Qasje eseistike… drita poetike që vjen nga plagët

Nga Timo Mërkuri – Ka plagë që nuk lënë shenjë në trup, por ndizën dritë në poezi. Kështu në poezinë e Albina Idrizit, fjala nuk kërkon zbukurim, por shërim. Ajo nuk i këndon dhimbjes që ta madhërojë, por e le të marrë frymë, e le të qëndrojë aty ku ndodh, te trupi i plagosur, te shpirti që lëndohet. Dhe kur poezia flet, nuk bërtet. Ndriçon me heshtje.
Në poezinë “Pemët u ngjajnë njerëzve”, pemët nuk janë thjesht pjesë peizazhi; ato janë si pasqyra të brendshme të njeriut. Rrënjët e tyre zgjaten në kujtesë, trungjet mbajnë në lëkurë heshtjen dhe durimin. Është një poezi që nuk të kërkon duartrokitje, por ndalesë. Një çast për të dëgjuar jo atë që thotë poezia, por atë që ndjen ti përballë saj. Sepse në këtë poezi, njeriu bie, jo gjithmonë nga vetja dhe ngrihet, jo përherë vetë.
I -Poezia e Albina Idrizit shfaqet si një udhëtim i heshtur i njeriut ndërmjet rënies dhe ringritjes. Ajo është një rrugëtim i qetë reflektimi, një shteg që ndjek gjurmën e njeriut, kur ai rrëzohet, kur thyhet, por nuk ndalet së ngrituri. Brenda këtij udhëtimi, poetja formëson me finesë një ndjeshmëri të thellë njerëzore. Metafora e pemës, që i ngjan njeriut nuk është thjesht krahasim, por një mënyrë për të parë jetën. Rrënjët nuk lidhen vetëm me tokën, por me qenien. Trungu, me të gjitha shenjat mbi lëkurë, ruan kujtimet e asaj që ka ndodhur: plagët, por edhe dritën që mbin prej tyre.
- Kur poezia thotë:“Se bie edhe njeriu / Rrëzohet / Jo gjithmonë nga vetja / Jo përherë në vete” ajo nuk bën zhurmë. Nuk lëshon britmë. Thjesht të fton ta dëgjosh të vërtetën , se ndonjëherë njeriu bie (rrëzohet) jo nga dobësia, por sepse dikush e ka shtyrë, sepse terreni është i rrëshqitshëm, sepse dora që duhej ta priste nuk ishte aty. Trungu, që ndoshta dukej si mbështetje, kthehet në pengesë. Guri, që pritej të ndihmonte, bëhet shkak për rrëzim. Rënia këtu shfaqet si një gjethe që bie në heshtje. Megjithatë edhe në këtë rrëzim s’ka dramë të stisur. Ka një dhimbje që nuk e tërheq vëmendjen, por e ruan dinjitetin. Një dhimbje që hesht, por që s’të le pa dëgjuar.
- Në vargun “Toka bëhet rrugë / si dëshmi”, lexojmë një ide të bukur: toka nuk e fsheh njeriun kur ai bie. Nuk e mbulon si të ishte dështim, përkundrazi, e ruan si kujtim. Aty ku je rrëzuar, mbetet një gjurmë dhe kjo gjurmë nuk është për të të turpëruar, por për të treguar rrugën nga je kthyer. Po kështu, është edhe një mësim për ata që vijnë pas: se çdo njeri mund të bjerë, por është e rëndësishme ku dhe si ngrihesh. Rënia është pjesë e ecjes, pjesë e udhës, prandaj shenjat nuk fshihen, ato ruhen si dëshmi e asaj që ka ndodhur, jo për t’u përmendur me dhimbje, por për t’u përkujtuar me butësi dhe për tua treguar të tjerëve që të mos rrëzohen dhe ata.
- Kur lexojmë vargjet:“Me diademë prej drite / Ku është thyer / Prej kënge / Ku është grisur / Prej njeriut të ri / Ku është gjakosur”, kuptojmë se poezia nuk kërkon të na tregojë plagët për t’u ankuar. Ajo na tregon se atje ku është dhimbja, lind drita. Aty ku është thyerja, lind kënga. Dhe prej dhimbjes, shfaqet një njeri i ri. Është një ngritje pa zhurmë, një ringjallje e heshtur, por e qëndrueshme.“Revolucioni i heshtur” nuk ndodh në sheshe, ai ndodh brenda njeriut. Dhe kjo heshtje është më e fortë se çdo fjalim.
