Qendra e Shëndetit Mendor shënon 10 vjetorin e funksionimit
Gjilan – Afrim Cana drejtor në Shëndetin mendor tha se përkundër vështirësive ky institucion për këto 10 vite është shndërruar në një model për të qenë sa më afër familjes së të sëmurit mendor. Gani Shabani sekretar në MSH tha se në fokus të këtij institucioni gjithmonë ka qenë klienti dhe pacientët mendor.
Qendra e Shëndetit Mendor të premten ka shënuar 10 vjetorin e funksionimit të saj. Në prani të shumë mysafirëve nga komunat tjera, përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë dhe zyrtar komunal , Afrim Cana drejtor në këtë qendër tha se janë shënuar për këto vite reforma të theksuara sepse nga një model i trajtimit realsocialist me hospitalizime të stërzgjatura, e kemi shndërruar këtë qendër në një model me shërbime sa më afër familjes së të sëmurit mendor.”Kuptohet për ne ishin sfida këto, por i kemi tejkaluar shpejt si profesionist dhe kemi arritur të krijojmë një identitet të ri dhe shumë të fuqishëm të shërbimit brenda shëndetësisë kosovare” tha Cana.
Cana tha se angazhimi i tij dhe i stafit të tij nuk do të mungojë as në të ardhmen. Sipas tij për këtë dekadë të funksionimit janë arritur rezultate duke realizuar 27000 vizita, kontrolla specialistike, 27448 klient në qëndrim ditor. Janë realizuar 14268 vizita shtëpiake , janë dhënë 18174 depo preparate, janë mbajtur 160 takime psikoedukimi multifamiljar, në përkujdesje të rregullt janë 507 klient .
Edhe Gani Shabani sekretar permanent në Ministrinë e Shëndetësisë tha se Gjilani dhe qytetarët e saj kanë përfituar shumë nga kjo qendër sepse ajo në fokus e ka të sëmurin mendor dhe familjet e tyre.”Nuk ka akt më human e më njerëzor se të merresh me trajtimin dhe përkujdesjen e këtyre rasteve. Ne si ministri ndihemi krenar dhe edhe në të ardhmen kjo qendër do të përkrahet e ndihmohet” tha Shabani.
Edhe Xhemajl Salihu nga drejtoria për shëndetësi dhe mirëqenie sociale tha se kanë pasur një bashkëpunim të mirë me këtë qendër derisa drejtori i spitalit Abdylatif Latifi tha se ana profesionale nga kjo qendër ka qenë e dobishme edhe për Gjilanin , por edhe për pacientët në përgjithësi.
Për nder të 10 vjetorit kjo qendër kishte përgatitur një program të pasur derisa kënaqësitë e gëzimit i kanë përjetuar edhe pacientet e rregullt dhe ata që trajtohen në baza ditore./rajonipress/


