UBT

Pushtetarët e inkriminuar mbajnë peng drejtësinë

/ 7 minuta lexim
Uji Dea

Analistët dhe njohësit e fushës së drejtësisë kanë vlerësuar se fatkeqësisht kredibiliteti në sistemin e drejtësisë ka rënë në pikën më të ulët, derisa në anën tjetër KPK e KGJK nuk po reagojnë thuajse fare ndaj gjendjes së rëndë në drejtësi, duke mos marrë masa ndaj prokurorëve e gjyqtarëve të dështuar ose të kapur nga oligarkët e politikes dhe mafio-oligarkia e inkriminuar.

Për rrjedhojë, sipas tyre, edhe njerëzit janë lodhur nga vonesat e tejzgjatura dhe padrejtësitë e përditshme që hasin nëpër gjyqe e prokurori të vendit, që në fakt thuajse kurrë nuk prodhojnë drejtësi, por vetëm zvarritje të proceseve deri në infinit për shumë vite, pra pritjet e qytetarëve nuk përfundojnë kurrë për shkak të mosveprimit të drejtësisë së interferuar dhe të ndikuar nga oligarkia politike dhe mafio-oligarkët e bizneseve të pista e kriminale. Ndaj ata kanë shtruar edhe çështjen se a është drejtësia e kapur keq dhe e trafikuar arsyeja më e madhe pse qytetarët nuk u besojnë gjyqtarëve në gjykata dhe as prokurorëve në prokuroritë e vendit dhe çfarë duhet të ndodhë në sistemin e drejtësisë që t’i ndryshohet imazhi i keq i krijuar? Analisti Florim Zeqa ka thënë se përderisa në vendet e zhvilluara dhe demokratike sistemi i drejtësisë konsiderohet shtylla kryesore e funksionimit të shtetit ligjor, në vendin tonë është bërë “oazë” e krimit të organizuar me kontrabandimin e lëndëve gjyqësore.

Zvarritja e padurueshme e proceseve

Sipas Zeqës, sistemi i degraduar i drejtësisë ka ardhur si pasojë e politikës së korruptuar bashkë me nëntokën kriminale, si pasojë e interferimit dhe ndikimit të skajshëm nga oligarkia politike dhe mafio-oligarkët e bizneseve të pista dhe kriminale. “Arsyeja e mosreagimit të KPK-së dhe KGJK- së ndaj gjendjes së rëndë në drejtësi, gjegjësisht mosmarrja e masave ndaj prokurorëve e gjyqtarëve të dështuar, është kapja e tmerrshme e sistemit të drejtësisë nga oligarkët e politikës dhe mafio-oligarkisë së inkriminuar”, u shpreh ai.”Si rezultat i kësaj gjendje njerëzit tashmë janë mërzitur nga vonesat e gjata dhe padrejtësitë e përditshme të gjykatave dhe prokurorive, të cilat në vend të drejtësisë prodhojnë padrejtësi për qytetarët, me zvarritjen e proceseve gjyqësore deri në pambarim, gjegjë- sisht nga 5 deri ne 8 vite apo edhe më shumë, derisa drejtësia të humbasë kuptimin e saj. Kjo ka çuar rënien e kredibilitetit në sistemin e drejtësisë në pikën më të ulët përgjatë këtyre 18 viteve të fundit shkaku i mosfunksionimit të sistemit të drejtësisë vendore”, u shpreh për gazetën “Kosova Sot” analisti Florim Zeqa.

Rënia e besimit në drejtësi

ARKATANA

Analisti Naim Miftari thotë se kredibiliteti i drejtësisë në Kosovë është afër zeros dhe KPK e KGJK janë vetëm një mbulim i dështimit të drejtësisë, kurse drejtësia, si prokuroria, gjyqësori dhe policia, janë vetëm ombrellë e politikanëve të korruptuar dhe të krimit të organizuar, pasi siç tha “i fshehin, i eliminojnë dhe i dekonspirojnë ose i vonojnë qëllimisht lëndët gjyqësore kur janë në pyetje ndjekja e bosëve të mafisë dhe politikës”. Sipas tij, për gjithë këtë dështim dhe degradim të drejtësisë fajtorë janë politika dhe krimi i organizuar politik. “Krimin e organizuar sot e kemi në politikë dhe në partitë politike dhe pushtetarët tanë janë pjesë aktive e krimit të organizuar”, potencoi Miftari për “Kosova Sot”.

