Punët e vjetra të legjislativit të ri

Blerim Latifi, këshilltari i kryeparlamentarit Kadri Veseli, ka thënë se legjislativi paraprak ka kaluar nëpër një situatë të pazakontë për logjikën e veprimit demokratik kurse, sipas tij, agjenda e legjislativit të ri është tejet e ngjeshur me punët e vjetra, një ndër to edhe çështja e demarkacionit me Malin e Zi. Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka thënë se temat e mbetura pezull domosdoshmërisht duhet të përmbyllen. Sipas Latifit, qytetarët dhe vendi janë duke pësuar shumë nga gjendja e stagnimit politik dhe atij ekonomik.
Ai ka theksuar se platforma e kryeparlamentarit Veseli në mandatin e ri të drejtimit të Kuvendit bazohet në qëllimin për ta kthyer këtë institucion në një forum të debatit të mirëfilltë legjislativ dhe për ta reduktuar hapësirën e tendencave të deformimit të parlamentarizmit.
Në këtë intervistë Latifi ka folur edhe për rezultatin e PDK-së në zgjedhjet lokale dhe për garën e balotazhit që kjo parti do ta ketë më 19 nëntor.
“Epoka e re”: Z. Latifi, edhe në këtë mandat të dytë të Kadri Veselit kryeparlamentar jeni këshilltar i tij. Duke ditur se si kanë rrjedhur ngjarjet në mandatin e kaluar, si e shihni këtë përbërje të re të Kuvendit dhe çfarë prisni nga ky legjislativ?
Blerim Latifi: Legjislativi paraprak ka kaluar nëpër një situatë të pazakontë për logjikën e veprimit demokratik. Ishte situatë me tipare të gjendjes së jashtëzakonshme: brenda Kuvendit, pakica parlamentare, në mungesë të numrave, zgjodhi dhunën për ta bllokuar shtetin, vendimmarrjen legjitime dhe për të shtyrë me forcë agjendën e saj, ndërsa jashtë, turma të manipuluara kërcënonin me pushtim të Kuvendit, njëjtë sikurse ndodhi në Kuvendin e Maqedonisë, njëjtë sikurse ishte planifikuar të ndodhte në Kuvendin e Malit të Zi. Falë lidershipit të kryetarit Veseli këta skenarë dështuan dhe turpi i dhunës në Kuvend nuk përfundoi me tragjedi politike për vendin. Legjislativi i ri është në muajt e parë të punës së tij dhe mbetet të shihet se si do të zhvillohet debati në vazhdim. Platforma e kryetarit Veseli në mandatin e ri të drejtimit të Kuvendit bazohet në qëllimin për ta kthyer Kuvendin në një forum të debatit të mirëfilltë legjislativ dhe për ta reduktuar në maksimum hapësirën e tendencave të deformimit të parlamentarizmit. Natyrisht në këtë drejtim është i domosdoshëm vullneti i mirë politik i të gjitha forcave parlamentare. Agjenda e legjislativit të ri është tejet e ngjeshur. Temat e mbetura pezull domosdoshmërisht duhet të përmbyllen; qytetarët dhe vendi janë duke pësuar shumë nga gjendja e stagnimit politik dhe stagnimit ekonomik.
“Epoka e re”: Në mandatin e kaluar koalicioni i Qeverisë i ka pasur më shumë se 80 deputetë dhe është pritur se temat e mëdha do të kalojnë pa problem si, për shembull, demarkacioni me Malin e Zi dhe marrëveshjet e tjera ndërkombëtare. Koalicioni i kësaj përbërjeje të Qeverisë i ka 61 deputetë. Qeveria mund të funksionojë me këta numra, por vështirësitë mund të shfaqen në Kuvend.
