Pushteti i frikësohet largimit nga pushteti, opozita së ardhmes pa pushtet

Analisti politik Belul Beqaj ka vlerësuar se, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, mund të ndodhë çdo gjë, përpos zgjidhjeve racionale dhe demokratike. Sipas Belul Beqajt, sovraniteti i shtetit të Kosovës buron nga populli dhe realizohet nëpërmjet përfaqësuesve të zgjedhur.
“Deputetët e Kosovës janë përfaqësuesit e zgjedhur dhe baza e sovranitetit është tek populli e jo te partitë politike siç del nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Meqë është bërë një shkelje flagrante e sovranitetit të shtetit të Kosovës nga Gjykata Kushtetuese, mendoj se pas këtij vendimi mund të ndodhë çdo gjë, përpos zgjidhjeve racionale dhe demokratike”, thotë Beqaj.
Mjerisht, sipas tij, kësaj gjendje i kanë kontribuar të gjithë, pavarësisht se dikush sot është kundër vendimit të kësaj gjykate, të cilën dje e ka mbështetur duke dhënë pëlqimin për formimin e saj në bazë të formulës partiake, ku kryetar i saj të jetë njeriu që nuk ka punuar asnjë ditë në gjykatë!”.
Ai shton se , ngërçi politik do të vazhdojë edhe më tutje përderisa pushtetarët i frikësohen largimit nga pushteti dhe opozita i frikësohet së ardhmes pa pushtet.
“Në anën tjetër, është mirë ngaqë duhet të shikohemi në pasqyrë dhe ta konstatojmë papjekurinë e lidershipit i cili sigurinë dhe interesin e vet e sheh vetëm nëse është në pushtet. Pushtetarët i frikësohen largimit nga pushteti, opozita i frikësohet së ardhmes pa pushtet. Të gjithë thonë se dëshirojnë të jenë në shërbim të popullit, ndërsa, në fakt, të gjithë dëshirojnë të vazhdojnë të shërbehen me popullin derisa populli më në fund nuk i hap sytë”, ka deklaruar Beqaj.
Ndërkohë, monitoruesi i punës së Kuvendit nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), Driton Selmanaj, ka thënë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese e ka thelluar edhe më shumë ngërçin politik.
Në këtë kontekst, ai ka thënë se Kushtetuesja ka qartësuar vetëm një kontekst të problemit, ndërkohë që ka bërë të paqartë një kontekst tjetër.
“Kemi menduar se vendimi i Gjykatës Kushtetuese do të qartësojë shumë situata dhe më pas do të çelë rrugëzgjidhje. Por, tanimë e kemi edhe më të paqartë situatën. Është e qartë se zgjedhja e kryetarit të Kuvendit i takon grupit më të madh parlamentar dhe ky grup është PDK-ja. Mirëpo, në asnjë rast nuk është qartësuar se çfarë do të ndodhë nëse kandidati i PDK-së nuk i merr votat e nevojshme. Do të shkohet me përsëritje të vazhdueshme në mungesë të numrave nga PDK-ja, apo si do të duhej të ishte zgjidhja? Prandaj, dihet vetëm se seanca do të vazhdojë aty ku ka ngelur dhe duhen zgjedhur kryetari dhe nënkryetarët”, ka thënë Selmanaj për “Epokën e re”.
Ai ka vlerësuar se Gjykata Kushtetuese barrën politike përsëri e ka bartur tek subjektet politike dhe tek deputetët që ta gjejnë zgjidhjen në këtë situatë. Mirëpo, sipas Selmanajt, aktualisht nuk është duke u parë ndonjë zgjidhje në horizont.
“Pra, përsëri është lënë në duart e deputetëve që ata të vendosin t’i japin zgjidhje kësaj çështje. Mirëpo, për fat të keq, për momentin zgjidhja nuk po duket askund. Pra, nuk ka ndonjë lëvizje e cila do t’i jepte zgjidhje këtij problemi. Mendoj se situata është jashtëzakonisht e mjegullt, me shumë paqartësi dhe joshpresëdhënëse”, ka deklaruar ai, duke shtuar se ka ardhur koha që politikanët të tregojnë maturi politike për t’i dhënë zgjidhje problemit, në të kundërtën do të futemi në situata ku vendi do të ngelet pa institucione.
“Është koha kur subjektet politike dhe liderët duhet t’i ofrojnë alternativat e tyre se si duhet dalë nga ky ngërç i krijuar, sepse vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk ka dhënë shumë zgjidhje, përkundrazi në situata të caktuara vetëm e ka bërë të paqartë zgjidhjen e këtij problemi”, ka theksuar Selmanaj.
Sipas tij, në rast se do të vazhdohet me këtë qasje, do të jetë shumë vështirë të bëhet konstituimi i Kuvendit.
“Hipotetikisht gjithçka është e mundur, por tanimë dihet se grupi më i madh parlamentar është PDK-ja, e cila do ta propozojë kandidatin për kryetar të Kuvendit. Por, nëse vazhdon kjo qasje e bllokut LDK-AAK-Nisma, atëherë i bie që në asnjë mënyrë PDK-ja të mos arrijë ta zgjedhë kryetarin e Kuvendit. Dhe këtu nuk po flasim për një bllokadë, por për një situatë të pazakontë dhe vështirë se mund të gjendet zgjidhje sepse problemi i ngjashëm do të përsëritet edhe në të gjitha seancat e tjera”, ka thënë Selmanaj.
Ai ka treguar se humbësit më të mëdhenj të kësaj situate janë qytetarët e Kosovës, jo subjektet politike. /epoka e re/