Edhe vargu “Prej njeriut të ri” sjell në mendje tonin e thellë të Migjenit. Por ndryshimi qëndron te zëri: ndërsa Migjeni bërtet për ta zgjuar njeriun, Idrizi e zgjon me dritë. Jo me thirrje, por me kujtesë. Jo me revoltë, por me mirësi. Dhe po aq i fuqishëm është ky zë. Në thelb, vargu “Prej njeriut të ri” është një pasqyrim poetik i së njëjtës ide që bart edhe Migjeni: njeriu i goditur nga jeta, por që nëpërmjet ndërgjegjësimit shndërrohet në qenie të re, më njerëzore. Kjo e bën vargun të mbajë rezonancë të qartë migjeniane, edhe pse me një gjuhë më të zbutur dhe meditative, tipike e Idrizit. Kjo rezonancë vijon edhe te vargu tjetër: “E ngrihet njeriu”, që në kontekstin migjenian lexohet: “Të lindet njeriu” .
- Në të njëjtën mënyrë si rënia nuk vjen gjithmonë nga brenda njeriut edhe ngritja ndodh përtej forcës sonë personale: “Jo gjithmonë nga vetja/Jo përherë në vete/Nganjëher/Kapur për një trung/Mbështetur për një gur/Mbajtur për një krah / Të pritur.” Në këto vargje fshihet thelbi i kësaj poezie: asgjë nuk ndodh vetëm. As rënia, as ngritja. Metaforat e Trungu, guri, krahu, që mund të kenë qenë pengesë tani bëhen mbështetje. Dhe kjo mbështetje është pa fjalë, pa deklarata, është thjesht prani. Është ai tjetri që të mban, kur ti vetë nuk ke më forca.
Në këtë poezi, njeriu është pemë mes pemëve, rritet me dritën e vet, por edhe me hijen dhe dorën e tjetrit.
II-
Ka një varg në këtë poezi që ndriçon si nyje ku lidhen të gjitha fijet: “E ngrihet njeriu”, një ngritje që vjen pas dhimbjes, pas thyerjes, pas asaj që poetja e quan “prej njeriut të ri”. Por ky njeri i ri nuk është figura boshe e fjalimeve politike të dikurshme. Nuk është ndërtuar nga retorika, por nga plagët. Ka kaluar nëpër këngë dhe nëpër heshtje. Ka qenë i ndihmuar nga të tjerët, siç ndihmohet njeriu kur nuk ka ku të mbahet.
Poetja nuk e sheh këtë ngritje si triumf personal. Ashtu si rënia, edhe ringritja ndodh së bashku. Dhe këtë ide ajo e thotë me shumë finesë te vargjet: “Nganjëherë / Kapur për një trung / Mbështetur për një gur / Mbajtur për një krah / Të pritur”. Ky varg është zemra e poezisë. Sepse aty kuptojmë se njeriu nuk ngrihet vetëm nga forca e vet. Një krah që të pret nuk është thjesht ndihmë, është shpëtim. Një gur që të mban nuk është thjesht mbështetje, është një ftesë për të vazhduar rrugëtimin përpara. Dhe një trung ku kapesh, nuk është më thjesht pemë, por një tjetër qenie që të njeh dhe të pranon.
Në këto vargje fshihet një traditë e heshtur, jo në formë, por në frymë. Një ndjeshmë -ri që e vendos jetën e njeriut jo si të ndarë, por si pjesë të një bashkësie. Albina Idrizi nuk e trajton njeriun si të vetëmjaftueshëm, por si një qenie që ka nevojë për tjetrin. Ajo na kujton atë që shpesh e harrojmë në kohët e sotme: asgjë nuk lind vetëm prej një njeriu. As dashuria, as përparimi, as mbijetesa, as fitorja. Të gjitha mbajnë vulën e të tjerëve që janë aty, pranë, afër, me duar të zgjatura drejt nesh për ndihmë.
