Punime me rrezik të lartë në bulevardin e Gjilanit, qytetarët kërkojnë masa urgjente për sigurinë
Gjilan – Punimet që po zhvillohen në bulevardin e qytetit të Gjilanit, në kuadër të një projekti me vlerë prej miliona eurosh, kanë ngritur shqetësime serioze te qytetarët për shkak të masave të pamjaftueshme të sigurisë në vendpunishte.
Sipas vëzhgimeve në terren, në zonën ku po realizohen punimet ndodhen gropa të thella, të cilat në disa pjesë tejkalojnë dhjetë metra, ndërsa perimetri i kantierit është i mbrojtur vetëm pjesërisht me barriera metalike. Jashtë zonës së punimeve, sinjalistika është minimale dhe, përveç një tabele orientuese për qarkullimin e automjeteve, mungojnë paralajmërimet e nevojshme për këmbësorët dhe drejtuesit e mjeteve.
Qytetarët shprehen të shqetësuar se një neglizhencë e tillë mund të ketë pasoja serioze, sidomos gjatë orëve të mbrëmjes ose në rastet kur në këtë zonë qarkullojnë fëmijë, të moshuar apo persona me aftësi të kufizuara. Ata kërkojnë që të ndërmerren masa të menjëhershme për garantimin e sigurisë, në mënyrë që të parandalohet çdo aksident i mundshëm.
Sipas pretendimeve të qytetarëve, punimet po realizohen nga një kompani ndërtimore nga Ferizaj, ndërsa ata vlerësojnë se në terren është vërejtur mungesë kujdesi ndaj kalimtarëve dhe respektimit të standardeve të sigurisë në punë. Po ashtu, ata shprehin shqetësimin për mungesën e mbikëqyrjes së vazhdueshme nga organet përgjegjëse.
Nga ajo që mund të vërehet në kantier, një pjesë e punëtorëve nuk janë të pajisur me të gjitha mjetet mbrojtëse personale, si helmetat apo pajisjet e tjera të domosdoshme, çështje që ngre pikëpyetje edhe për respektimin e rregullave të sigurisë në punë.
Qytetarët u bëjnë thirrje Komunës së Gjilanit, organit mbikëqyrës dhe kompanisë zbatuese që të ndërhyjnë pa vonesë, duke përforcuar masat mbrojtëse, sinjalistikën dhe kontrollin në kantier, në mënyrë që një projekt i rëndësishëm për qytetin të mos shoqërohet me rrezik për jetën dhe sigurinë e qytetarëve./rajonipress/




