Punëkryesi dënohet me 500 euro, prokuroria në pritje të ekspertizës, banorët jetojnë nën ankthin e trishtimit
Gjilan – Ka vazhduar odisejada e ndërhyrjes së punimeve në objektin në qendër të qytetit, aty ku ndodhej më herët Raifesen Banka. Inspeksioni i ka shqiptuar një gjobë prej 500 eurove ndërkohë reagimet e qytetarëve në rrjetet sociale janë të ashpra duke kërkuar arrestime e burgosje për ata që e kanë keqpërdorur pozitën zyrtare. Edhe aktivistët e LVV e quajnë manekin Alban Hysenin.
Nëse i shikoni punimet e kryera afër themeleve dhe shtyllave të ndërtesës do të kuptoni se ende jemi qytet ku sundon anarkia dhe qeverisja e Kim Youngut, ndryshe nuk kuptohet tërë ky shkatërrim e degradim në zemër të qytetit.
Banorët që jetojnë në atë ndërtesë po përjetojnë momentet më të rënda të ankthit e tmerrit që nga pas lufta. “Të bësh gjumë rehat, kur i sheh ato pamje është e pamundur” tha njëri nga banorët e ndërtesës teksa sheh ndërhyrjen vullgare që ka bërë punëkryesi nga Vitia.
Ndërkohë, Inspeksioni komunal e ka gjobitur me vetëm 500 euro punëkryesin dhe i ka ndërprerë punimet për të parë nëse janë tejkaluar kriteret e lejes për renovim të lëshuar nga Drejtoria e Urbanizmit.
E prokuroria e Gjilanit është në pritje të ekspertizës. “Ne po presim të bëhet një ekspertizë dhe të shohim nëse ka elemente të veprës penale” tha Arben Kadriu për rajonipress.
Qytetarët ndërkaq e kanë gozhduar Alban Hysenin i cili vazhdimisht ka heshtur për këtë rast, duke e quajtur manekin dhe një kryetar që ik nga përgjegjësia.
Madje qytetarët i kanë përkujtuar Inspeksionit se për pak minuta e bënë rrafsh me tokë shtëpinë e ndërtuar nga një mërgimtar për nevojat e një familje skamnore.
Ndryshe ky rast është skandaloz dhe ende është e paqartë se si punëkryesi mori leje për renovim nga drejtoria e Urbanizmit./rajonipress/