Ky kolektivitet nuk është ai i përfytyruar në ideologjitë e zhurmshme të së kaluarës, ku individi zhdukej për hir të masës. Është një kolektivitet njerëzor, i butë, i ngrohtë, ku një dorë që të ndihmon është si një univers që të hapet. Në këtë botë, ti nuk je më vetëm për të qenë vetvetja. Ti bëhesh vetja vetëm nëpërmjet tjetrit. Dhe atëherë, kur poezia thotë: “Të ngrihet / Të shkundet / Është një revolucion i heshtur” ajo nuk mendon për ndonjë përmbysje që ndodh jashtë, ky revolucion është i brendshëm. Ai ndodh pikërisht aty ku njeriu është rrëzuar. Ai ndodh kur një dorë e zgjatur drejt teje të pret të mos rrëzohesh dhe një zemër të kupton. Ky revolucion i heshtur nuk ka parulla. Ai ndodh në shpirt, në atë çast të fshehtë kur dikush zgjedh të mos qëndrojë i rrëzuar, por të ringrihet, ndoshta vetëm sepse është pritur.
Ky është edhe morali i pashkruar i poezisë, një etikë e heshtur e bashkëjetesës, ku njeriu dhe njeriu e bëjnë njëri-tjetrin të afërt, të kuptueshëm, solidarë. Dhe kjo është një ndjeshmëri shumë shqiptare, e ruajtur në rrënjët e jetës në bashkësi. Edhe pse poezia nuk përdor forma të vjetra, mbart një thelb tradicional: atë të solidaritetit. Dhe kjo nuk është thjesht temë, por frymë që përshkon poezinë. Aty gjen kujtimin e punëve të përbashkëta të dikurshme kur njerëzit ndihmonin njëri-tjetrin për të korrur, për të ngritur një shtëpi, për të kapërcyer një fatkeqësi. Gjen gjithashtu rezonancën e atyre beslidhjeve historike të shqiptarëve në momentet vendimtare, jo për të luftuar për lavdi individuale, por për të mbijetuar së bashku në liri në vendin e tyre të përbashkët. Albina Idrizi nuk shkruan për heronj dhe as për betejë. Ajo flet për përpjekjen e përbashkët për të mos mbetur i rrëzuar. Dhe pikërisht për këtë arsye, kjo poezi i përket asaj linje të heshtur të poezisë shqipe që nuk ulërin, por kujton. Nuk thërret për revolucion të madh, por e ndërton atë në zemrën e një njeriu të thjeshtë.
Dhe kështu, njeriu ngrihet:“Jo gjithmonë nga vetja / Jo përherë në vete”, sepse jeta është një rrjet rrënjësh dhe degësh që prekin njëra-tjetrën , si pemët. Si njerëzit.
III-
Në poezinë e Idrizit, ka një përkulje të lehtë, të heshtur, si një frymë që ndalet për pak mbi fjalë. Një trishtim i butë e përmbajtur, që i afrohet dhimbjes migjeniane, por pa klithmën e revoltës – më shumë si jehonë që vjen nga brenda, sesa si thirrje që kërkon vëmendje. Në këto vargje nuk ka përballje të drejtpërdrejta, por një bashkëje-tesë të thellë me atë që është e përkohshme dhe e brishtë tek njeriu. Trupi rrëzohet, shpirti përkulet, por diçka, një dritë e qetë, mbetet dhe ngrihet. Dhe kjo nuk ndodh mbi një shtrat emocionesh të shpejta, por mbi një truall të qetë meditimi, ku fjala nuk do të jetë as zbukurim, as urdhër, por thjesht përvojë e ndjerë.
Poezia “Pemët u ngjajnë njerëzve” është dëshmi e kësaj qasjeje: ajo nuk flet për botën me retorikë, por e ndien atë, siç ndihen rrënjët në tokë, siç e ndjen njeriu lëkurën e trungut ku mbështetet. Vargjet e saj nuk kërkojnë të thonë gjithçka. Ato thonë aq sa duhet… dhe lënë hapësirë për më shumë.
Në zemrën e kësaj poezie rreh një filozofi njerëzore e ndërtuar mbi përkuljen, mbi rënien që nuk është fund, por fillim, dhe mbi ngritjen që vjen me ndihmën e tjetrit. Kjo mënyrë e të menduarit e përkujton thellësinë e atyre mendjeve që nuk i ndanë kurrë ndjenjën nga mendimi, siç ishte poeti dhe filozofi Novalis, që e quante poezinë “filozofi e fshehur në ndjenjë”. Për të, poeti ishte një filozof i heshtur, ndërsa filozofia -një poezi që fliste në mënyrë të përmbajtur. Pikërisht këtu mund të vendoset natyrshëm edhe poezia e Idrizit: ajo nuk është thjesht ndjenjë që kërkon të shpërthe-jë, por një mendim që frymon në mënyrë poetike.
