ARKATANA

Pushtetarët e korruptuar dirigjojnë lëndët

/ 9 minuta lexim
Mobi Casa

Njohësit e fushës së sundimit të ligjit, analistët dhe profesorët universitarë, vlerësojnë se një nga dobësitë e theksuara të sistemit të drejtësisë në Kosovë është edhe mbajtja me vite të tëra të lëndëve “të ngujuara”, në raftet e prokurorisë dhe policëve hetues.

Sipas opinionistëve të gazetës, edhe pse numri i saktë i këtyre rasteve nuk dihet, kjo bëhet duke mos i aktivizuar për vite të tëra ato raste serioze, pasi që bëhet fjalë për pushtetarë të dyshuar në të tërë pushtetet dhe në të dy nivelet e pushteteve, duke mos lejuar që të bëhen hetime serioze: të njerëzve të qeverisë e të ministrave të inkriminuar, të qeverive komunale e kryetare komunash, të administratës së shtetit, të gjyqësorit, të prokurorisë dhe të policisë.

Mirëpo, akoma më shqetësues bëhet fakti që këtu nuk ka aspak transparencë dhe askush nuk e di se sa lëndë të tilla të krimit të organizuar nuk hapen, ose edhe më keq mbyllen pa denjuar që të hapen, pasi që kryesisht janë lëndë ose kallëzime e padi penale kundër mafio-oligarkëve të inkriminuar dhe politikanëve të lidhur me ta në të dyja nivelet e pushtetit të inkriminuar. Duke vepruar kështu, analistët dhe opinionistët theksojnë se po arrihet qëllimi maksimal nga elementet kriminale të instaluara brenda institucioneve të shtetit që të pengohen dhe shkatërrohen hetimet e prokurorisë me prishjen e provave që do të çonin drejt zbardhjes se veprimeve kriminale të pushtetarëve e mafio-oligarkëve të lidhur në krim të organizuar, apo edhe paditë penale të argumentuara për pushtetar të inkriminuar në korrupsion dhe në krimin e organizuar në vend.

Analisti Nexhmedin Spahiu ka pohuar për “Kosova Sot” se sjellja mospërfillëse ndaj zbatimit të plotë të ligjit në funksion të një drejtësie profesionale, të pavarur dhe tëpandikuar, vjen edhe si pasojë e mungesës së guximit të vetë individëve në këtë sistem, por edhe e mungesës së ndjenjës patriotike në raport me fuqizimin e shtetit ligjor.”Është problem i guximit, mosdijes dhe i ndërgjegjes patriotike. Të tri këto gjëra i mungojnë sistemit prokurorial dhe gjyqësor në Kosovë. Dija ka të bëjë me arsimin, guximi është veçori personale, kurse patriotizmi i përket edukimit që merret në shkollë, në familje dhe në medie. Thjesht, prokurorët tanë nuk janë të edukuar që të jenë patriotë e të kryejnë punën në dobi të atdheut”, vlerësoi Spahiu për “Kosova Sot”.

MIFTARI: FSHEHJA APO DEKONSPIRIMI I LËNDËVE BËHET ME URDHRA NGA LART, NGA “BARONËT E MAFISË KLASIKE”

Njohësi i fushës së sigurisë, Naim Miftari, vlerëson se fenomeni i mbajtjes së lëndëve të ngujuara me vite të tëra, në prokurori dhe policinë hetimore, numri i të cilave nuk dihet, por vetëm mund të spekulohet, është një skenar i qëllimshëm kriminal për të amnistuar kryesisht bosët e krimit të “jakave të bardha”. “Arsyeja e vonimit të lëndëve apo fshehja e lëndëve penale në prokurori apo polici për korrupsion të nivelit të lartë, por edhe keqpërdorime të detyrës zyrtare në bashkëpunim me krimin e organizuar institucional, bëhen për disa arsye të ndryshme. Arsyeja kryesore dhe e parë është se këto institucione që duhet të jenë të shenjta sipas ligjit e Kushtetutës janë vetë të korruptuara dhe kontrollohen nga krimi i organizuar. Por, edhe fshehja apo dekonspirimi i lëndëve bëhet me urdhra nga lart, urdhra nga shefat e tyre që në shumicën e rasteve shefat janë politikanët e korruptuar dhe të lidhur vetë me krimin e organizuar, ku edhe e kanë rolin kryesor, e që sillën gati njësoj siç janë “baronët e mafisë klasike”, theksoi Miftari për “Kosova Sot”.

KAPITI: DREJTËSIA DHE POLITIKA JANË PRONA TË NJË GRUSHTI OLIGARKËSH!

Sipas analistit Skënder Kapiti, derisa në Kosovë është instaluar një sistem politik regjimi i korruptuar dhe i kriminalizuar, pa një reformë drejtësi me efektet e një përmbysjeje demokratike të këtij sistemi, nuk do të ketë zhvillim demokratik, as ngritje të shtetit ligjor dhe as nuk do të funksionojnë shteti dhe shoqëria.”Kjo përderisa drejtësia dhe politika janë prona të një grushti oligarkësh, të cilët shtetin, shoqërinë dhe drejtësinë i kanë kapur dhe i përdorin si mjete e vegla në shërbim vetëm të interesave të tyre personale, klanore dhe farefisnore. Kjo është lloj vetëmbrojtje kaq e madhe dhe e sigurt që ka siguruar mafio-oligarkia, saqë deri më sot asnjë pjesëtar i saj nuk është hetuar dhe jo më të jetë ndëshkuar për vjedhje, krim e korrupsion. Këtë do ta kishin pasur zili edhe despotët, diktaturat dhe autoritarizmat dhe autokracitë mbretërore, perandorake, sulltanatet dhe ato komuniste”, tha Kapiti për “Kosova Sot”.

