijimit të qeverisë, betejat politike të faktorit shqiptar vazhdojnë.