Qëllimi dhe deviza e titistëve: Të nënshtrohet Shqipëria, të eliminohet Enver Hoxha

Nga Isuf Bajrami – Titoja kurrë nuk e kishte injoruar që rruga e pajtimit të plotë të tij me Hrushovin, kalonte nëpërmes likuidimit të kundërshtarëve të tij shqiptarë. Këtë dhuratë, Nikita Hrushovi, ishte i predispozuar t`ja bënte marshallit jugosllav, dhe për të arritur nënshtrimin e udhëheqjes së Tiranës, kishte vënë në përdorim, në pritje të realizimit të një puçi ushtarak, mjetet e presionit ekonomik Andre Fonten.
Për 50-vjet, titizmi dhe titistët, u përpoqën me të gjitha forcat dhe të gjitha mjetet, ta nënshtronin Shqipërinë, ta eliminonin Enver Hoxhën nga skena politike shqiptare. E filluan këtë qysh në kohën e luftës, duke nxitur etjet karrieriste, që tek një pjesë shqiptarësh, kanë qenë dhe janë shumë të zhvilluara. Pavarësisht se shqiptarët sot thonë të kundërtën, pavarësisht se sot shumë shqiptarë besojnë “përrallat” se ai ishte prosllav apo vegël e bindur e titistëve, janë të huajt antikomunistë që e pohojnë një gjë të tillë. Rexh Hiberti, ne librin e tij “Fitorja e hidhur”, thotë për sulmet e Stjoniçit, ndaj Enver Hoxhës se ato synonin që:” Hoxha të qethej sa t`i zvogëloheshin përmasat, kështu që Shqipëria të bëhej një pasuese e bindur e Jugosllavisë”.
Por titistët dështuan në planet dhe sulmet e tyre. Megjithëse ata e sulmuan vazhdimisht Shqipërinë, nuk e gjunjëzuan dot atë, nuk e bënë dot vegël të bindur të tyre. Megjithëse ata e sulmuan vazhdimisht Enver Hoxhën, nuk e s’postuan atë dot nga drejtimi i vendit në vitet e para pas çlirimit.
Mbas vitit 1948, titistët, ndoqën ndaj Shqipërisë, rrugën e përmbysjes me dhunë të Partisë së Punës. Ata ishin bashkëpjesëmarrës në planet e anglo-amerikaneve, për përmbysjen e pushtetit në Shqipëri. Në ndihmë të tyre shërbyen dhe një pjesë shqiptarësh që u arratisën nga Shqipëria si antikomuniste, të cilët pranuan të vihen në shërbim të U.D.B-së, për të rrëzuar pushtetin shqiptar. Shumë prej tyre sot priten me nderimet e martireve të demokracisë në Shqipëri dhe u jepen dekorata. Kjo nuk është rastësi, por pjesë e një plani të caktuar dhe të përpunuar mirë.
Në vitin 1956, Josip Broz Titoja, në fjalimin e mbajtur në Pulë të Jugosllavisë, bëri thirrje të hapur për përmbysjen e Enver Hoxhës.
Në vitin 1960, Aleksandër Rankoviçi, shefi i U.D.B-së jugosllave në fjalimin e mbajtur në Sremska-Mitrovica, në praninë edhe të ambasadorit sovjetik, përsëriti thirrjet, për përmbysjen e pushtetit popullor në Shqipëri. Keto sulme dhe plane, vazhduan dhe më vonë për të patur një kulm në vitin 1987, kur Enver Hoxha, tashmë kishte Vdekur.
Në vitin 1987, propaganda serbe, qoftë me anë të plenumeve të ish-L.K.J-së, qoftë me anën e shtypit, zhvilloi një fushatë të shfrenuar, kundër Shqipërisë. Ajo bënte thirrje që sa më parë, shqiptarët të hidhnin poshtë atë, të largoheshin nga rruga e tij dhe të pajtoheshin me pikëpamjet jugosllave. Në atë periudhë shqiptarët ua dhanë përgjigjen shovinistëve serbë. Të tërbuar nga ky qëndrim i shqiptarëve, shovinistët serbë kaluan në sulme më të tërbuara.
Në muajin janar, 1990, me anë të Radio-Titogradit, ata kërcënuan hapur duke thënë: “Ec përpara Sllobodan, po qe nevoja deri në Tiranë.” Dhe në këtë periudhë Shqipëria , me në krye, Ramiz Alinë, ua dha përgjigjen. Nuk do të kalonin, veçse pak kohë dhe shqiptarët, do ta realizonin që të gjitha porositë e titistëve, ndaj Enver Hoxhës, bile do t`i kapërxenin këto porosi. Natyrisht me terma të tjera. Që të gjithë, demokrat, socialistë, republikanë, social-demokratë, demokristianë, zogistë, ballistë, Nacional-Demokratë etj. më në fund e realizuan amanetin e Titos; hodhën poshtë të kaluarën e tyre, hodhën poshtë Enver Hoxhën. Shumë e hidhur kjo e vërtetë.
Megjithatë dhimbja e së vërtetës është gjithmonë më e lehtë se dhimbja e mashtrimit. Ata deklaruan se ai është armiku më i madh i kombit shqiptar.
Ata deklaruan se enverizmi është më i rrezikshëm se çdo gjë tjetër për shqiptarët. Ata deklaruan se “Titoja ishte më i mirë se Enver Hoxha, pasi ishte një marksist liberal”Sali Berisha.
