Pushuesit parlamentarë

Legjislatura e katërt e Kuvendit të Kosovës, veçmas vitin e fundit e ka kaluar në pushime të gjata. Në janar të vitit të kaluar nuk e ka nisur punën deri në javën e tretë. Ka punuar rreth gjashtë muaj dhe ka shkuar në pushime të verës. Ato kanë zgjatur jo më pak se 45 ditë. Pushimet kanë nisur në fund të korrikut dhe kanë përfunduar në javën e dytë të shtatorit. Kur është pritur të bëhet pak punë, është ngritur çështja e PTK-së dhe më pas herë pozita e herë opozita kanë bojkotuar seancat plenare.
Kur u ofrua nëntori, u pa se deputetët nuk janë të interesuar për ligje, por për vota. Të vetëdijshëm për këtë, anëtarët e Kryesisë së Kuvendit, vendosën t’i qojnë në pushime, derisa të kryhen zgjedhjet. Kur ato u kryen u ofrua Viti i Ri. U desh të përmbyllet viti dhe të pritet fillimi i sesionit pranveror të punës. Në bazë të Rregullores së punës së Kuvendit, ky sesion nis në javën e tretë të janarit.
Tash jemi në javën e dytë, që i bie së ata do të pushojnë së paku edhe një javë. Tek me 20 janar do të mblidhet Kryesia për të përcaktuar rendin e ditës të seancës së parë. E nëse gjithçka shkon për së mbari, pas pesë muajsh ata do të shkojnë prapë në pushim të gjatë…(Tribuna).