Punëkërkuesit ikin nga puna e rëndë fizike dhe paga e ulët
Gjilan –Xhevat Aliu është i habitur për faktin se shumica e punëkërkuesve ikin nga puna e rëndë fizike dhe paga e ulët,ndërsa nuk shprehin interesim të aftësohen dhe riaftësohen për treg të punës edhe pse të gjitha shërbimet i kanë falas.
Duke u bazuar në shkallën e zhvillimit ekonomik në Rajonin e Gjilanit që nuk është në përputhje me nevojat dhe kërkesat e punëkërkuesve dhe të papunëve për vende pune ,shkalla e papunësisë në rajon akoma mbetet një nga problemet me të renda sociale me të cilën po ballafaqohen punëkërkuesit.
Xhevat Aliu drejtor i qendrës rajonale për punësim tha për rajonipress se edhe pse sipas statistikave duke bërë krahasime me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar ka rënie të numrit të punëkërkuesve sidomos në Komunën e Gjilanit, megjithatë numri i tyre akoma është i lartë.
Aliu tha se ndihet i shqetësuar pasiqë ka ende punëkërkues që ikin nga punët e rënda. “Edhe pse tregu i punës sidomos gjatë sezonit të verës na ofron më tepër vende të reja të punës, sidomos në ndërtimtari dhe bujqësi në disa raste nuk munde t`i plotësojmë ato vende sepse nuk ka punëkërkues të interesuar, me arsyetim se natyra e punës është e rënd dhe paga e ulët, e që për rrethanat me ketë gjendje të rënd sociale është për çudi” tha Aliu.
Madje, Aliu tha se shërbimet e punësimit përmes Qendrës Rajonale për Aftësim Profesional edhe pse ju krijojnë mundësi punëkërkuesve që falas të aftësohen dhe riaftësohen për treg të punës,për habi edhe për ketë çështje interesimi është jo në nivelin e duhur, sidomos në kursin për zdrukthëtari dhe metale edhe pse tregu i punës po i kërkon këto profesione e për të cilat nga këshilltarët janë të informuar punëkërkuesit” tha Aliu
Aliu tha se gjendja aktuale e numrit të punëkërkuesve në rajon është 29521 prej tyre 12848 femra. Sipas strukturës kualifikuese edhe më tej mbizotëron struktura e të pakualifikuarve (50.2%) , pastaj atyre me shkollë të mesme (35%), ndërsa me shkollë të lartë dhe fakultet janë 341 punëkërkues (3%).
Sipas strukturës së moshës mbizotëron mosha e re 16 vjeç – 39 vjeç (65.3%)
Struktura nacionale mbizotërojnë punëkërkuesit shqiptar me 88.3%, serb 10.7% te tjerë 1.1%.
Megjithatë zyrat e qendrës rajonale të punësimit vazhdojnë t`i frekuentojnë shumë qytetarë të papunë. Aliu tha se punëkërkues të rinj të lajmëruar për herë të parë në gjashtëmujorin e parë në shërbimet tona të punësimit në rajon janë 1722 punëkërkues prej tyre 679 femra.
Gjatë gjashtëmujorit të parë nga këshilltarët janë këshilluar 9586 punëkërkues derisa gjatë gjashtëmujorit të parë nga sektori i punësimit për zbulimin e vendeve të reja të punës janë hulumtuar 1101 ndërmarrje shtoj Aliu.
Sipas tij nga këto hulumtime janë zbuluar 703 vende të reja të punës derisa janë ndërmjetësuar në punësim 394 punëkërkues. Gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti me qellim të gjenerimit të vendeve të lira të punës janë realizuar disa projekte dhe programe në bashkëpunim me UNDP, projekti i Luxdevelopment,projekti “Kosova e Bukur” e financuar nga Komisioni Evropian (2 projekte, në Komunën e Kamenicës dhe Kllokotit),projekti i UNDP për të riatdhesuarit etj.
Aliu tha se janë bërë përgatitje për fillimin e realizimit të Projekteve të Punëve Publike të organizuar nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale në bashkëpunim me komunat ku komunat e Rajonit të Gjilanit kanë përfituar 8 projekte ku parashihet punësimi i rreth 233 punëkërkuesve./rajonipress/