Pulmologu: Gazi lotsjellës në hapësira të mbyllura mund të shkaktojë vdekjen

Janë bërë tash e disa muaj që seancat e Kuvendit të Kosovës po shoqërohen me aromën e rëndë të gazit lotsjellës, raporton Indeksonline.Gazi lotsjellës, i cili shkakton djegie të syve, hundës, gojës e lëkurës, rrjedhje të lotëve dhe pamje të turbullt, mund të shkaktoj pasoja shëndetësore deri te më e rënda, vdekje.
Pulmologu Skënder Baca ka thënë për Indeksonline se gazi lotsjellës hyn në grupin e gazeve toksike që sipas konventave ndërkombëtare mund të përdoret vetëm nga profesionistet (policia dhe policia ushtarake), dhe vetëm në bazë të urdhrave të sistemit komandues.
Sipas tij, përdorimi i gazit lotsjellës duhet të jetë i kujdesshëm si në aspektin hapësinor (hapësirat e jashtme, hapësirat e mbyllura të ventiluara) ashtu edhe në atë sasior.
“Përdorimi i gazit lotsjellës në hapësirat e jashtme zakonisht nuk shkakton pasoja afatgjata, kurse në hapësirat e mbyllura (si rasti i Kuvendit të Kosovës) mund të shkaktoj helmime serioze të traktit respirator (pezmatim, inflamim i bronkeve afatgjata), e rreziku më i madh është nëse ky gaz i prek edhe alveolat të cilat nëse inflamohen mund të çojnë gjerë në shok të mushkërive (sëmundja quhet ARDS-e, cila përfundon me vdekje në 85% të rasteve). E tërë kjo varet nga sasia dhe gjatësia kohore e ekspozimit”, ka thënë Baca.
Ai ka theksuar se nga aspekti shëndetësor dhe mjekësor absolutisht duhet pasur kujdes që gazi lotsjellës të mos përdoret nga personat e paautorizuar, joprofesionist.
“Është papërgjegjësi e madhe që të rrezikohet shëndeti dhe jeta e të tjerëve”, ka thënë Baca për Indeksonlie.
Kujtojmë se janë bërë më shumë se gjashtë muaj që deputetët e opozitës po gjuajnë gaz në sallën ku mbahen seancat plenare të Kuvendit të Kosovës, duke pamundësuar mbajtjen e tyre.
Po ashtu, gaz lotsjellës është hedhur edhe në protestat e tri partive opozitare të organizuara në Prishtinë, ku në mesin e protestuesve kishte edhe të moshuar e të mitur. /Indeksonline/