Uji Dea

Qemajl Mustafa: Makineria linçuese e diskredituese e prokurorisë së Gjilanit dhe drejtësia e vonuar

/ 5 minuta lexim
Mobi Casa

Gjilan – Përkundër mjerimit që e ka pllakosur sektorin e drejtësisë së Kosovës, e kam thënë përherë që brenda tij, megjithatë, ka figura me integritet profesional, moral e njerëzor të cilat figura, janë të vendosura e të përkushtuara ta bëjnë punën e tyre me dashuri ndaj atdheut dhe ndaj njeriut të nëpërkëmbur të kësaj toke. Trupi gjykues i kryesuar nga gjykatësja Nushe Kuka – Mekaj ishte plotësisht në funksion të zbardhjes të së vërtetës dhe në funksion të përmirësimit të imazhit të drejtësisë kosovare i cili imazh është dëmtuar skajshëm me vite të tëra nga njerëz jokompetentë, lakmitarë e dolloveraxhi që janë kontrabandue brenda këtij sistemi për dy dekada me radhë ka shkruar Qemajl Mustafa.

Postimi i plotë i Qemajl Mustafës:

E dinim që ne në Gjilan, dikujt i kishim mbetur pengesë në rrugë dhe përmes plëngprishësve në prokurorinë e atëhershme të qarkut në Gjilan deshën të na eliminonin politikisht, profesionalisht e moralisht. Donin të na e mbulonin fytyrën me baltë dhe të na linçonin, me qëllimin e vetëm – mbijetesën politike të padronëve të tyre dhe të vetvetes.

Ç’është e vërteta, kjo strukturë kriminale e ka arritur qëllimin e vet sepse goditjet ndaj nesh kanë nisur 11 vite më parë, që nga viti 2011 e deri dje. Për 11 vite me radhë jemi goditur dhe jemi diskredituar përmes hetimeve, përgjimeve e intervistave të padrejta e të pabazuara në ligj. Jemi persekutuar me aktakuzë turpëruese për krim të organizuar e korrupsion në komunën e cila dallohej për pastërti, për transparencë e për punë të mirë e të drejtë në hapësirën e Kosovës.

Kjo që ka ndodhur dje, me vendimin e gjykatës themelore në Pejë, është drejtësi e kristaltë, por tepër shumë e vonuar. Këtë vonesë (të menduar mirë) e ka shkaktuar një sistem i drejtësisë kosovare që i është nënshtruar padijes, klientelizmit, javashllëkut, shantazhit, diskriminimit, favorizimit…

Vetëm trupi i fundit gjykues (i treti në këtë proces) ia dha rrugën e duhur këtij procesi, e rriti dinamiken e punës, rregullsinë dhe i doli deri ne fund për një vit. Në krejt gadi 5 vitet e kaluara luhej lojë pingpongu e procesi “mrizonte” duke na e bërë jetën aq të pakëndshme e të padinjitetshme të gjithë neve të akuzuarve padrejtësisht dhe të familjeve tona.

Turpi i mbuloftë përjetshëm ata që në prokurorinë e Gjilanit, të udhëhequr nga maskarai Jetish Maloku, i nisën 5 palë hetime njëkohësisht ndaj meje e paralel me mua edhe ndaj 38 zyrtarëve dhe afaristëve nga më të mirët që i pati komuna. U bënë hetime pa asnjë bazë të qëndrueshme të dyshimit prej vitit 2011 e deri në vitin 2017.

Mobi Casa

Ishin urdhrat politikë nga lartë dhe inatet primitive provinciale e personale të prokurorëve ndaj nesh, që e bënë këtë skandal juridik. Aspak më të mirë nuk u treguan ata të PSRK dhe hetuesit policorë plotësisht të orkestruar e injorantë që ishin nën kthetrat e prokurorëve qëllimkqinjë e të politikajve bastardë.

Mirënjohje meritore për trupin gjykues në gjykatën themelore të Pejës i cili pati aq shumë përkushtim e koncentrim për me ardhë deri te e vërteta e kulluar për neve 35 të akuzuarve padrejtësisht e të persekutuar me vite të tëra.

Mbrojtja e neve të akuzuarve, përkundër angazhimeve të dukshme individuale të disave prej tyre, për fat të keq, len ende shumë për të dëshiruar. Po të mos ishte vigjilenca e trupit gjykues për ta hulumtuar çdo fakt e çdo shkresë deri në imtësi, unë e them me plotë bindje që drejtësia do të ishte dukshëm e shtrembëruar dhe e munguar në rastin tonë.

Një mirënjohje të veçantë e dedikoj për të gjithë 38 të akuzuarit e tjerë (duke i theksuar këtu edhe dy prej tyre, të cilët vdiqën në ndërkohë dhe dy të tjerë që po shërohen jashtë vendit). Të gjithë ishin të rregullt në seanca që mbaheshin larg prej Gjilanit dhe të gjithë ishin plotësisht në nivel të dinjitetit e të integritetit të tyre, të familjeve të tyre dhe të komunës për të cilën punuan gjatë dhe mirë. Ishin po të njëjtit që e kishin bërë komunën e Gjilanit funksionale dhe të dalluar e të admiruar. Ju lumtë. Vërtetë keni qenë dhe jeni për lakmi.

Unë si ish kryetar i juaji, e pata kënaqësinë e veçantë që punova me ju disa vite me radhë për të mirën e komunës tonë dhe të qytetarëve të saj.

E them sinqerisht, më keni bërë krenar!
Dhe do të vazhdojmë të punojmë për Gjilanin me aq sa dijmë e mundemi deri në frymën e fundit (por përherë me qëllimin e mirë, me drejtësi e me dashuri të pastër për të).