- Që në vargjet e para, poetja nuk na jep një krahasim të bukur për efekt stilistik. Ajo ngre një lidhje të thellë mes njeriut dhe pemës.“Pemët u ngjajnë njerëzve”, thotë ajo, dhe menjëherë pason: “Jo gjithmonë nga vetja /Jo përherë në vete”. Njeriu nuk është një qenie e mbyllur në vetvete. Ai ndikohet, preket, rrëzohet, jo vetëm nga brenda, por edhe nga jashtë: nga trungu, nga guri, nga dora e huaj që e pengon në çastin më të papritur. Realisht kjo mënyrë e të parit të jetës nuk është koncept; është përvojë. Rënia nuk është humbje. Është një shenjë në tokë, një vendkujtim. “Bie / dhe toka bëhet rrugë / Si dëshmi.” Në vend të turpit, mbetet kujtesa. Në vend të dënimit, mbetet rruga për të tjerët që vijnë pas.
Si tek Novalis, edhe këtu çdo përjetim është një copëz e vërtetë që nuk i përket vetëm një njeriu. Rënia nuk e ndalon ecjen. Përkundrazi, e nxit një fillim të ri.
- Në botën e kësaj poezie, ngritja nuk vjen me zë të lartë. Ajo vjen në heshtje, si një kthesë që ndodh thellë, në vetvete: “Të ngrihet / Të shkundet / Është revolucion i heshtur”. Këto fjalë nuk kërkojnë force, ato kërkojnë pranim dhe një përpjekje të butë, por të palëkundur. Ngritja është një lëvizje që ndodh pas dhimbjes, jo përku-ndër saj. Është pikërisht kjo mënyrë e të kuptuarit që e bën poezinë e Idrizit të ngjajë me atë mendim poetik që Novalis e quante “ringjallje me dritë”.
- Në vargjet: “Me diademë prej drite / Ku është thyer / Prej kënge / Ku është grisur / Prej njeriut të ri / Ku është gjakosur”drita nuk vjen prej qiellit, ajo vjen nga vendi i plagës. Kënga lind aty ku është thyer heshtja. Njeriu i ri ngjizet aty ku është rrjedhur gjak, ndaj themi se drita që del nga plaga është përfytyrimi më i butë i rilindjes shpirtërore.
Idrizi nuk ngre monumente mbi dhimbjen, por e pranon atë si pjesë të rritjes. Rritja, sipas saj, nuk ndodh përkundër plagës, por nëpërmjet saj. Kjo ide është afër asaj që filozofia e quan metafizikë poetike, përfytyrimi se aty ku thyhesh, mund të rilindësh. Kur filozofi flet për absurditetin, ndoshta është pikërisht poeti ai që i përgjigjet me një dritë që shfaqet “ku është thyer”. Këtu poezia nuk është më art i fjalës. Bëhet zbulesë. Bëhet lutje. Dhe filozofia hesht, për të lënë të flasë ndjesia.
- Poezia mbyllet me një kthim të qetë te njeriu që rritet – jo vetëm nga vetja:“E ngrihet njeriu / Rritet / Jo gjithmonë nga vetja / … / Mbajtur për një krah / Të pritur.” Këtu, ngritja nuk është arritje personale. Është akt që ndodh në lidhje me tjetrin. Një dorë që të pret të mos rrëzohesh është më shumë se ndihmë, është bashkëqenie. Këto vargje shfaqin një mendim të thellë: se njeriu nuk është vetëm një “unë”, por një “ne” i pashprehur. Një pjesë e një bashkësie që të mban edhe kur nuk ke fuqi për të qëndruar vetë.
Dhe kështu, në poezinë e saj me tonalitet të përmbajtur, Albina Idrizi nuk shpall filozofi; ajo e ndjen atë. Nuk e thotë mendimin me fjalë të mëdha, por e ngre me fjalë që kanë frymuar gjatë. Dhe në këtë udhë të heshtur, ku rrëzimi bëhet rrënjë, dhe ngritja bëhet dritë, poetja ndjek një shteg që ka qenë dhe mbetet mënyra më njerëzore për të menduar: përmes poezisë. Siç do ta thoshte Novalis: kur filozofia hesht, poezia flet më saktë.
