Me pjesëmarrjen e ambasadorit italian, UBT promovon kulturën gastronomike të Italisë
Në kuadër të Javës së Kuzhinës Italiane në Botë, UBT, në bashkëpunim me Ambasadën e Italisë në Kosovë dhe me pjesëmarrjen e rektorit Prof. Dr. Edmond Hajrizi dhe ambasadorit Maurizio Antonini, organizoi një ligjëratë të veçantë me profesorin Fabio Amadei nga akademia prestigjioze italiane e artit kulinar, ALMA.
Në fjalën e tij, Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, theksoi rëndësinë që kanë shkenca dhe teknologjia e ushqimit, gastronomia dhe turizmi në zhvillimin akademik e shoqëror. Ai nënvizoi se Italia përbën një partner strategjik për UBT-në dhe se bashkëpunimi me universitetet e qendrat kërkimore italiane po zgjerohet vazhdimisht përmes projekteve të përbashkëta, shkëmbimit të njohurive dhe qasjeve ndërdisiplinore.
Nga ana e tij, ambasadori i Italisë në Kosovë, Maurizio Antonini, vlerësoi bashkëpunimin e vazhdueshëm me UBT-në, duke e cilësuar institucionin si një partner të besueshëm dhe të rëndësishëm në organizimin e aktiviteteve të përbashkëta në fushën e kulturës, ekonomisë dhe promovimit të traditës italiane. Ai vlerësoi gjithashtu angazhimin e UBT-së në zhvillimin e iniciativave që forcojnë lidhjet ndërmjet Kosovës dhe Italisë.
Ndërkohë, profesori Fabio Amadei, përgjegjës për programet e Kulturës Gastronomike dhe Qëndrueshmërisë në ALMA, ndau me studentët ekspertizën e tij mbi historinë e ushqimit, mbrojtjen e produkteve tradicionale agroushqimore dhe rëndësinë e zinxhirëve të qëndrueshëm të furnizimit. Përmes kësaj ligjërate, studentët patën mundësinë të njihen më nga afër me dimensionin shkencor e kulturor të gastronomisë italiane.

