RCCOLA

Punë falsifikuesish

/ 5 minuta lexim
RCCOLA

Nga Imer Mushkolaj – Ata që falsifikojnë historinë personale nuk e kanë hiç dert që ta sakatojnë historinë kombëtare. Të tregohen brutalë, ashtu siç vërtet janë.

Iu përgjigja pozitivisht, pas asnjë hezitim, ftesës për të nënshkruar një peticion, me qëllim kundërshtimin e rishikimit të historisë nën mbikëqyrjen e autoriteteve shtetërore turke. Nuk e bëra këtë për ndonjë arsye të veçantë, siç mund të pandeh dikush, por thjesht desha që si një qytetar i këtij vendi, me aq sa kam në dorë, të kontribuoj që të mos ndryshohet historia e popullit, të cilit i takoj.

Historinë po e ndërrojnë ata që munden, që e kanë forcën, por jo edhe argumentet. Në mënyrë të paskrupullt, sikur të jenë duke rrënuar një gjë të pavlerë, ata po vrasin të vërteta, po falsifikojnë një periudhë të tërë, vetëm për t’i bërë qejfin një shteti tjetër, trashëgimtar i një perandorie që na sundoi shekuj me radhë.

Do të isha dakord që lëshime flagrante në histori të korrigjohen, por vetëm si rezultat i punës së përbashkët shkencore të historianëve, e jo sipas urdhrave dhe kuteve politike.

Historia rishikohet dhe plotësohet vazhdimisht, sepse ngjarje e fakte historike mund të zbardhen e ndriçohen pandërprerë. Por, ajo nuk ndërrohet, as përmirësohet sa herë t’i teket dikujt për arsye puro politike, që lëndojnë dhe fyejnë një popull të tërë.

Më shqetësuese se vetë kërkesa e Ankarasë për të ashtuquajturat korrigjime e përmirësime në histori është pranimi me lehtësi nga Prishtina për t’i kryer ato. Pa pikë përgjegjësie morale, a historike kurrsesi, paria e Kosovës iu nënshtrua vullnetit të Turqisë, thua se po i bënte një favor dosido, e jo po shkatërronte me duar të veta të kaluarën, historinë, identitetin, të ardhmen e qindra brezave.

Ashtu siç shkruan në një paragraf të peticionit drejtuar institucioneve më të larta politike në Kosovë e Shqipëri, pushtimi pesëshekullor turk ka qenë i dhunshëm dhe përgjatë asaj periudhe të gjatë ka pasur vrasje, shfarosje, dhunë të vazhdueshme, ndërkohë që shqiptarët ishin populli më i persekutuar i Perandorisë. Si u bëka që dikush, që i thotë vetes historian, të vejë firmën në sakatosjen e historisë, për hatër të “vezirit” të Turqisë.

Turqia është tjetër shtet nga ish Perandoria Osmane dhe nuk ka pse i merr përsipër gjynahet e asaj kohe. Por, po, bën gjynah të madh, madje bën krim duke kërkuar nga një vend i vogël e i dobët, me udhëheqës të shantazhueshëm e të manipulueshëm, që të ndryshojë historinë.

* * *

Është gjëja më e lehtë të kërkosh ndryshimin e historisë nga tipa që nuk e kanë dert ta bëjnë një gjë të tillë. Nga tipa që më shumë se në ndërtimin e historisë, kanë investuar në falsifikimin historisë së vet. Nga ata që papritur na shfaqen në ballë të proceseve të rëndësishme të së kaluarës, edhe pse mund të mos kenë qenë fare prezentë.

Eco Higjiena

Çfarë përgjigje tjetër, përveç pozitive, pret të marrësh nga ata që e kanë specializim të falsifikojnë biografi, autobiografi e tituj shkencorë, ata që vjedhin libra e bëjnë doktoratura të dyshimta.

Çfarë të pritet tjetër nga ata që shpikin heroizma e vepra heroike, ata që “gjithnjë” kanë qenë në ballë të proceseve, ata që nuk ia njohin meritat dhe vlerat tjetrit, ata që e shkruajnë historinë si të duan e kur të duan, sepse kanë forcë e para dhe mendojnë se me to blejnë gjithçka – edhe historinë.

Çfarë të pritet tjetër nga ata që jo veç historinë, por edhe identitetin e vet janë në gjendje ta ndryshojnë, po që se iu del majmë llogaria.

Nuk pret tjetër veç nënshtrim e përulje, me qëllim përfitimi. Ndryshimi i historisë është cikërrimë për ta.

* * *

Rexhep Taip Erdogan mbase pandeh se Kosovën e ka pronë të tij dhe mund të bëjë çfarë të dojë me të. Ai edhe mund t’ia arrijë qëllimit – që historia e shqiptarëve nën sundimin osman të falsifikohet dhe e tillë të paraqitet në libra shkollorë. Por, asnjëherë dhe me kurrfarë force nuk mund t’i fshijë faktet nga pesë shekuj histori. Jo pesë vjet, por pesë shekuj!

Ai po keqpërdor fuqinë që ka për të kryer agresion kulturor ndaj Kosovës, siç u shpreh Ismail Kadare. Me ndërhyrjen e tij brutale, në bashkëpunim me politikanë e shkencëtarë pakurrizorë ai po i përçmon dhe fyen shqiptarët.

Bëmat historike as mund të “zbuten”, as “forcohen”. Ato që kanë ndodhur duhet quajtur me emrat e tyre të vërtetë, pavarësisht se dikujt mund t’i tingëllojnë pakëndshëm, brutale, të tmerrshme. Okupatori mbetet okupator, e krimet mbeten krime. Nuk ka si të quhen ndryshe.

Nëse gjithçka ecën sipas planit të “perandorisë”, atëherë 100 vjet pas çlirimit nga ta, sërish do të gjendemi të pushtuar. Kësaj radhe jo me ushtri nga osmanët, por me histori nga turqit.

Nëse lëshojmë pe tash, brezat e ardhshëm nuk do të na falin. E jona është të rezistojmë, pavarësisht se mund të mos jemi të fortë. Por, jo edhe aq të dobët, sa për të mos mbrojtur historinë dhe identitetin tonë.