Blerim Latifi: Shumica ekzistuese në Kuvend është e konsoliduar. Ne edhe në të kaluarën kemi pasur raste kur shumicat minimale parlamentare kanë funksionuar shumë më mirë sesa shumicat që kanë përfshirë dy të tretat e Kuvendit. Shpeshherë shumicat e para janë shumë më të vëmendshme, më proaktive ndaj proceseve dhe vendimmarrjes sesa shumicat e dy të tretave, të cilat në shumë raste humbin vitalitetin politik, pasivizohen, bëhen dembele, me idenë se gjërat i kemi nën kontroll dhe bëjmë çfarë të duam me to. Sa iu përket vështirësive të cilat ju i përmendni në pyetjen tuaj, këto nuk përbëjnë vështirësi të pakapërcyeshme. Ekziston një mekanizëm që vë në lëvizje forcat politike që kanë marrë legjitimitetin qytetar, e ky mekanizëm është interesi nacional. Kosova nuk është perandori që ta ketë vështirë ta definojë interesin e saj nacional. Ne jemi një shtet i vogël dhe e dimë qartë se si ruhet dhe si dëmtohet interesi ynë nacional, nga kush dhe si. Patriotizmi i vërtetë gjithmonë ka të bëjë me vendosjen e interesit nacional mbi interesin grupor, individual apo partiak. Sot jemi saktësisht në situatën kur kërkohet prej secilës palë ta dëshmojë praktikisht këtë patriotizëm.
“Epoka e re”: Si e shihni zgjidhjen e çështjes së demarkacionit me Malin e Zi?
Blerim Latifi: Nuk më takon mua ta ofroj zgjidhjen e kësaj çështje. Ajo është në fushën e kompetencave të ekzekutivit, i cili administron marrëveshjet ndërkombëtare të shtetit. Ajo që mund të them është se jemi në situatën kur topi është në fushën tonë dhe ne duhet ta luajmë atë. Është me rëndësi të mos bëjmë ndonjë autogol tjetër. Nga perspektiva e partnerëve tanë qëndrimet janë shumë të qarta dhe të paluhatshme sa i përket demarkacionit. Kemi ardhur në një situatë paradoksale dhe qesharake kur duhet të zgjedhim mes qëndrimit të Departamentit Amerikan të Shtetit dhe qëndrimit të gjeografit Bulliqi. Kjo është një situatë tipike e sharlatanizmit politik që mund të na kushtojë shumë. Sidoqoftë, shpresat nuk duhen humbur. Liderët aktualë të institucioneve janë njerëz të dëshmuar për të mirën e vendit dhe kemi shumë argumente bindëse se ata do të vazhdojnë të jenë të tillë. Besoj se kjo do të ndodhë në muajt në vazhdim.
“Epoka e re”: Ju keni qenë këshilltar edhe i Hashim Thaçit sa ishte kryeministër. Cili është vlerësimi juaj për këto ditë të qeverisjes Haradinaj?
Blerim Latifi: Është ende herët për të dhënë vlerësime të performancës qeveritare. Së paku duhet të kalojnë njëqind ditë. Ajo që shihet është se kryeministri aktual ka vullnet për të qenë sa më aktiv në raport me problemet që presin zgjidhje nga qeveria. Duket se po përpiqet të instalojë një dinamikë të re në procesin e përditshëm të vendimmarrjes qeveritare. Shpejt do të shihet se e tërë kjo a është vetëm entuziazmi i fillimit apo një frymë reale e qeverisjes. Na duhet të presim edhe pak.
“Epoka e re”: Do të ndalemi pak edhe te zgjedhjet lokale. Të nisemi nga PDK-ja. Si e shihni rezultatin e saj nga këto zgjedhje lokale dhe tash garën për balotazh? Çfarë ndikoi në këtë rezultat të PDK-së, ende s’po arrin të ambientohet me liderin e ri apo problemi është diku tjetër?
Blerim Latifi: Krahasuar me zgjedhjet e 11 qershorit, kemi rikthim të madh të Partisë Demokratike të Kosovës. Më 22 tetor janë arritur rezultate të kënaqshme në shumicën e komunave të Kosovës dhe ky rezultat është e qartë se do të konfirmohet edhe në balotazhin e 19 nëntorit. PDK-ja ka nisur një proces të reformave dhe oferta e saj më 22 tetor është dëshmia e parë e këtij procesi. Lajmi tjetër i mirë është se kjo gjë është mirëpritur nga zgjedhësit kosovarë. Gjithkund kandidatët e PDK-së për kryetarë të komunave kanë bërë diferencë të qartë me të tjerët. Shikoni së paku Prizrenin, Mitrovicën dhe Ferizajn, Klinën, Vushtrrinë, Rahovecin, e shumë komuna të tjera. PDK-ja vazhdon të mbetet alternativa më serioze politike në shtetin e Kosovës.
