ARKATANA

Qemajl Mustafa: Po përballemi me një aktakuzë policore dhe të papjekur profesionalisht

/ 11 minuta lexim
FIDANISHTJA

Gjilan – Qemajl Mustafa ish kryetar i komunës së Gjilanit ka hedhur shumë akuza e vërejtje profesionale në adresë të hetuesve e prokurorëve në rastin e ngritjes së aktakuzës ndaj tij dhe ndaj disa zyrtarëve komunal të Gjilanit. Mustafa në një bisedë për Rajonipress thotë se aktakuza është aktakuzë policore dhe e papjekur profesionalisht, e fryer me ekzagjerime e me pompë duke vënë në akuzë hiç më pak se 39 veta dhe plotë fantazira e të pavërteta për “krim të organizuar”. Është akuzë me plotë mangësi edhe si konstruksion juridik, por edhe si përmbajtje thotë ai.

Qemajl Mustafa vazhdon të mbetet njeri nga ish kryetarët më të guximshëm, më të afërt e më komunikues me publikun edhe atëherë kur të tjerët mendojnë se ai ndodhet në pozita të palakmueshme.

Qemajl Mustafa gjithashtu vazhdon të mbetet si njëri nga kryetarët më transparentë, më të aftë profesionalisht e më komunikues me mediet e qytetarët gjilanas.

Në një bisedë për Rajonipress Qemajl Mustafa jep detaje interesante rreth aktakuzës, rreth përmbajtjes së saj, shkeljeve ligjore, dobësive të saj e vërejtje tjera serioze në adresë të hetuesve e prokurorëve.

Mustafa thotë se para se të thuhet diçka tjetër për akuzën ndaj nesh nga PSRK, janë disa gjera të cilat duhet të sqarohen që në fillim.
“S`ka asnjë dyshim që akuza është ngritur me trysninë e qarqeve të caktuara politike ndaj prokurorisë dhe hetuesve policor dhe si e tillë ka dal aktakuzë policore, e “papjekur” profesionalisht, e fryer me ekzagjerime e me pompë duke vënë në akuzë hiç më pak se 39 veta dhe plotë fantazira e të pavërteta për “krim të organizuar”. Është akuzë me plotë mangësi edhe si konstruksion juridik, por edhe si përmbajtje. Është ky para se gjithash konstatim i mbrojtjes time, një juristi me karrierë të gjatë në shtyllën e drejtësisë (22 vite, vetëm si prokuror). Vetë fakti që gjyqtari i ngarkuar fillimisht me këtë punë (Sali Berisha, Pejë) i kërkon prokurorit që ta rikonstruktojë juridikisht aktakuzën (sepse i gjen plotë të meta në formulimin e saj) flet mjaftë për mungesat e saja profesionale. Fakti që asnjërin prej nesh (bile as mua si ish kryetar i komunës), prokurori i rastit nuk na ka ftuar në intervistë, flet poashtu për qasje “shkel e shko” dhe për mungesë serioziteti të prokurorit në konstruktimin e aktakuzës. Duket qartë që prokurori e ka bërë miratimin blanko të opinionit të hetuesve policor, prandaj edhe del që ai vetëm e ka nënshkruar aktakuzën e cila në fakt është konstruktuar nga policia” ka sqaruar Mustafa.

United Hospital

Ai shton se “fakti që ne jemi njoftuar vetëm përmes mediave më 16 Shtator 2016 pa njoftim paraprak nga prokurori dhe pa na e dorëzuar aktakuzën (zyrtarisht e kemi marr shtatë muaj më vonë (me postë), në fillim të Prillit 2017), flet edhe më qartë për gjendjen e mjerueshme të sistemit të drejtësisë në Kosovë”.

Pikërisht për këtë e ka bërë një hulumtim të gjatë organizata “Betimi për drejtësi” i cili është transmetuar në mbrëmjen e 12 Prillit në RTK. Hulumtimi qet në dritë shkeljet drastike të ligjit të procedurës penale të RKS dhe të të gjitha ligjeve e konventave për të drejtat e njeriut pikërisht në rastin tonë në Gjilan.