IV-
Në poezinë e a Idrizit, fjala është e ngrohtë – jo nga emocionet që shpërthejnë, por nga mendimi që rri pezull në brendësi. Është një fjalë që bart ndjenjën, por nuk ndalet në të. Ajo nuk kërkon efektin estetik si qëllim, por kuptimin që lind natyrshëm nga rrënjët e përvojës. Në këtë udhë të heshtur poetike, shfaqen disa risi që e dallojnë zërin e saj në peizazhin e sotëm letrar. Ato nuk bërtasin për të tërhequr vëmendjen, por hapin dritare për të parë më thellë.
1.Që në fillim, poezia vjen si mendim i heshtur, jo si shpërthim emocional, ajo nuk ofron një krahasim për zbukurim, ajo e afron si meditimi i qenies. “Pemët u ngjajnë njerëzve” – tingëllon qetë, si një pohim që ndalet mbi ne me përulësi. Ky varg nuk është thjesht hyrje stilistike, por një nisje e mendimit. Ai na çon drejt thellësisë së qenies, atje ku njeriu nuk bie nga dobësia, por sepse ndonjëherë preket, rrëzohet, shtypet nga diçka që nuk varet prej tij.“Se bie edhe njeriu / Jo gjithmonë nga vetja / Jo përherë në vete.”
Këto vargje nuk janë vetëm për të shfaqur një ndodhi. Ato ngrejnë pyetje mbi fatin, mbi rastësinë, mbi ndërlidhjen mes njeriut dhe gjithçkaje që e rrethon. Dhe në këtë mënyrë, poezia e Idrizit nuk rri në sipërfaqen e emocioneve, por zbret në reflektim të qetë mbi të qenit.
2.Në poezinë e saj, rënia nuk është kapitull i mbyllur, ajo është kthesë, jo fund. Është ndalesë. Është kthesë, ndaj në atë nuk ka trishtim të madh, nuk ka glorifikim të dhimbjes:“Bie / dhe toka bëhet rrugë / Si dëshmi.”Toka këtu nuk mbulon, por kujton. Rënia nuk është turp. Është një pikë nga ku mund të fillojë përsëri ecja. Kështu, edhe mendimi filozofik për shndërrimin e vuajtjes në rritje, nuk vjen si teori, por vjen si ndjenjë që është bërë vetëdije; si një rrugë që është ndjerë në trup. Kjo e bën poezinë e Idrizit të ndryshme nga shumë zëra të tjerë që trajtojnë dhimbjen si peshë të vetmuar. Këtu, ajo është udhë. Një hap i heshtur drejt dritës.
- Në këtë poezi, njeriu nuk është hero i vetëm ndaj dhe ngritja nuk vjen si heroizëm, por si bashkëecje. Ngritja është një akt i përbashkët, një kthim në këmbë që ndodh me ndihmën e tjetrit. Dhe vetë poezia e thotë me qartësi: “Jo gjithmonë nga vetja / Jo përherë në vete” Në këto vargje, është e qartë: fuqia nuk vjen gjithnjë nga brenda. Ndonjëherë, është një dorë që të mban, një shikim që të pret, një fjalë e pathënë që të jep guxim.
- Në vargjet:“Nganjëherë / Mbajtur për një krah / Të pritur” ndjejmë një nga mome-ntet më të thella të kësaj poezie. Njeriu këtu nuk është I vetëm si një ishull në mes të detit. Ai është një marrëdhënie e vazhdueshme, një ecje e ndihmuar, një qenësim që ekziston vetëm nëse është pritur për të mos u rrëzuar. Ky kolektivitet nuk është as ideologjik, as retorik. Është thellësisht njerëzor. I heshtur, por i domosdoshëm. Dhe kjo është një nga ndryshimet më të rëndësishme nga moderniteti poetik, ku ndonjëherë vetmia dhe mbyllja në vetvete janë kthyer në modë. Idrizi na rikujton: njeriu është në dialog me tjetrin. Dhe ky dialog nuk ka fjalë të mëdha, ka duar që zgjaten drejt teje për të të ndihmuar, ka prani të tjetrit të largosh vetminë.