Ndërsa profesori universitar, Mazllum Baraliu, ka veçuar se gjithsesi duhet një reformim i mirëfilltë në këtë drejtim, ngase, sipas tij, reformim të mirëfilltë nuk ka pasur asnjëherë në gjyqësi dhe drejtësi. “Pavarësisht të gjitha përpjekjeve të vazhdueshme, asnjëherë nuk është arritur që të nxirret gjyqësori nga një gjendje amullie, një gjendje joefikase, gati amorfe, e cila në fakt krijon probleme të mëdha edhe në moszgjidhjen e lëndëve, por edhe probleme të tjera me përgjegjësi, drejtësi selektive etj. Prandaj, marrë parasysh këto, duhet një reformë rrënjësore dhe mbase modeli më i mirë është ngjashëm me ‘Vettingun’ në Shqipëri, në mënyrë që thjesht edhe duke filluar nga procedurat e rekrutimit të bartësve të funksioneve në drejtësi dhe gjyqësi e deri tek performanca, kontrolli, mbikëqyrja, përgjegjësia e gjithë atyre që sukseset dhe rezultatet e punës të jenë të matshme dhe të kontrollueshme vazhdimisht nga institucionet e pavarura dhe Parlamenti pse jo, do të ishin modeli më i mirë e ndoshta i domosdoshëm që të reformohen gjyqësori dhe drejtësia dhe të nxirret nga gjendja amullie, çfarë është tash dhe e rëndë”, vlerësoi Baraliu për “Kosova Sot”.

Politika i nënshtroi organet e ligjit

Analisti Naim Kelmendi shprehet se fatkeqësisht kredibiliteti në sistemin e drejtësisë ka rënë në pikën më të ulët, derisa në anën tjetër KPK e KGJK nuk po reagojnë thuajse fare ndaj gjendjes së rëndë në drejtësi, duke mos marrë masa ndaj prokurorëve e gjyqtarëve të dështuar ose të kapur nga oligarkët e politikës dhe mafio-oligarkia e inkriminuar. Për rrjedhojë, sipas tij, edhe njerëzit mbase janë mërzitur nga vonesat e tejzgjatura dhe padrejtësitë e përditshme që hasin nëpër gjyqe e prokurori të vendit, që në fakt thuajse kurrë nuk prodhojnë drejtësi, por vetëm zvarritje të proceseve deri në infinit për shumë vite, pra siç tha pritjet e qytetarëve nuk përfundojnë kurrë për shkak të mosveprimit të drejtësisë së interferuar dhe të ndikuar nga oligarkia politike dhe mafio-oligarkët e bizneseve të pista e kriminale. “Kjo gjendje e gjyqësorit, por edhe përgjithësisht e sistemit të drejtësisë, është për t’u rishikuar se ku duhet shëruar ‘sëmundjen’ e tij dhe kjo mbase duke u reformuar me njerëz e kuadro të afta e të përgjegjshme dhe me integritet moral e profesional, duke hequr kësisoj nga këto institucione ata gjyqtarë e prokurorë, të cilët janë inkuadruar që një kohë të gjatë nëpër sektorë të ndryshëm të sistemit të drejtësisë, derisa e kaluara e tyre, përveçse është e dyshimtë, ata nuk kanë bërë thuajse asgjë në drejtim të avancimit dhe zhvillimit të drejtësisë, ngase veç tjerash kanë dështuar edhe në zgjidhjen e shumë lëndëve që po ‘flenë’ në sirtarë tash e një kohë të gjatë”, potencoi ai. “Por, njerëzit e tillë po ashtu nuk i japin askujt llogaridhënie për mospërgjegjësitë e tyre dhe për mospunën e tyre, duke e sjell për rrjedhojë gjendjen thuajse kolapsike të mosgjykimit të lëndëve ku thuajse tanimë sikurse sistemi i drejtësisë përgjithësisht është “dorëzuar” krejtë- sisht përballë politikës dhe pushtetarëve interferues e kërcënues, të cilët po riciklohen për të mbajtur drejtësinë të dominuar nga interesat e tyre të inkriminuara”, theksoi për “Kosova Sot” analisti Kelmendi. Sipas tij, është nevojë urgjente përtëritja e sistemit të drejtësisë me kuadro të reja, të afta e me etikë dhe integritet profesional e njerëzor, ngase kësisoj vjen deri te zhvillimi e demokratizimi i sistemit të drejtësisë dhe shtetit ligjor.

(Kosova Sot)