Pushteti i amniston në heshtje UDB-ashët

Kosova po kalon më shumë se një dekadë e gjysmë në procesin e ndërtimit të subjektivitetit të ri shtetëror dhe shkëputja nga regjimi totalitar komunist, por akoma lidershipi i shtetit të ri nuk po e merr kurajën që të iniciohet dhe fillohet me hapjen e dosjeve të bashkëpunëtorëve kriminalë të regjimit të kaluar, që përfundimisht të dihet se kush kanë qenë bashkëpunëtorët e UDB-së në Kosovë.
Pyetja që shtrohet është se pse duhet që edhe më tutje të mos dihen se kush kanë qenë ata që kanë raportuar për shërbimin sekret serb dhe në favor të kujt shkon fshehja e emrave të tyre, derisa thuhet vazhdimisht se ka njerëz spiunë të UDB-së dhe familjarë të tyre qëllimshëm të instaluar në të tria shtyllat e pushtetit dhe në të gjitha nivelet dhe jo vetëm, por të instaluar e të mbështetur nga pushteti edhe në media.
Eksperti i sundimit të ligjit, Riza Smaka, ka pohuar se klasa politike pushtetare qëllimisht nuk po e inicion procesin e hapjes së dosjeve, për shkak se e di që akoma në radhët e veta ka shumë individë me të kaluar kriminale nga ai sistem.
Sipas tij, sa më shumë që të zvarritet inicimi i kësaj temë pritjet janë që dosjet të zhduken ose vjetërsohen, kështu që me blerjen e kohës të zbehet dhe devalvohet edhe pesha që ka tani zbardhja e kësaj të vërtete, sepse kështu do të ndodhte një lloj amnistie në heshtje e ishshërbëtorëve të UDB-së./kosova sot/