Uji Dea

Qemajl Mustafa përkrah protestën e OJQ-ve

/ 5 minuta lexim
Mobi Casa

Gjilan – Protesta e paralajmëruar kundër zhvendosjes së përmendores së vitit 1964 është protestë legjitime e legale ka thënë Qemajl Mustafa.

Postimi i plotë i Qemajl Mustafës

Të merremi vesh që në fillim se askush, ama askush që e ndjen veten shqiptar, bile unë do të thosha askush që e ndjen vehten njeri normal në këto hapësira, nuk është kundër ardhjes së shtatores së Idriz Seferit në Gjilan, në Prishtinë e kudo tjetër në trojet tona. Sa më shumë monumente të punuara mirë e të vendosura me vulën e mendjes së ndritur akademike, politike e kosmopolitane, aq më tē pasur do jemi për veti dhe aq më atraktiv do jemi për të tjerët.

Problemi është larg më i thjeshtë se që po e bëjnë disa nga ata që mund të bartin dozë tē tepruar të “atdhetarisë”, disa nga ata që kanë marrë detyra nga politikat ditore ose disa nga ata që janë me deficit të theksuar të informacionit për krejt temën për të cilën po flitet.

Problemi është te diskutimi publik që do të duhej të niste nga vet politika e komunës para se të merrej ndonjë vendim në kuvendin e saj. Nëse jo nga ajo (siç edhe u pa), atëherë diskutimi do të duhej me u nisë nga komuniteti i historianëve e akademikëve, nga komuniteti i kulturës e pse jo edhe nga organizimet tjera civile të komunës qysh ditën kur kryetari i komunës na “befasoi” me aktin e çmontimit të përmendores nē qendër të qytetit.
Fillimisht, reagimi i artistëve e pastaj edhe i qytetarëve të profileve të ndryshme në rrjetet sociale, rreth zhvendosjes sē përmendores në qendër të qytetit ishte edhe legjitim, edhe legal.

Është legjitim sepse qëndrimi i përmendores aty ne qendër të qytetit për 53 vite, e sidomos për këto 18 vitet në lirinë e Gjilanit e të Kosovës, asaj i ka krijuar të drejtën në hisen hapësinore dhe kohore të Gjilanit.

Është legal sepse e drejta për të reaguar dhe për të protestuar paqësisht, është e drejtë e garantuar me Kushtetutën e Kosovës dhe me ligjet që derivojnë prej saj. Me të gjitha kartat evropiane e botërore për të drejtën pēr të protestuar, poashtu.

Fundamenti

Me ftesën për të protestuar edhe në vendin e ngjarjes nesër ne orën 14.00, një pjesë e qytetarisë së Gjilanit dëshmon që është përherë e zgjuar dhe aktive, pavarësisht që nuk e lexova se cili ishte këshilli që ftoi nē protestë.

Ky akt, është sa i mirë e normal, po aq dhe domethënës për demokracinë e një vendi.
Politikajte duhet te mësohen njëherë e përherë qe nuk mund te bëjnë çfarë te duan pa diskutim me publikun dhe pa marre vendime atje ku duhet, ne kuvende.

Reagimi që pasoi nga disa individë me kokat plotë “prush”, i kaloi kufijtë e një debati sadopak normal sepse u shoqërua me fyerje nga edhe më të ultat. Kjo i bën dëm debatit dhe demokracisë.

Reagoi edhe njëri nga organizimet e historianëve. Në vend të argumentimit të fuqishëm e bindës nëse duhet të qëndrojë aty monumenti i vitit 1964 ose jo, na servoi ironizim me kualifikimin e qytetarëve që reaguan kundër zhvendosjes me “nostalgjikë”, “demokratë” e “evropianë”. Kjo nuk i rrinë mirë sidomos argumentimit shkencor e akademik çfarë u pretendua nga ky organizim.

Pra, tema në të cilën duhet të kufizohemi këtyre ditëve është se nuk bën të ketë zhvendosje të pa autorizuar nga kuvendi i komunës i cili së pari do të duhej ta dëgjojë zërin e publikut para se të merr ndonjë vendim.

Të tjerat vijnë me rend…por, e trajtoj të rrugës e të momentit që ti bëj publikisht së paku tri pyetje të cilat në fakt paraqesin pyetjet e fillimit të diskutimit konstruktiv për temën e hapur.
1. Pse populli i Gjilanit nuk e kontestoi këtë shtatore në vitin 1999 dhe përgjatë krejt këtyre 18 viteve në liri?
2. Ku ishin qe 18 vite po këta historianë e politikaj që nuk e kontestuan në rrugë legale e faktuese këtë “monstrum” prej monumenti (siç po na e prezantojnë sot)?
3. Pse nuk ishin po kaq të zëshëm historianët e akademikët, poashtu në rrugë legale, për krijimin e kushteve rregullative për vendosjen e Idriz Seferit dhe të tjerëve në qytet?
Kaq.

E kontestimit me protestë të qetë e të kulturuar nesër në orën 14.00 i uroj sukses ka shkruar Qemajl Mustafa./rajonipress/