“Qëndroj pranë konstatimit se në Gjilan gjatë mandatit tim është punuar me përkushtim të plotë politik, profesional e shteteformues. Qëndroj pranë konstatimit që komuna përjetoi rilindje gjatë atyre gjashtë viteve në të gjitha fushat e punës ashtu sikur qëndroj plotësisht pranë konstatimit se në komunën tonë nuk kishte abuzime me fondet dhe me pasurinë publike (së paku jo me përcaktimin tim, jo me dijen time dhe jo me besimin tim). E kemi bërë të kundërtën – e kemi ruajtur dhe e kemi rritur në vazhdimësi vlerën e pasurisë së komunës. Këtë mund ta dëshmojmë lehtë e thjeshtë kurdo që kjo kërkohet. I kam dërguar në dhomën e veçantë të GJSKS disa raste të tjetërsimit të tokës komunale nga ish AKM dhe AKP dhe kjo patjetër që i ka trazuar shpirtrat e krimit ordiner të privatizimit në komunën tonë. Rasti i ish market “Pireva”, rasti i tokës së “placit” te ish “16 Nëntorit”, insistimi im i pakusht që çerdhja “Integj” të mos qitet në shitje, këmbimi i tokës urbane për shkollën “Don Bosko” janë vetëm disa nga shembujt e ruajtjes me fanatizëm të pasurisë së komunës. Duhet të pyesim, kush i kishte bërë këto kurdisje të tjetërsimit të pronës dhe kush po merrej me këto marifete? Askush përveç atyre që e qeverisnin Kosovën në atë periudhë dhe pikërisht atyre që u zunë me “pelë për dore” në kurdisjen e privatizimit të fabrikës së radiatorëve e që ishte kreu i tashëm i komunës Lutfi Haziri. I njëjti nuk u akuzua kurrë për zhvatjen e më shumë se një milioni euro në rastin e tërmetit në Gjilan dhe nuk u akuzua për vjedhjen e dosjeve në arkivin e prokurimit në vitin 2014. Merreni me mend akuzohet për diçka krejtësisht banale – për dhënien e parkingjeve publike në shfrytëzim dhe pastaj lirohet nga akuza”.

Mustafa shtrone dhe dilemën: Pyetja që duhet të bëhet natyrshëm është: Pse kaq shumë hetime ndaj meje dhe strukturës time në qeverisje dhe pse kjo aktakuzë me kaq shumë zyrtarë e afaristë?
“Përgjigja për mua është e thjeshtë. Sukseset e mia dhe të komunës për ato vite i tmerronin injorantet dhe sharlatanët në politikë si në partinë time ashtu edhe jashtë saj. Qasja ime kritike ndaj partisë dhe ndaj mënyrës së qeverisjes nga H. Thaçi dhe qeveria e tij nuk u pëlqeu disave në parti e posaçërisht përfaqësuesve servil (gjithnjë të pamerituar e të pavotuar) të degës së Gjilanit në Prishtinë. Po i numëroj disa nga faktet:
a) Qysh në vitin 2012 pikërisht në një intervistë në “Rajonipress” e pata thënë që “kjo nuk është PDK-ja për të cilën unë jam angazhuar” dhe pata dal hapur me qëndrim kritik ndaj procesit zgjedhor në parti që ishte i sforcuar, jodemokratik dhe në shumicë i kurdisur. Këtu edhe fillon çarja e madhe e partisë dhe nisja e humbjes së madhe në zgjedhjet lokale 2013.
b) Kritikat e hapura që i adresova ndaj kryeministrit dhe qeverisë për qasje diskriminuese në investimet kapitale ndaj komunës tonë dhe disa komunave tjera, natyrisht që nuk i pëlqenin kreut të partisë e të qeverisë dhe sidomos nuk u pëlqenin servileve e sejmenëve të tij. E kritikova poashtu zëshëm përfaqësimin tepër të dobët të komunës së Gjilanit në strukturën qeveritare dhe në agjensionet e saj e të kuvendit të Kosovës. Në dërgonim përherë fuqi të madhe politike në PDK me rreth 12000 vota po partinë dhe Kosovën e qeverisnin pejanet dhe të tjerët që kurrë nuk merrnin votë në mahallat e tyre.
c) Ardhjen jo të natyrshme (dy herë me radhë) të kryetarit të tashëm të degës në Gjilan unë e quajta dhe e konsideroj sot e kësaj dite uzurpim të degës dhe assesi ndryshe.
d) E adresova qartë shkaktarin e humbjes së zgjedhjeve lokale në Gjilan e që për mua ishte qendra e partisë demokratike dhe qeveria. E bënë këtë me qëllim që imazhi im dhe i degës në Gjilan të zvetënoheshin përmes ndaljes së investimeve për komunën. Kjo ishte edhe e vetmja mënyrë për ta siguruar rrënimin tim e ngritjen e Zenun Pajazitit të cilin si “lojal” që e kishin e pruar me zor dhe e instaluan në degë.
e) U pa gjatë fushatës dhe sidomos me rezultat zgjedhor që struktura e PDK që nga maja e saj në Prishtinë e deri në nëndegë ishte e përkushtuar që ta shkaktojë humbjen time dhe ardhjen e Lutfi Hazirit (pasiqë nuk arritën që t`i krijojnë parakushte Zenun Pajazitit për fitore). Kjo u tha edhe botërisht më vonë nga krerë të partisë. Ish të burgosurit politikë e kishin votue Ismajl Kurteshin e LVV dhe e thanë hapur e pa hezitim. Krejt kjo ishte një skenar për ta bërë “vdekjen e djalit për inatin e resë”. Kështu edhe u bë.
Po i bie trup e shkurtë. Unë dhe 38 zyrtarët e afaristët e komunës jemi në këtë akuzë për një arsye të vetme dhe të madhe. Ajo është se krimi i madh në komunën tonë e që është Lutfi Haziri me klikën e tij dhe krimi në nivel të vendit ende nuk janë akuzuar dhe ky krim shëtit lirshëm në hapësirën e Kosovës me të gjitha rreziqet që ai i bartë me vete për qytetarët e saj. Pjesë e këtij krimi të organizuar dhe të koordinuar mirë janë pikërisht shumica e prokurorëve, e hetuesve policorë dhe e gjykatësve. Kjo nuk do të thotë që ndonjëri prej tyre nuk janë të ndershëm, unë besoj që aty këtu ka aso mostra, por ata pengohen që ta bëjnë punën e tyre në dobi të shtetit. Ende askush nuk u akuzua për mega zhvatjet në procesin e privatizimit, për krijimin e milionave dhe milionereve brenda natës. Askush nuk u akuzua për vjedhjen e dhomave të dëshmive në Prishtinë, në Pejë… Pse? Kush po i mbron projektuesit dhe akterët deri më sot? Vetë sistemi, sepse ata janë pjesë e sistemit dhe e menaxhojnë këtë sistem fund e krye. Derisa është bërë modë me e thënë që shteti është “kapur” në tërësi unë e them me plotë bindje që ai është plotësisht i uzurpuar nga ata që sot neve na bëjnë dosje dhe na ngrisin akuza ka shtuar Mustafa.

