Qemajl Mustafa: Mustafa Shala ishte njeri humanist, kombëtar, i vendosur dhe progresiv për qytetin e Kosovën
Gjilan – Unë personalisht dhe shumica e qytetarëve tanë do ta kujtojmë përherë për urtësinë, për vizionin për zhvillim të ekonomisë dhe përgjithësisht për kontributin për shoqërinë e Gjilanit dhe më gjerë ka shkruar Qemajl Mustafa ish kryetar i Gjilanit.
Postimi i plotë:
Lajmi i djeshëm për ikjen (e hershme) në botën tjetër të afaristit e bashkëvendësit tonë Mustafë Shalës ishte i hidhur.
Me Mustafen dhe me vëllezërit e tij ishim njohur që nga vitet ’90-të të shekullit që shkoi e që ishin vite të rënda për të gjithë ne. Ishin vitet kur ishim skajshëm solidar mes veti, por sidomos ishim solidarë e mbështetës ndaj kërkesave të lëvizjes tonë kombëtare për çlirim e pavarësim me në krye Dr. Ibrahim Rugovën.
Siç e dëshmojnë të dhënat e OVL dhe bashkëveprimtarët, Mustafa pastaj ishte mjaftë aktiv edhe në mbështetjen dhe organizimin e UÇK në zonën tonë.
Edhe më mirë u njohëm me të pas ditës së çlirimit kur ishim plotë entuziazëm dhe kur të gjithë bënim përpjekje për ta ndihmuar themelimin dhe ndërtimin e shtetësisë së Kosovës.
Mustafa në këtë periudhë ishte pjesë aktive e shoqatës “Miqtë e TMK” dhe ndihmonte me krejt mundësitë që i kishte bashkë me aktivistin e hershëm Irfan Shaqirin dhe të tjerët. Ndihmonte bashkë me ne të tjerët edhe në përkrahjen e luftërave në Maqedoni e në Luginë poashtu. Secili me mundësitë që i kishte.
Mustafa ishte fjalëpakë, por mjaftë konkret dhe i saktë në marrjen e qëndrimeve dhe vendimeve të tij edhe kur ishte fjala për me e përkrahë di kënd si individ e si organizim, por edhe në marrëveshjet që i bënim për me i zhvillue aktivitetet në hapësirat e hotelit të familjes së tij.
Ka rastisur që i kemi mbetur borgj për kohë më të gjatë dhe përherë ishte tolerant jo vetëm ndaj nesh si organizatë politike, por edhe ndaj të gjitha organizimeve tjera të komunës e rajonit. Jemi munduar që edhe ne me korrektësi t`i shlyejmë obligimet (qoftë edhe me vonesë) dhe kemi qenë mirënjohës e falënderues përherë për tolerancën që e tregonte.
Komunikimi me të ishte i lehtë dhe me të mund të bënim marrëveshje lehtë e shpejtë. E kam idenë që kujt i besonte, i besonte shumë dhe e bënte këtë pa rezervë.
Në esencë, Mustafa ishte humanist dhe bashkëpunues në të gjitha iniciativat e mira për komunën, për rajonin dhe për kombin si tërësi.
Me Mustafën ndonjëherë edhe nuk jemi pajtuar për ndonjë çështje a ndonjë temë, por kjo veç sa e bënte diskutimin edhe më permbajtesor dhe më të dobishëm.
Mustafa e kishte një edukim të veçantë familjar e kombëtar, një edukim të traditës tonë pozitive dhe një edukim nga trendet moderne të shoqërisë tonë dhe më gjerë poashtu. Nuk ka ndodhur asnjëherë që të fliste keq e të përgojonte dikend kur zihej fjala në bisedat e rastit nëpër tavolina.
Ajo që shumicës prej nesh që e kemi njohur e që na ka ra në sy ishte harmonia, kompaktësia dhe qetësia brenda familjes së tij e cila me sa dukej edhe ishte çelësi i sukseseve të konsiderueshme të bizneseve të familjes Shala.
Me rastin e mbylljes së hershme të kaptinës së tij jetësore, familjes Shala i shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta me besimin që do ta kenë kurajon për me e përballua dhembjen dhe ftohtësinë që e ka lënë prapa mungesa fizike e Mustafes.
Ngushëllime poashtu miqve të familjes, bashkëpunëtorëve dhe të gjithë atyre që e kanë njohur Mustafen.
Unë personalisht dhe shumica e qytetarëve tanë do ta kujtojmë përherë për urtësinë, për vizionin për zhvillim të ekonomisë dhe përgjithësisht për kontributin për shoqërinë e Gjilanit dhe më gjerë.
Mustafa pushoftë në përjetësi në tokën e Gjilanit të tij dhe të Kosovës së tij!