KKVITI

Qeveri me paterica

/ 4 minuta lexim
Eco Higjiena

Nga Enis Veliu – Rezultatet e publikuara deri më tash nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, KQZ, e kanë vënë në siklet liderin e PDK-së, Hashim Thaçin, i cili veç sa ka filluar të bëjë matematikat për kompletimin e Kabinetit të ri Qeveritar, i cili do ta drejtojë Kosovën në katër vjetët e ardhshme.

Pavarësisht se udhëheq në raport me partitë e tjera, lideri i PDK-së do të ketë goxha punë për t’i bindur partitë e tjera serbe e shqiptare për të hyrë në koalicion me të.

Thaçi para zgjedhjeve pati bërë koalicion parazgjedhor me Partinë e Drejtësisë, PD, si dhe Lëvizjen për Bashkim, LB. Ndërkaq, nuk pat përjashtuar mundësinë e lidhjes së koalicionit pas zgjedhor me partitë e tjera opozitare në vend. Mirëpo, këto të fundit para zgjedhjeve u patën zotuar para elektoratit se me asnjë kusht nuk do të hyjnë në bashkëqeverisje me partinë e kryeministrit Thaçi.

Mirëpo, ky i fundit mund të mos jetë kryeministër i Kosovës në katër vjetët e ardhshme nëse lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, LDK, Isa Mustafa dhe ai i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, AAK, Ramush Haradinaj, si dhe ai i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti e mbajnë fjalën për të lidhur koalicion me partinë e Hashim Thaçit. Sipas të dhënave të fundit të KQZ-së, nga numërimi i 97,89% të votave, partia e kryeministrit Thaçi ka arritur të sigurojë 30,80 % të votove të elektoratit, i cili ka dalë në zgjedhjet e 8 qershorit.

Fundamenti

Ndërkaq, LDK-ja ka arritur të sigurojë 25,84 % të votave. Deri më tash e treta për nga numri i votave të fituara në zgjedhjet e 8 qershorit është Lëvizja “Vetëvendosje” e Albin Kurtit me 13,55 % të votave. E AAK-ja e Ramush Haradinajt, ka arritur të sigurojë 9,65 %. Ndërkaq, NISMA e Fatmir Limajt deri më tash sipas të dhënave të publikuara nga KQZ-ja ka arritur 5,26. Partia e ish-zëvendëskryeministrit Behgjet Pacolli, Aleanca Kosova e Re, sipas të dhënave të publikuara deri më tash nuk ka arritur ta kalojë pragun zgjedhor, i cili në vendin tonë është 5 për qind.

Nëse LDK-ja, AAK-ja dhe LVV-ja përfundimisht nuk hyjnë në koalicion me partinë e Hashim Thaçit, atëherë këtij të fundit do t’i mbetet të lidhë koalicion me partitë serbe dhe partitë e minoriteteve në Kosovë, që së bashku i kanë 20 vende të rezervuara në Kuvendin e Kosovës. Po ashtu, për të siguruar një Qeveri me paterica, Thaçit i duhet të bëjë marrëveshje edhe me partinë e Fatmir Limajt, ku të gjitha së bashku mund të arrijnë të grumbullojnë rreth 62 vende.

Mirëpo, edhe ky plan mund të mos i realizohet Thaçit, në rast se ndonjëri prej deputeteve të partive opozitare refuzon të hyjë në qeverisje me partinë e Hashim Thaçit. Po ashtu, edhe të dhënat që kanë arritur nga komunat, prezantojnë një goditje të fuqishme që elektorati u ka dhënë edhe kryetareve të rinj të komunave, të cilët u zgjedhën para gjashtë muajsh. Partia e kryetarit të komunës së Mitrovicës, Agim Bahtriti, sipas të dhënave të deri tanishme është renditur e katërta për nga numri i votave, e derisa në zgjedhjet e fundit lokale ajo ka qenë e dyta për nga numri i votave.

Njëjtë ka ndodhur edhe në Gjakovë ku dallimi mes PDK-së dhe AKR-së është rreth 1 për qind. Po ashtu, edhe në Pejë partia e Ramush Haradinajt është renditur e treta e derisa në zgjedhjet e fundit lokale kandidati i kësaj partie ka qenë në balotazh me kandidatin e LDK-së.