RCCOLA

Qemajl Mustafa falënderon qytetarët e Gjilanit për përkrahje

/ 6 minuta lexim

Gjilan – Me rastin e transferimit të kompetencave te kryetari i ri zoti Lutfi Haziri, kryetari në detyrë Qemajl Mustafa ka falënderuar qytetarët e Gjilanit për përkrahje e bashkëpunim. Ju, qytetarë të nderuar jeni krijuesit e komunës së Gjilanit dhe bashkë me qytetarët tjerë të vendit jeni krijues të shtetit të ri të Kosovës. Ju falënderoj përzemërsisht për kontributin e mirë e të madh që i keni dhënë demokracisë së komunës dhe zhvillimit të saj material përmes investimit në buxhetin e komunës dhe të shtetit të Kosovës për këto gjashtë vite sa isha kryetari i juaj ka thënë Mustafa.

Në një njoftim drejtuar qytetarëve të Gjilanit kryetari në detyrë Qemajl Mustafa ka shprehur admirimin më të madh për përkrahjen që ka pasur nga qytetarët, shoqëria civile, partitë opozitare, mediet, grupet e ndryshme qytetare, kategoritë tjera të shoqërisë. “Më lejoni që në përfundim të mandatit të dytë të qeverisjes me komunën tonë t’ju falënderoj shumë dhe sinqerisht për përkrahjen e madhe që ma keni dhënë në të gjitha proceset zgjedhore në të cilat unë isha kandidati për kryetar të komunës që nga viti 2007 e deri sivjet në zgjedhjet lokale 2013. Zgjedhjet janë garë në të cilën dikush përherë bëhet fitues e dikush humbës, por qëllim i mbajtjes së tyre përherë është përparimi i shoqërisë përmes punës së mirë, por edhe përmes gjykimit të publikut për (mos)realizimin e pritjeve dhe kërkesave në mandatin që po ikë dhe përmes deponimit të besimit për ambiciet dhe pritjet në mandatin e ri”.

Mustafa ka thënë se ashtu sikur që u ndjeva krenarë dhe plotësisht i përgjegjshëm me fitoret e mia për kryetar të komunës së Gjilanit (me besimit tuaj) në vitin 2007 dhe 2009, ashtu e kam pritur me lehtësi verdiktin tuaj për ta bërë fitues për kryetar komune zotin Lutfi Hazirin për mandatin që po fillon, raporton rajonipress.

“Ju, qytetarë të nderuar jeni krijuesit e komunës së Gjilanit dhe bashkë me qytetarët tjerë të vendit jeni krijues të shtetit të ri të Kosovës. Ju falënderoj përzemërsisht për kontributin e mirë e të madh që i keni dhënë demokracisë së komunës dhe zhvillimit të saj material përmes investimit në buxhetin e komunës dhe të shtetit të Kosovës për këto gjashtë vite sa isha kryetari i juaj. Qeverisja ime ka qenë sfiduese sepse jetojmë në një kohë tranzicioni dhe në një shoqëri ende të varfër e me trashëgimi lënduese nga e kaluara. Me durim e përkushtim e kam pritur dhe dëgjuar secilin prej jush për gjashtë vite me radhë në zyrën time. I kam dëgjuar me kujdes problemet dhe kërkesat tuaja. Jam ndierë i mërzitur e ndonjëherë edhe i zhgënjyer kur nuk kam gjet qare për t’ju ndihmuar por, jam ndier tej mase i lumtur kur kemi arritur që të zgjidhim bashkë cilindo problem tuajin, prej kërkesave fare të vogla deri te ato më të mëdha e që ndonjëherë ishte ndonjë shërim më kompleks i ndonjë familjari tuaj ose zgjidhje të domosdoshme të çështjes së punësimit ose të banimit për familjet që ishin skajshmërisht keq” ka shtuar Mustafa.

Mustafa ka shtuar se qeverisja në nivelin lokal është e tillë. Të sfidon me një front të madh të problemeve nga më të ndryshmet por edhe ta sjell ndjenjën e veçantë të kënaqësisë kur ato probleme zgjidhen.

“Me këtë rast edhe njëherë dhe publikisht, kryetarit të zgjedhur i uroj mandatin e ri me dëshirën që ai të jetë plotësisht i përkushtuar në realizimin e pritjeve të qytetarisë tonë për një komunë edhe më të zhvilluar e më të bukur e sidomos për një komunë me sa më shumë vende të reja të punës secilin vit të ardhshëm. Gjithashtu, këshilltarëve të porsazgjedhur ju uroj mandatin e ri në Kuvendin e Komunës (KK) gjithnjë me bindjen se do të jenë plotësisht të përkushtuar në zbatimin e ligjit e të rregullave për ta përkrahur në vazhdimësi zhvillimin sa më dinamik e modern të komunës tonë”.

RCCOLA

Ju siguroj që unë, me eksperiencën time tashmë shumëvjeçare në punën e Kuvendit të Komunës por edhe si kryemenaxheri i saj për gjashtë vite me radhë do të jem i gatshëm që të kontribuoj në nxitjen e zhvillimit të demokracisë, të infrastrukturës e të ekonomisë së komunës tonë. “Këtë mund ta bëj drejtpërdrejtë si ndihmë dhe këshilldhënie kryetarit të komunës përmes grupit të ekspertëve por sidomos përmes komiteteve dhe kuvendit të komunës në të cilin PDK participon si opozitë e madhe me tetë (8) këshilltarë”.

Një falënderim meritor e kam rezervuar për drejtorët dhe menaxherët e lartë të komunës , por sidomos për qindra e mijëra shërbyes civilë e profesional në administratë, në shëndetësi e në arsim të cilët me punën e tyre të përkushtuar secilën ditë i kanë dhënë hov zhvillimit të komunës në të gjitha fushat e jetës.

U dalluam shumë herë për të mirë nga të gjitha komunat e Kosovës për këto gjashtë vite përkundër buxhetit themelor të limituar dhe investimeve të munguara këto vitet e fundit për projektet kapitale.

Natyrisht që unë isha kryemenagjeri dhe kryeorientuesi i procesit zhvillimor të komunës por, ua them me plotë sinqeritet merita kryesore u takon juve shërbyes të mirë të komunës tonë.

Ky trend jam i sigurt që nuk do të ndalet sepse qytetarët tashmë nuk lejojnë stagnim e aq më pak kthim prapa. Ata përditë e monitorojnë, e kritikojnë por edhe e ndihmojnë shumë qeverisjen e komunës.

Kemi krijuar për këto gjashtë vite progres të shënuar qoftë me projektet që kanë përfunduar, qoftë me ato që janë duke u zhvilluar. Kemi krijuar sidomos bazë të fuqishme projektuese me të cilën komuna ka aplikuar dhe mund të aplikojë në fondet qeveritare, te donatorët ose te kredituesit e mundshëm ndërkombëtar ka thënë në fjalën e tij drejtuar qytetarëve të Gjilanit Qemajl Mustafa./rajonipress/