FIDANISHTJA

Qëndrueshmëria e shtetit të Kosovës – interes i përjetshëm!

/ 5 minuta lexim
KKVITI

Nga Burim Ramadani – Pretendimet për mosqëndrueshmërinë e shtetit të Kosovës si një fakt i dhënë paraqesin diskurs i lojës së rrezikshme me të panjohurën. Rrezikojmë të hymë në një model tjetër të rregullimit të konflikteve dhe më e mundshmja është ndarja territoriale. Kjo për Kosovën do të thoshte dorëzim apo heqje dorë nga veriu i Kosovës.

Logjika që bazohet vetëm në “Sigurinë e Fortë” ka përfunduar me fundin e Luftës së Ftohtë, koncept që ka vendosur vëmendjen tek ekskluziviteti i Forcave Ushtarake.

Ullman dhe Buzan në fund të Luftës së Ftohtë kërkuan vëmendjen tek domenet tjera që merren me “Sigurinë e Butë” dhe kjo është pjesa kryesore që ne duhet të masim qëndrueshmërinë e shtetit. Pra, tek domeni ekonomik, politik, diplomatik, shëndetësor, arsimor, kulturor e të ngjashme.

Përpos aspketit politik apo romantik, në aspektin konceptual qëndrueshmëria e shtetit të Kosovës kërcënohet nga “shteti i brishtë”, që është çështje konceptale kryesisht e bazuar në gjendjen e brendshme. Më shumë se sa nga ndonjë kërcënim ushtarak në rend të parë, “shteti i brishtë” që shpi kah “shteti i dështuar” është kërcënimi kryesor i qëndrueshmërisë së shtetit të Kosovës.

Mos të harrojmë se kërcënimet bashkëkohore të sigurisë nuk lidhen vetëm me kërcënime ushtarake ndaj sigurisë kombëtare. Për më tepër, kërcënimet e reja, sikurse kërcënimet kibernetike si shembull, në aspektin e sigurisë kombëtare na përcaktojnë domosdoshmërinë për përmirësimin e thellë të sistemit arsimor.

Në aspektet klasike të sigurisë kombëtare, Kosova duhet të kompletojë Arkitekturën e Sgurisë Kombëtare, kryesisht në dy elementet më të mëdha:

Transformimi i FSK-së në Forca të Armatosura, të cilat nuk ka dyshim se duhet të jenë porofesionale dhe përafërsisht me rreth 4 pjesëtarë në 1000 banorë, që është një standard i përafërt. Forca të Armatosura që kanë fusha të specialuara dhe që mund të japin kontributin e Kosovës në sigurinë globale, po ashtu.

Ndërtimi i komunitetit të inteligjencës, sepse kjo është një mangësi mungesa e inteligjencës së mbrojtjes dhe asaj të jashtme, përkatësisht mundësinë e ndikimit në aktivitetet e jashtme politike dhe ekonomike.

Mos t’i shohim Forcat e Armatosura vetëm prej konceptit të Sigurisë së Fortë, duke pretenduar, sikurse shohim pretendime të tilla, se shteti ynë u ndërtua për të bërë luftë, përkatësisht për t’u bërë gati për luftë. Charles Tilly ka qenë pothuajse autori i fundit që ka tentuar të argumentojë në këtë koncept.

Ekziston Rishikimi Strategjik i Sektorit të Sigurisë së Kosovë, që qartëson se si do të duken Forcat e Armatosura të Kosovës. Fatkeqësisht, sërish e sërish, edhe kjo është vonuar shumë të hyjë në zbatim.

Sidoqoftë, pretendimet për mosqëndrueshmërinë e shtetit të Kosovës si një fakt i dhënë paraqesin diskurs i lojës së rrezikshme me të panjohurën.

Shteti i Kosovës është dëshmuar si faktor stabilizues i rajonit. Siguria rajonale rrezikohet duke i thyer “tri JO-të” e Gurpit të Kontaktit, të vendosura me fillimin e procesit të bisedimeve për statusin e Kosovës në Vjenë, gjatë viteve 2005-2007.

JO kthimit në gjendjen e mëparshme, përkatësisht para vitit 1999.

JO ndarjes territoriale të Kosovës.

Eco Higjiena

JO bashkimit me ndonjë shtet tjetër.

Thyerja e njërës prej tyre nënkupton thyerje të trijave së bashku. Në cilindo rast që shteti i Kosovës dështon, thyhet të tri këto JO-të dhe Kosova, sikurse edhe rajoni, hyn në një fazë të rëndë të të panjohurës.

Çka nënkupton “e panjohura” për Kosovën?

Rrezikojmë të hymë në një model tjetër të rregullimit të konflikteve dhe më e mundshmja është ndarja territoriale.

Kjo për Kosovën do të thoshte dorëzim apo heqje dorë nga veriu i Kosovës.

Pikërisht promovuesit e “domosdoshmërisë” së shuarjes së shtetit të Kosovës mund të kthehen në promovues të heqjes dorë nga veriu i Kosovës. Nga një territor i shtetit tonë.

Shtetet nuk duhet të dorëzohen përballë sfidave. Vërtetë kemi sfida në veri, por kjo nuk duhet të na mbushë mendjen se duhet të “lirohemi” nga veriu. Kjo do të ishte një logjikë e keqe egosite momentale e një gjenerate politikanësh, për të cilët historia edhe do të mund të përshkruante si aktorë të një gabimi strategjik kombëtar.

Veriu është brenda shtetit të Kosovës. Pse duhet të mendojmë “lirimin” nga ajo pjesë? Më mirë të sfidohemi dhe të angazhohemi edhe për 20 vjet tjera (normalisht se shpresoj të jetë kohë më e shkurtër!) që ta tejkalojmë gjendjen e tashme në veri se sa të dorëzohemi para asaj gjendjeje!

Tek e fundit, kush jemi ne, si gjenerata që jetojmë në këtë kohë, që të pamundësojmë ekzistimin e shtetit të Kosovës në kufijtë e plotë përjetë?

Kush jemi ne që të fillojmë të panjohurën, që sipas të gjitha gjasave, do të na kushtonte me shkëputje të veriut?

Kjo është pikërisht e kundërta e asaj që etno-nacionalistët po tentojnë ta promovojnë.

Rruga e Kosovës kah “shteti i dështuar” është rreziku ndaj qëndrueshmërisë së shtetit të Kosovës. Dhe, ky është interesi i vetëm direkt i Rusisë, në aspektin e politikave ndërkombëtare, dhe i Serbisë, në aspektin e politikave territoriale.

Rusia do të fitonte argumentet e saj se ndërhyrja e NATO-s ndaj ish-Jugosllavisë ka qenë gabim, se formimi i shtetit të Kosovës ka qenë gabim, dhe, mbi të gjitha, politikat perëndimore dhe amerikane janë të gabuara.