RCCOLA

Qeveria anashkalon aferën “Grand” me protagonistë zyrtarët e saj

/ 5 minuta lexim

Prishtinë – Qeveria e Kosovës në vend se të komunikojë qëndrimin e saj lidhur me aferën “Grand” dhe përfshirjen e zyrtarëve të lartë në të, ka njoftuar përfaqësuesit e medieve për pjesëmarrjen e një delegacioni të Kosovës, në një konferencë në SHBA.

Të mërkurën, në emër të Qeverisë, pak pas përfundimit të mbledhjes së saj, ka folur ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj. Ani pse është insistuar nga gazetarët, Beqaj nuk ka dashur të japë përgjigje konkrete rreth aferës së hotelit “Grand”, me protagonistë edhe një zëvendëskryeministër dhe një zëvendësministër të ekzekutivit, shkruan sot “Koha Ditore”. Ai vetëm ka thënë se përgjegjësia institucionale është individuale, se gjyqësia duhet të kryejë punën e saj dhe se drejtësia të vihet në vend.

“Sigurisht që përgjegjësia institucionale për secilin veç e veç është individuale dhe gjyqësia duhet të bëjë punën e vet në këtë drejtim, drejtësia të vihet në vendin e vet. Dhe besoj që këto janë sinjale të cilat po tregojnë gatishmërinë e shtetit për të trajtuar çështjet në mënyrë institucionale”, ka theksuar Beqaj.

Ai nuk ka dashur që të flasë as për një shkarkim të mundshëm të zëvendëskryeministrit të parë të Kosovës, Behgjet Pacolli, pas asaj që ka ndodhur rreth “Grandit” dhe as për ndryshime në Qeveri.

“Sigurisht që këto janë çështje politike që duhet t’i adresoni tek kryeministri i vendit. Reformatim? Nuk jam përgjegjës për riformatimin e Qeverisë”, ka thënë ai.

Në paraqitjen e tij para medieve, ministri i Zhvillimit Ekonomik ka njoftuar se gjatë javës që vjen një delegacion i Qeverisë së Kosovës me zyrtarë të resorëve që lidhen me ekonominë do të qëndrojnë në SHBA, ku do të mbahet një konferencë për investime. Atje sipas tij do të jetë edhe një grup i biznesit nga Kosova. Beqaj ka bërë të ditur se ai dhe ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila, do të marrin pjesë në këtë konferencë për investime, por jo edhe në OKB.

UBT

Në lidhje me paralajmërimin e mbajtjes së protestës nga ana e BSPK-së kundër privatizimit të KEK-ut, PTK-së dhe “Trepçës”, Beqaj ka mohuar që Qeveria ka plan për privatizimin e “Trepçës”.

“Unë i kam pyetur edhe BSPK-në edhe institucionet tjera, nëse diku kanë dëgjuar se ka ndonjë plan për privatizimin e ‘Trepçës’, është mirë të na tregojnë. Qeveria e Kosovës nuk merret me ‘Trepçën’. Me ‘Trepçën’ tani merret AKP-ja. Dhe është përgjegjësi e AKP-së për ta reformuar ‘Trepçën’, por jo për ta privatizuar, sepse nuk ka pasur ide për ta privatizuar. Dhe ka qenë jologjike nga ana e BSPK-së që të organizojë protestë kundër privatizimit të ‘Trepçës’, përderisa është vetë e ulur në bordin i cili merr vendim për një proces të tillë”, ka thënë Beqaj.

Sipas Beqajt as BSPK-ja dhe as organizatat e shoqërisë civile nuk kanë mandat të flasin në emër të interesave të popullit, meqë një gjë e tillë është e rezervuar për Kuvendin e Kosovës.

“Shumë shpesh kemi mekanizma të cilët thirren në emër të popullit kur flasin për këto gjëra. Dua të ritheksoj se as BSPK-ja dhe as organizatat e shoqërisë civile nuk janë të thirrura për të folur në emër të popullit. Në emër të popullit mund të flasë Parlamenti i cili ka 120 deputetë dhe ata flasin në emër të votuesve të cilat i kanë votuar dhe u kanë besuar atyre. Pra Parlamenti është organi i cili merr vendim për gjëra të tilla”, ka thënë ai. “Prandaj përfaqësimi i interesave të punëtorëve nuk duhet të përzihet me përfaqësimin e interesave të popullit”.

Në mbledhjen e saj të së mërkurës, Qeveria e Kosovës ka miratuar Projektstrategjinë kombëtare kundër krimit të organizuar për vitin 2012-2017, Projektstrategjinë kombëtare për Menaxhimin e Integruar të Kufirit Shtetëror, Projektudhëzimin administrativ për funksionalizimin, detyrat dhe përgjegjësitë e Qendrës Kombëtare për Menaxhimin Kufitar, Projektstrategjinë kombëtare kundër terrorizmit për vitin 2012-2017, Projektstrategjinë kombëtare kundër drogave për vitin 2012-2017, Propozimvendimin përfundimtar për shpronësim të pronave të cilat preken nga ndërtimi i Fabrikës së Ujit më fshatin Shkabaj dhe vënien e së drejtës së servitutit në dobi të KUR “Prishtina”, dhe Propozimvendimin për emërimin e sekretarit të përgjithshëm në Ministrinë e Infrastrukturës.(koha)