Punësime tё paligjshme nё arsim!

/ 4 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Nuhi Ismajli- Arsimi, në rrethanat tona, ka mbetur si e vetmja fushë e mundësisë më të madhe për punësim. Punësimi në arsim, si edhe në çdo fushë tjetër, ndërkaq, paraqet një dëshirë, një nevojë dhe njё shpresë jashtëzakonisht të madhe për punësim të të papunësuarve.

Por, asaj dëshire, nevoje e shprese të jashtëzakonshme të të papunësuarve për punësim, sherrin më të madh ia nxjerrin manipulimet e sotme të patregueshme të pushtetit me vendet e punës. Punësimi, ashtu si e bën pushteti sot, pa dyshim paraqet një nga defektet më të mëdha në shoqërinë tonë të sotme.

Pushteti i sotëm ka luajtur dhe po luan keq me punëtorët, veçmas me ata të arsimit. Nga ajo që dimë, konkretisht, pushteti ua ka marrë padrejtësisht punëtorëve vendet e punës, të cilat, për interesa tejet të ulëta, ua ka dhënë individëve të caktuar! Ka ndodhur që, punëtorit të arsimit, me diktat, i është marrë vendi i punës, për t’ia dhënë tjetrit/tjetrës për interes.

Manipuluesi me vendet e punës nuk ka njohur asnjë rregull të përfillshme njerëzore dhe ka konsideruar veten mbi çdo ligj, mbi çdo të drejtë njerëzore. Dhe, ky manipulim vazhdon, po i përcjellë me propaganda të mëdha kinse po bëhet një punësim i drejtë dhe tejet i ndёrgjegjshёm.

Eco Higjiena

Manipuluesit me vendet e punës, kanë bërë “rregullat” për të maskuar punët e tyre të paligjshme dhe tejet të panjerëzishme, po, për të parë manipulimet e përmendura nuk duhet aspak vëmendje, sepse ato shihen qartazi edhe nga shikuesi më i pavëmendshëm.
Ja, një shembull: Nga fundi i shtatorit, u pensionua një arsimtar i Gjeografisë, i gjimnazit “Z. Hajdini”. Pra, u lirua një vend i punës, për lëndën e Gjeografisë, sepse punëtori është pensionuar. Vendi i punës, për një arsimtar të Gjeografisë, ndonëse është ditur që më parë, si një vend i lirë i punës, nuk është shpallur si vend i lirë me konkurs.

Në vend të veprimit të ligjshëm: shpalljes së konkursit, për një vend të lirë të punës, për një arsimtar të Gjeografisë, dhe zgjedhjes së një arsimtari, sipas konkursit, veprohet në mënyrë tejet të paligjshme dhe tejet të panjerëzishme: merret një arsimtar i punësuar i Gjeografisë dhe zihet vendi i lirë i punës! Pra, punësohet i punësuari, kurse mbyllet vendi për punëtorët e papunësuar! Aq sa dimë, as vendi i punëtorit, që ka lënë vendin e tij, për të punuar në Gjimnaz, nuk është shpallur si vend i lirë i punës.

Ky është një nga absurdet e shumta të pushtetit të sotëm. Mbyllet vendi i lirë i punës, i cili ligjërisht është dashur (dhe duhet) të shpallej vend i lirë i punës dhe sipas konkursit të konkurronin e tё merreshin (nё radhё tё parё) punёtorёt e papunёsuar, tё cilёt, sipas kushteve, meritojnё njё gjё tё tillё. Etj. Etj.

Punёsimet e paligjshme nё arsim janë njё defekt i madh i shoqёrisё sonё, por po aq të liga janë bërë edhe përpjekjet e pushtetit për të arsyetuar paligjshmëritë e tilla, në vend se të ndjehej pak turp dhe pa zë të korrigjohej gabimi.