Uji Dea

Qeveria do t’i falë mihjet e Kosovës

/ 4 minuta lexim
Eco Higjiena

Propozimi i fundit i Komitetit Drejtues të Projektit TC “Kosova e Re” që minierat e thëngjillit të përfshihen në pako tenderuese të termocentralit “Kosova e Re”, kundërshtohen ashpër nga njohës të sektorit energjetik në vend.

Sipas tyre, në këtë formë Qeveria e Kosovës po tenton që t’u falë resurset kompanive ndërkombëtare që synojnë të investojnë kapitalin e tyre në ndërtimin e kapaciteteve të reja energjetike. Me dhënien falas të këtyre minierave që janë aset i kosovarëve, investitori potencial do t’i ketë në dispozicion të tij deri në shterje të tyre.

Ish-ministrja e Energjisë dhe Minierave, Justina Shiroka-Pula, thotë se Qeveria e Kosovës duhet ta formojë kompaninë e thëngjillit, e cila, sipas saj, do të jetë kompani shtetërore. Sipas saj, investitori i huaj do të mundë të shfrytëzojë thëngjillin aq sa ka nevojë dhe për çdo ton të shfrytëzuar duhet t’i paguajë Qeverisë së Kosovës.

Uji Dea

“Tash nevojitet një koncept tjetër për termocentralin. Miniera e linjitit duhet të jetë në pronësi të shtetit, për shkak të investimeve të mëdha nga buxheti që janë bërë. Kjo e fundit duhet t’i shesë linjit termocentralit të ri që do të ndërtohet dhe dy termocentraleve ekzistuese”, ka thënë ajo. Sipas saj nëse ndodh ndryshe, atëherë kompania private do të vepronte njësoj sikurse është duke vepruar kompania e cila e ka privatizuar “Ferronikelin” në Drenas ku pa ndërprerë po nxjerr minerale, të cilat po i eksporton në vende të ndryshme të botës.

Dardan Sejdiu nga Lëvizja “Vetëvendosje”, thotë se kjo Qeveria ka gjetur dy forma për të mbetur në pushtet, pavarësisht se pasojat do të jenë të mëdha. Sipas tij, privatizimi i çdo gjëje që nuk është private dhe dialogu me Serbinë kryeministrin dhe Qeverinë aktuale po e mbajnë në pushtet ngase ka gjetur përkrahje te faktorët ndërkombëtarë. “Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj, po mundohet t’i bëjë atraktive ato pak ndërmarrje që kanë mbetur pa u privatizuar, siç është rasti i prodhimit të energjisë. Beqaj po harron se resurset janë pronë e qytetarëve të Kosovës dhe ato duhet në ruhen e jo t’u falen investitorëve”, ka thënë ai.

Sipas një njoftimi të lëshuar ditë më parë nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik (MZHE), Komiteti Drejtues i Projektit TC “Kosova e Re” ka aprovuar dokumentet e tenderit për Ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”, i cili do të realizohet me partneritet privat – publik. Bashkë me publikimin e Kërkesës për Propozime, ofertuesve të parakualifikuar, sipas MZHE-së, do t’u dorëzohen edhe Draft-Marrëveshjet e Projektit, siç janë: Marrëveshja e Implementimit (Kompania e Gjenerimit); Marrëveshja e Implementimit (Kompania e Minierave); Marrëveshja për Blerje të Energjisë (TCKR); Marrëveshja për Furnizim me Linjit (Kosova A); Marrëveshja për Furnizim me Linjit (Kosova B); Marrëveshje për Furnizim me Linjit (TCKR); Marrëveshje Shumëpalëshe për furnizim me Linjit; Marrëveshja për Furnizim me Ujë; Marrëveshje për Shërbimet Ndihmëse (TCKR), etj. Në njoftim më tej thuhet se punëtorët ekzistues nga divizioni i qymyrit dhe nga shërbimet e përbashkëta që i shërbejnë divizionit të qymyrit do të transferohen me kushte të njëjta që tani i gëzojnë, në përputhje me Ligjin e Punës tek investitori i ardhshëm, dhe të njëjtit do të kenë garanci për 3 vite pune.(zeri)