Në intervistën e botuar në gazetën “Rilindja” të datës 2-Korrik 1994, Ismail Kadareja midis të tjerash flet për pohime që dëgjohen sot në Shqipëri, si “Skënderbeu kishte bërë gabim që kishte luftuar kundër turqve”. Ai e konsideron këtë si mbirje të farës se tradhtisë. Por në Shqipëri, sot nuk dëgjon dhe lexon vetëm aq sa thotë Kadareja.
Në Shqipëri dëgjon të thuhet dhe të shkruhet se shqiptarët bënë gabim që luftuan në luftën e dytë botërore, kur u ngrit në këmbë gjithë bota antifashiste.
Në Shqipëri dëgjon të thuhet se do ishte më mirë që Shqipëria të bëhej Republikë e shtatë e Jugosllavisë. Edhe për këtë, pse nuk lejoi që të realizohej plani i Titos dhe shokëve te tij, Enver Hoxha është tradhtar. Megjithatë, as Kadareja, as Qosja, as Agolli, asnjë politikan dhe lider partiak në Shqipëri, këtë nuk e konsideron farë të tradhtisë. Dhe “mirë” e kanë. Nuk mund të merret në mbrojtje “tradhtari”. Për të bërë të vlefshme suksesin e luftës kundër tij, çdo gjë vlen. Vlen dhe pohimi “se më mirë republikë e shtatë e Jugosllavisë se nën Enver Hoxhën”.
Gjatë sundimit të Titos, UDB-ja jugosllave zhvilloi një luftë të egër për përmbysjen e pushtetit në Shqipëri. Mjafton të përmendim faktin se në vitin 1953, në Jugosllavi, shkuan rreth 10-mijë shqiptarë që u arratisën nga Shqipëria si antikomunistë. Këta të arratisur, shovinistët jugosllavë, u përpoqën t`i organizonin për t`u përdorur si diversantë në Shqipëri. Për realizimin e këtij plani armiqësor u ngarkuan dy veta; Dushan Mugosha dhe koloneli i U.D.B-së jugosllave, Çedo Mijoviç.
Një pjesë e këtyre të arratisurve pranuan të vihen në shërbim të jugosllavëve, ndërsa shumica e tyre, megjithëse ishin kundër komunizmit, nuk pranuan të bëhen mish për top, për shovinizmin jugosllav.
Në librin e botuar me titull “UDB-ja dhe shqiptarët në Amerikë”, që janë kujtimet e një të arratisuri midis të tjerash thuhet se “Gjeneral Dushan Mugosha e Kolonel Çedo Mijoviç, me shokë, vrapuan në qendra të emigrantëve duke mbajt fjalime dhe duke dhënë udhëzime, për me u ba gati për çlirim të Shqipërisë…Mirëpo studentët shqiptarë emigrantë në Beograd, kundërshtuan pa dashtë me ditë çka i priste nga UDB-ja…Kosovarët ishin kundër çdo veprimi kundrejt Shqipërisë. Emigrantët i urrejshin jo vetëm pse kishin ikur prej Shqipërie, por dhe për sjellje të keqe në popull”. (Fatmir Kosova. UDB-ja dhe shqiptaret në Amerikë faqe 23-24).
Gjatë sundimit të Titos, në trojet shqiptare në ish-Jugosllavi, u vranë apo u masakruan me qindra e mijëra shqiptarë, që kërkonin të drejta kombëtare për trojet e tyre njësoj si dhe kombet e tjera të Jugosllavisë. Por një gjë është interesante. Në shkrimet gjatë viteve 1990-1994, në shtypin shqiptar, askush prej këtyre “patriotëve”, nuk ka shkruar një rresht për këto krime dhe të akuzojë Titon dhe titizmin për ato. Vetëm për Enver Hoxhën dhe krimet e tij. Bile dhe për shumë krime që kanë ndodhur në Kosovë apo Maqedoni, dhe aty është gjetur dora e tij.
Ndërkaq, janë frikacake dhe të pazote të denoncojnë krimet e përbindshme të titizmit ndaj shqiptarëve, apo planet e tij për asimilimin e tyre. Megjithëse e mbajnë veten për patriotë dhe atdhetarë dhe gjoja u digjet zemra për fatin e shqiptarëve në ish-Jugosllavi, askush nuk ka marrë mundimin sot në Shqipëri, të botojë dhe t`i kundërvihet referateve famëkeqe të ultra shovinistit serb Vaso Çubrilloviç, që përbënin platformën e titizmit ndaj shqiptarëve dhe kërkesave të tyre kombëtare.
Ndërsa “anti kosovari” Enver Hoxha, qysh në vitin 1979, dha urdhër që në të gjithë Shqipërinë, populli të njihej me këtë referat. Elaborati i Vasa Çubrilloviçit ishte i plotësuar me një studim të gjerë që sqaronte popullin se si titistët e kishin zbatuar këtë referat. Ai ishte i shoqëruar me sqarimin se ky Elaborat “Ruhet në shtabin e përgjithshëm të ushtrisë jugosllave, dosja 7, kutia 19 dhe trajtohet si material sekret”.
Ndërsa “atdhetarët” e sotëm, në muajin maj 1994, bënë një deklaratë në Kuvendin e Shqipërisë, ku kërkuan që Enver Hoxha, të gjykohej pas vdekjes dhe të shpallej armik edhe ligjërisht. Është fitorja më e madhe që kanë arritur shovinistët serbo-greke, ndaj shqiptarëve. Pas 50-vjetëve, me anë të “shqiptarëve” dhe të fshehur pas “demokracisë”, me në fund e “mposhtën” enverizmin dhe e eliminuan atë. Por jo edhe Shqipërinë.