ARKATANA

Sipas tij, kriminalizimi i demokracisë është dështimi dhe dekadenca më e madhe dhe më e rëndë e saj, sepse kur kriminalizohet dhe korruptohet rëndë demokracia, atëherë korrupsioni bëhet sëmundje dhe plagë e thellë dhe e dhimbshme për popullin, shtetin dhe shoqërinë. “Përgjegjësia kryesore për këtë gjendje është e elitës politike aktuale në Kosovë, e cila, pavarësisht faktit se ka rreth 80 parti politike, ato si të përbashkët e kanë vetëm qëllimin sa për të përftuar pushtet, pjesë të tij dhe vetëm përftime personale. Këto ‘elita’ politike, kudo partiake, janë realisht dhe që kanë si profesion parazitizmin dhe zhvatjen nga buxheti i shtetit, si dhe matrapazllëkun, korrupsionin, mashtrimin dhe spekulimin me masën njerëzore të anëtarësisë dhe të vulave të partive të tyre”, tha Skënder Kapiti për “Kosova Sot”

ZEQA:GRUMBULLIMI ENORM I LËNDËVE NUK KA ARDHUR PËR SHKAK TË MUNGESËS SË GJYQTARËVE, POR SI PASOJË E SHANTAZHIMIT TË TYRE!

Sipas analistit politik Florim Zeqa, arsyet e grumbullimit të lëndëve nëpër sirtarët e drejtësisë janë rezultat i interferimit të politikës dhe instalimit të elementeve kriminale brenda institucioneve të shtetit, të cilët e bëjnë punën e djallit, duke penguar dhe shkatërruar hetimet e prokurorisë me prishjen e provave që do të çonin drejt zbardhjes se veprimeve kriminale të pushtetarëve e mafio-oligarkëve të lidhur në krim të organizuar. “Prishja e provave ndodh pasi që bëhet fjalë për pushtetarë të dyshuar në të gjitha pushtetet e pasluftës në të dyja nivelet e pushteteve, përkatësisht e njerëzve të qeverisë, e ministrave të inkriminuar, të qeverive komunale e kryetarë komunash, të administratës së shtetit, të gjyqësorit, të prokurorisë dhe të policisë së shtetit”, u shpreh ai.”Grumbullimi enorm i lëndëve nuk ka ardhur për shkak të mungesës së gjyqtarëve, siç trumbetojnë pushtetarët, por si pasojë e shantazhimit të tyre. Ngase, asnjëherë deri më sot Kosova nuk ka pasur më shumë gjyqtarë dhe prokurorë, polici hetimore dhe agjentë të sigurimit shtetëror. Kështu, sistemi i drejtësisë është shndërruar në “nënë” për pushtetarët dhe “njerkë” për qytetarët, të cilët bredhin poshtë e lart, në kërkim të realizmit të të drejtave të tyre ligjore. Lëndët e krimit të organizuar nuk hapen, paditë penale kundër mafio-oligarkëve të inkriminuar dhe politikanëve të lidhur me ta në të dyja nivelet e pushtetit të inkriminuar mbyllen ose stërzgjaten deri në asgjësimin e plotë të provave”, tha analisti Zeqa për “Kosova Sot”.

“Uroj që sa më shpejt në agjendën e përbashkët BESHBA të vendoset topprioritet lufta kundër krimit. Derisa të vendoset për këtë, kjo amulli dhe mjerim do të vazhdojë akoma”,tha Hasan Preteni për “Kosova Sot”

“Nuk kemi arritur të krijojmë sistem matje të suksesit të një prokurori apo tjetri. Lëndët procedohen në mënyrë stihike, sa për të thënë se po punoj”, tha Nexhmedin Spahiu për “Kosova Sot”

Privatizimi i shteti

t Ish-kreu i Agjencisë Kundër Korrupsionit në Kosovë në dy mandate, Hasan Preteni, konsideron se është sindrom i dëmshëm në traditën e shtetndërtimit tek shqiptarët, që sidomos kur është çështja e funksionalizimit të shtetit ligjor, lidershipi politik shqiptar po detyrohet të veprojë vetëm nën urdhrat e faktorit ndërkombëtar, shembulli më tipik në Shqipëri.”Fatkeqësisht edhe në Tiranë agjendën ‘antikorrupsion’ po e udhëheq Amerika. Prandaj e gjithë Kosova, pjesa që e do shtetin dhe punon për shtetin, mezi pret që Amerika të vendosë në rend të parë luftën kundër korrupsionit dhe fuqizimin serioz të sundimit të ligjit edhe në Kosovë. Me këta politikanë, me këtë politikë dhe me këtë hipokrizi kurrë në Kosovë nuk do të ketë progres”, theksoi ai.”Politikanë të korruptuar kurrë nuk mund të udhëheqin politikën ‘kundër vetvetes’. E them këtësepse ka një shumicë që në politikë kanë hyrë për t’u pasuruar dhe për të keqpërdorur, sepse akoma nuk ka prokurorë dhe gjyqtarë të pavarur dhe patriotë”, vlerësoi Preteni për “Kosova Sot”

(Kosova Sot)