- Në një nga vargjet më të bukura të poezisë, shfaqet ideja se njeriu i ri nuk vjen nga fitoret e mëdha, por nga vendi i plagës:“Me diademë prej drite / … / Prej njeriut të ri / Ku është gjakosur”. Jemi mësuar me teorinë e e llojit lejfenist të njeriut të ri, por këtu kemi një tjetër qasje. Poezia nuk e fsheh dhimbjen, as e mbulon me metafora. Ajo e njeh, dhe pikërisht aty e vendos fillimin. Kjo është një risi në poezinë shqiptare – të mos rrëfehet njeriu që rrëzohet, por ai që rritet nga thyerja. Kjo nuk është poetikë e ankthit, as e klithmës. Është një ndriçim që vjen nga plagët, si kënga që del nga dhimbja. Njeriu i ri lind jo përkundër dhimbjes, por përmes saj. Dhe nga ky proces lind një njeri më i përmbajtur, më i ndriçuar, më i njerëzishëm. Një njeri shpirtërisht i rilindur. Nga kjo mësojmë se prej plagës nuk del vetëm dhimbja, del sidomos fjala që ndriçon.
- Së fundi, një nga risitë më të dallueshme të poezisë së Idrizit
është gjuha. Ajo nuk është e stolisur për efekt. Nuk kërkon të mahnisë. Përkundrazi, është e qetë, e matur, por e thellë. Fjala këtu nuk endet në sipërfaqe. Ajo zhytet pa zhurmë në thellësi. Nuk ka stërhollime stilistike, as figura të mbingarkuara. Ka thjeshtësi që të mban peshë. Ka filozofi që nuk kërkon të bjerë në sy, por synon të rrijë me ty pasi mbaron leximi.
Idrizi nuk i flet mendjes me ftohtësi filozofi, as zemrës me ndjeshmëri të trishtuar. Ajo i flet qenies, atij vendi të brendshëm ku mendimi dhe ndjenja nuk dallohen më.
Në fund të këtij udhëtimi poetik, ku fjala nuk është zbukurim, por frymë që vjen nga thellësia, poezia e Idrizit na kujton se arti i vërtetë nuk i mjaftohet dukjes. Ai zgjat dorën dhe hyn atje ku ndodhin përplasjet më të qeta dhe më të vërteta të njeriut, me veten, me botën, me atë tjetri që ndonjëherë mungon, ndonjëherë pret.
Dhe kur poezia takon filozofinë, ndodh e kundërta e asaj që pritet: ajo nuk ftohet, por ndizet. Fiton thellësi, jo për t’u stërholluar, por për të zgjatur më shumë në mendje dhe në zemër. Aty ku vargu nuk kërkon të ndriçojë me shpejtësi, por të mbetet si një dritë e qetë që s’të lë vetëm.
Në këtë poezi, plagët nuk mbulohen, as nuk shpallen. Ato pranohen. Dhe është kjo mënyrë e të kuptuarit që e bën poezinë të mos jetë thjesht ndjenjë, por urë. Një mënyrë për të jetuar më thellë, më me kujdes, më me mirësi ndaj vetes dhe tjetrit. Idrizi nuk na jep parime, por rrugë. Nuk na ngre gur filozofik, por na fton të ulemi pranë një trungje dhe të dëgjojmë. Fjala e saj nuk është oratori, është bisedë e brendshme. Një poezi që nuk të kërkon ta adhurosh, por ta ndjesh. Dhe kur e ndjen, e mban mend.
Kjo është arritja më e heshtur dhe më e vyer që mund të ketë një poezi sot: të të mbetet në shpirt, jo si zbukurim, por si kujtim që të mëson si të ngrihesh, si të rrish pranë, si të presësh një tjetër që të kapet për krahun tënd. Dhe kjo është ndoshta mënyra më poetike për të jetuar./rajonipress/
Sarandë, Qershor 2025
Albina IDRIZI
PEMËT U NGJAJNË NJERËZVE
Pemët u ngjajnë njerëzve
Se bie edhe njeriu,
Rrëzohet,
Jo gjithmonë nga vetja,
Jo përherë në vete.
Nganjëherë
Shtypur prej një trungu,
Goditur prej një guri,
Ndërkëmbur prej një këmbe
Papritur.
Bie,
dhe toka bëhet rrugë
Si dëshmi.
Të ngrihet,
Të shkundet,
Është revolucion i heshtur.
Me diademë prej drite
Ku është thyer,
Prej kënge
Ku është grisur,
Prej njeriut të ri
Ku është gjakosur.
E ngrihet njeriu,
Rritet,
Jo gjithmonë nga vetja,
Jo përherë në vete.
Nganjëherë
Kapur për një trung,
Mbështetur për një gur,
Mbajtur për një krah