Qartësia e integrimit të Veriut
Nga Blerim Shala – Dihet shumë mirë se ku do të bëhet integrimi i qytetarëve serbë të Veriut të Kosovës. Këtu nuk ka asnjanësi dhe neutralitet. Aspak.
Deri në bisedimet e Brukselit në mes të Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Serbisë, të cilat në segmentin kyç të normalizimit të marrëdhënieve në mes të dy shteteve nisën në tetorin e vitit të kaluar, gjendja në Veriun e Kosovës ka qenë e qartë në shumë aspekte, por jo në atë më kryesorin: në mënyrën se si do të bëhet integrimi i qytetarëve që jetojnë në Veri të Kosovës, e të cilët në masë të madhe janë serbë të Kosovës.
Së pari, është ditur se Kosova është njohur si shtet në kufijtë e definuar me Propozimin gjithpërfshirës të Presidentit Ahtisaari (2007), dhe që sovraniteti i Kosovës përfshin edhe këtë pjesë të vendit. Këtë e ka ditë gjithnjë edhe Qeveria e Serbisë, prandaj nuk ka parë modalitet tjetër për ta lidhur këtë pjesë të Kosovës me shtetin e Serbisë, pos përmes Marrëveshjes politike, të shfaqur si ide, si opsion shumë herë në të kaluarën, për ndarjen territoriale të Kosovës, fillimisht (në vitet pas ndryshimit të Qeverisë së Sllobodan Millosheviqit), ose për shkëmbimin territorial më pas (Veriu i Kosovës për një pjesë të Luginës së Preshevës).
Autoritetet e Kosovës asnjëherë nuk kanë pranuar të hyjnë në temën e ndarjes apo shkëmbimit të territoreve me Serbinë. Shkaqet për një pozicionim të këtillë të Prishtinës zyrtare janë të shumta. Për to, vlen të bëhet një analizë e veçantë, e hollësishme, e cila do ta justifikonte, gjithsesi, arsyeshmërinë e refuzimit të Kosovës për të negociuar me Serbinë këtë solucion politik që gjithmonë ka bartur rreziqe të mëdha për Kosovën dhe për gjithë rajonin.
Së dyti, është ditur po ashtu që Serbia, e jo strukturat e rebeluara serbe të Veriut të Kosovës, e kontrollon Veriun e Kosovës, dhe atë jo prej 17 shkurtit, 2008 (kur u shpall shteti i Kosovës), por prej 20 qershorit, 1999, kur sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe Marrëveshjes Teknike-Ushtarake të Kumanovës (e cila është Aneks i kësaj Rezolute), Serbia është dashur të largohet nga Kosova.
Autoritetet e Kosovës, por edhe faktori ndërkombëtar, deri në verën e vitit 2011, nuk kanë konstatuar këtë fakt, prandaj edhe nuk e kanë parë të arsyeshme asnjëherë (deri në këtë periudhë), që të hapin temën e bisedimeve me Beogradin për çështjen e Veriut.
Atëherë u kuptua që kemi të bëjmë me dy anë të të vetmit proces: që largimi i Serbisë nga Veriu i Kosovës është parakusht për integrimin e mirëfilltë të kësaj pjese të Kosovës në rendin kushtetues dhe ligjor të vendit.
Në këtë mënyrë, në bazë të këtyre dy fakteve të njohura politike, është mbërritur tek krye-pyetja e mënyrës se si do të ndodhë integrimi i serbëve të Kosovës, duke mos cenuar sovranitetin dhe tërësinë territoriale të Kosovës.
Marrëveshja e Parë e 19 prillit, për normalizimin e Marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, megjithë përgjithësimet e saja të rëndomta për dakordime politike të këtij lloji, në asnjë lexim të vetin, nuk mund të krijojë dyshime të bazuara që ky integrim do të bëhet në atë mënyrë që ta rrezikojë rendin kushtetues dhe ligjor të Kosovës.
Nga ky pikëshikim, nuk ka fare paqartësi se ku dhe si në të vërtetë do të integrohen qytetarët serbë të Kosovës, çfarë Kushtetute dhe çfarë Ligji do të vlen në Veri të Kosovës dhe gjatë gjithë procesin të integrimit të qytetarëve serbë të Kosovës.
Autoritetet serbe gjithnjë kanë insistuar që parakusht për fuqizimin e procesit të përfshirjes së pjesëtarëve të strukturave të sigurisë të Serbisë në strukturat e Kosovës, është miratimi i Ligjit për Amnistinë.
Ky Ligj është një tjetër Ligj i Kuvendit të Republikës së Kosovës, i votuar prej deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Ky Ligj si edhe të gjitha ligjet tjera të cilat duhet të lansojnë dhe ta përcjellin deri në fund ndërmarrjen e integrimit të serbëve të Kosovës në institucionet e Kosovës, janë ligje të Republikës së Kosovës. Nuk ka dhe nuk mund të ketë ligje që janë asnjanëse ndaj Kosovës, ndaj statusit të saj, siç do të dëshironte të ketë Beogradi zyrtar. Nuk ka dhe nuk mund të ketë po ashtu, në një vend, në një shtet dy palë ligje, të dy shteteve të ndryshme, sepse aty nuk ka ligjshmëri fare: Kjo zaten ka qenë gjendja reale në Veriun e Kosovës.
Çmimin për këtë gjendja në këtë pjesë të Veriut të Kosovës do ta paguajmë edhe për një kohë të caktuar. Krimi i organizuar në Veri të Kosovës, i cili është krijuar në mënyrë sistematike prej Beogradit zyrtar, nuk do të zhbëhet me largimin e strukturave serbe të sigurisë. Këtë iluzion nuk duhet ta ketë askush në Prishtinë.
Nëse këtu i kthehemi sërish temës së integrimit të qytetarëve serbë të Veriut të Kosovës, dihet se ku dhe si ata do ta gjejnë vendin e tyre. Dihet shumë mirë se çfarë policie, çfarë gjyqësie, çfarë administrate lokale dhe qendrore, çfarë qeverie komunale dhe vendore, çfarë sistemi doganor dhe tatimor ka Kosova.
Nuk ka dhe nuk mund të ketë polici, gjyqësi, administratë lokale dhe qendrore, qeveri komunale dhe vendore, sistem doganor dhe tatimor që janë asnjanës ndaj ligjeve të Kosovës, apo, asnjanës ndaj definicionit themelor politik dhe legal që ka Kosova.
Nuk është Kosova pa emër dhe pa mbiemër, pa adresë, pa status.
Nga ky pikëshikim pra nuk ka dhe nuk mund të ketë paqartësi në ndërmarrjen politike të zbatimit të Marrëveshjes së Parë të 19 prillit.
Dihet pra shumë mirë se ku do të bëhet integrimi i qytetarëve serbë të Veriut të Kosovës.
Këtu nuk ka asnjanësi dhe neutralitet. Aspak.


