RCCOLA

Qeveria drejt vetërrëzimit

/ 3 minuta lexim
Mobi Casa

Anëtari i Kryesisë së LDK’së, Lutfi Haziri po beson se opozita nuk do të ketë fare punë për rrëzimin e Qeverisë Thaçi II.Për largimin e kësaj Qeverie, Haziri thotë se po kujdeset vetë Kryeministri Thaçi dhe Partia e tij.

Haziri parashikon se PDK’ja do të përsërit veprimin që pati bërë në vitin 2010, kur pati rrezuar Qeverinë duke e qitur në votëbesim në Kuvendin e Kosovës.

“LDK nuk do të rrijë indiferent ndaj asnjë situate dhe procesi politik që përfshirë edhe nevojën e votëbesimit politik të këtij kabineti, i cili siç po duket do ta përsërit precedentin e vet, si duket do ta rrezoj vetveten pa pasur nevojë që opozita të merret me këtë punë”, ka thënë Haziri, në një intervistë për Gazetën Express.

“E kam thënë prej ditës së parë se Qeveria është e pakicës politike dhe do ta ketë vështirë me e përfundu mandatin. Fatkeqësisht, historia e mospërfundimit të mandatit të Kryeministrit Thaçi po vazhdon”, ka shtuar ai.

PDK’ja e Hashim Thaçit janë në pushtet prej janarit të vitit 2008. Ende pa e përfunduar mandatin e parë, si pasojë e përplasjeve mes partnerëve të koalicionit dhe largimit të LDK’së nga Qeveria, PDK kishte rrezuar Ekzekutivin, në dhjetor të vitit 2010.

Lutfi Haziri thotë se sikurse para tri vitesh, edhe tash, PTK’ja po del të jetë fatale për Qeverinë e Kosovës.

“Tri vite më herët ka qenë kontrata e PTK’së që marrëdhëniet LDK-PDK kanë shënuar shkëputje dhe sakrifica politike është paguar nga LDK’ja për shkak të abuzimit me votën zgjedhore, ndërsa tash po e njëjta arsye, duke shtuar edhe probleme tjera të natyrës qeverisëse do të bëhen shkas që kjo Qeveri të mos e përfundojë mandatin e rregullt”, ka deklaruar ai.

Ai ka thënë Qeveria e Kosovës duhet të heq prej rendit të ditës privatizimin e PTK’së dhe të vazhdojë të përgatit terrenin për mbajtjen e zgjedhjeve fillimisht lokale e pastaj edhe të atyre nacionale.

Mobi Casa

Por, a do të votonte tash LDK’ja një mocion votëbesimi ndaj Qeverisë?

Lutfi Haziri jep përgjigje pozitive.

“Po, nëse na çojnë në këndin e vdekur, natyrisht, se unë jam njëri nga deputetët që do të votoja për votëbesim të kësaj qeverie. Pse? Sepse mënyra se si po sillet me problemet e mëdha që ka ky vend, me agjendën e brendshme, neve nuk na lejon me qenë indiferent dhe inferior ndaj kësaj sjellje”, ka thënë ai.

Pavarësisht kësaj, Haziri thotë se janë të gatshëm për zgjedhje të jashtëzakonshme edhe nëse mbahen këtë vit.

“Ne jemi të gatshëm për çdo lloj scenario që mund të ketë, por përputhshëm me agjendën elektorale kish me qenë të garantohen zgjedhjet lokale, të mos digjet Qeveria nëpër fshatra duke mbledh vota për motive elektorale”, ka thënë ai.

Haziri, që kandidon për Kryetar të Gjilanit, thotë se një ditë pas përfundimit të zgjedhjeve lokale do të shënohet edhe fundi i Qeverisë së PDK’së, AKR’së e minoriteteve.

“Më 4 nëntor 2013 është fillimi i fundit të kësaj Qeverie”.