“Me e akuzuar, me e diskreditua dhe me i shkaktue kaq dhembje e telashe Hatixhe Dakut, Fadil Osmanit, Drita Kajtazit, Hamdi Ismajlit, Agim Hoxhës e shumë te tjerëve në akuzën për Gjilanin është me shumë se krim. Publiku në Gjilan e din që këta dhe shumë zyrtarë të tjerë janë ata që e kanë mbajt gjallë dhe e kanë përparuar komunën e Gjilanit.
Publiku e din mirë që kurdo që unë isha kthye në Gjilan në një proces zgjedhor me po këta njerëz që sot gjendën në akuzë, kishim me i fituar zgjedhjet sepse jemi më të mirët, jemi më të besueshmit dhe e bëmë çdo gjë në të mirë të komunës, por kurrë dhe asgjë në dëmin e saj. Pavarësisht që sistemi i drejtësisë në Kosovë është plotësisht abuziv dhe joprofesional, ne do t`i përgjigjemi drejtësisë dhe do të dëshmojmë që kemi qenë të organizuar, bile, plotësisht të organizuar për ta zhvilluar komunën dhe qytetarin e familjen e tij, por asnjëherë për ta dëmtuar atë. Me këtë rast i lus të gjithë të akuzuarit që medoemos të jenë në seancën e parë e cila është caktuar për 19 Prill në Pejë në orën 10. Ne duhet ta kursejmë kohën në mënyrë që ky proces të mbaroje sa më shpejtë dhe patjetër në favor të drejtësisë – me shpalljen e pafajësisë tonë e besoj shpejtë me shpalljen e fajësisë së kreatorëve të kësaj dhe shumë akuzave të tjera nëpër Kosovë. Përfundimisht dhe sa më parë, Kosovës i duhet ta ndalë krimin e madh që t`i sakrifikojë të pafajshmit dhe fajtorët e vegjël për ta siguruar mbijetesën e vet dhe për ta degraduar edhe më tej këtë vend” ka thënë Qemajl Mustafa./rajonipress/

Mund të ju interesoj:

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.