Punëtorët e “Rilindjes” kërkojnë 20 %

Sindikata e Pavarur e “Rilindjes” ka kërkuar të mërkurën nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) që të paguajë 20 përqindëshin për objektin e Rilindjes, derisa nga Qeveria e Kosovës kanë kërkuar që t’ia bëjnë pagesën për shfrytëzimin e objekteve.
“Sindikata e pavarur e Rilindjes kërkon me ngulm nga institucionet e vendit që sa më parë të bëjnë zgjidhje në adresë të punonjësve të këtij kolektivi, i cili në periudhën e vështirë për vendin ka kryer mision historik. Në këtë drejtim, kërkojmë nga AKP-ja të na paguajë për 20 përqindëshin për objektet e privatizuara dhe të uzurpuara. Ndërsa nga Policia e Kosovës kërkojmë zbardhjen e plaçkitjes dhe tjetërsimin e pasurisë milionëshe të “Rilindjes” në harmoni me argumentet e ofruara”, ka thënë Zeqir Bekolli nga Sindikata e “Rilindjes” në një konferencë të organizuar për media.
Ai gjithashtu ka thënë se punonjësit e “Rilindjes” kanë marrë pjesë me 20 për qind të mjeteve të tyre të ndërtimit të objektit të “Rilindjes” dhe në këtë drejtim janë bashkaksionarë.
“Ky element është bazë e mjaftueshme për të dëshmuar se punëtorët e “Rilindjes” ishin bashkaksionarë në ndërtimin dhe meritojnë 20 përqindëshin e vlerës së objektit dhe për këtë, për asnjë çast nuk do të heqim dorë. Gazeta ka hisenë e saj edhe në shtypshkronjën e “Rilindjes”, një numër të madh qoshesh, 5 hektarë tokë në Prizren, objektin e vjetër afër Muzeut të Kosovës dhe një varg objektesh nëpër Kosovë dhe jashtë saj”, ka thënë ai.
Bekolli me tej ka sqaruar se në kuadër të gazetës ishin edhe “Radio Rilindja” dhe pajisjet e televizionit të cilat u plaçkitën dhe u tjetërsuan me dëbimin e kolektivit nga pallati, pas vendimit të UUNMIK-ut për mbylljen e gazetës të datës 21 shkurt 2002.
“AKP-ja ia ka dhënë Qeverisë në përdorim nga 2008 objektin Kulla, kurse pjesa tjetër është paraparë të meremetohet, pavarësisht prej saj në afërsi të Kullës lulëzojnë bizneset private. Pas vendimit të UNMIK-ut , pronarët e “Rilindjes” u hodhën në rrugë dhe deri më sot askush nuk është marrë me fatin e tyre”, tha më tej ai.
Gjithashtu, sindikalisti i “Rilindjes” më tej ka treguar se për nismën për realizimin e interesave të punëtorëve të saj për realizimin e 20- përqindëshit janë kontaktuar autoritetet e Agjencisë Kosovare të Privatizimit. “Ia dorëzuan dokumentacionin dhe dëshmitë për peonin e “Rilindjes”. Në policinë e Kosovës është dorëzuar edhe padia për plaçkitjet që janë bërë atë kohë në këtë kolektiv, në Kosovë dhe Tiranë, por deri më sot nuk ka asgjë konkrete”, ka shtuar ndër të tjera Bekolli.
Ndërsa kryetari i Sindikatës së Pavarur të gazetës Rilindja, Besim Kajtazi, ka thënë se pallati u mor edhe nga institucionet e Qeverisë së Republikës së Kosovës, e cila edhe pas kaq vjetëve nuk e pa të udhës që të bëjnë kompensimin e pronës.
Sipas tij, punonjësit e gazetës “Rilindja” kërkojnë që prona e tyre, e cila sot shfrytëzohet nga institucionet e Kosovës, por edhe pronarë të tjerë, t’u kompensohet.
Sipas Kajtazit, gazeta “Rilindja” nuk e ka merituar një trajtim të këtillë, aq më pak tash pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës./zeri/