“Epoka e re”: Një garë e fuqishme është duke u bërë në Mitrovicë në mes të Valdete Idrizit dhe Agim Bahtirit. Komenti juaj?
Blerim Latifi: Një element tjetër tejet i rëndësishëm që ka bërë dallimin e PDK-së nga partitë e tjera në këto zgjedhje është kandidimi i tri grave për kryetare të komunave. Kjo është esenciale. Derisa partitë e tjera gratë i trajtojnë vetëm si dekor politik, si kuotë formale të imponuar nga ligji, PDK-ja është kthyer në një platformë për lidershipin e grave. Valde Idrizi është gjetja më e mirë për Mitrovicën, pa asnjë diskutim. Një grua e suksesshme, një aktiviste që ka bërë shumë për komunitetin e Mitrovicës, është shansi i vetëm që më në fund Mitrovica të dalë nga zona gri, nga kronika e lajmeve negative dhe të bëhet një qytet shembull për qeverisje efektive komunale. Sa i përket rivalit të saj, gjërat duken shumë qartë. Për Mitrovicën, qytet avangard në zhvillimin ekonomik, qytet i kulturës, i arsimit, i sportit, i emancipimit shoqëror, ka qenë fyerje që të drejtohet nga një analfabet klasik që, si në debatin e fundit, gjithë kohën derivateve të naftës u thotë dezervate, histerisë i thotë histori, që racionit të ushqimit i thotë hee, e qindra gabime të tjera neveritëse, pra një njeri pa kulturë elementare. Miku im Berat Buzhala e kishte një vërejtje me vend: “Bahtiri mburret me injorancën e tij, e paraqet si avantazh”. Shpeshherë kjo shpjegohet me nivelin e ulët të edukimit politik në vend, por kjo nuk qëndron. Në rendin kanunor të odës, të padijshmin, budallanë, nuk e kanë lënë fare të futet në kuvendin e odës, e lërë më të ulet në krye të tij, te oxhaku. Aq shumë kujdes i është kushtuar kësaj pune në Kanun saqë aty ka dispozita strikte që parashohin largimin nga kreu të të parit të fisit kur ai dëshmon injorancë dhe paaftësi drejtuese. Njerëzit nuk duan që një injorant të udhëheqë dhe të ndikojë në jetën e tyre. Në historinë e shteteve dhe qyteteve kanë ndodhur raste fatkeqe kur analfabetë të tillë kanë marrë timonin, por Mitrovica nuk do të lejojë që kjo histori të përsëritet.
“Epoka e re”: Dhe një pyetje për garën në kryeqytet. Shpend Ahmeti apo Arban Abrashi?
Blerim Latifi: Prishtina është në gjendje të mjerueshme, natyrisht për fajin e të gjitha qeverive lokale nga paslufta e deri më sot. Unë votoj në Prishtinë dhe nuk mund ta bëj publike votën time. Shumë po flasin e pak janë bindës. Prishtina ka nevojë për një tejkalim të epokës së zgjedhjeve mes këtyre dy partive që janë aktualisht në garë. Pa këtë tejkalim një gjë është e sigurt: riciklim i keqqeverisjes. Prishtina është lënë në duart e fatit. E dhimbshme kjo, por e vërtetë.
“Epoka e re”: Si e shihni tash rolin e opozitës, LV-së dhe LDK-së? Nganjëherë po shohim se LDK-ja po duket si LV-ja në disa deklarime, p.sh i pamë akuzat e fundit të deputetëve të LDK-së në adresë të kryeparlamentarit Veseli?
Blerim Latifi: Është kohë fushate elektorale dhe meqë seancat transmetohen drejtpërdrejt në televizion, deputetë që janë edhe pjesë e zgjedhjeve lokale tentojnë të përfitojnë elektorat përmes bërjes zhurmë në Kuvend. Ato akuza, që ju i përmendni, në fakt janë dëshmi e njerëzve që me moshë janë të rinj, sapo kanë hyrë në politikë, por në mentalitet janë tepër të vjetër. Kanë marrë vota me perceptimin se janë përfaqësues konceptesh të reja politike, e qysh ditën e parë në Kuvend dëshmojnë saktësisht të kundërtën. Vërtet dëshpëruese.