PTK+KEK = 22 km autostradë!
Nga Enis Veliu – Një miliardë euro, përfundimisht, i hëngri ndërtimi i pjesshëm i autostradës, që tash mban emrin e ish-presidentit të ndjerë Dr. Ibrahim Rugova.
Një kilometër, duke përfshirë këtu ndërtimin dhe shpronësimin e tokave, kushtoi 12 milionë euro, duke thyer kështu rekorde rajonale, por edhe më gjerë. Bërë një përllogaritje të thjeshtë kostoja e ndërtimit të dy kilometrave autostradë është gati baras me koston që është shitur Distribucioni i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) nga Besim Beqaj.
Ndërkaq, PTK-ja planifikohet të shitet përafërsisht sa kostoja e ndërtimit të rreth 20 kilometrave autostradë. Thënë më shkurt autostrada keq filloi, e keq mbaroi. Të gjithë u interesuan (sidomos gazetarët) për të marrë detaje rreth këtij projekti.
Por, përpjekjet gjithmonë kanë qenë të kota. Madje, si për çudi, gjërat këtu mbeten sekrete edhe pas largimit të ish-ministrit të Transporteve, Fatmir Limajt, i cili tashmë zyrtarisht është shfaqur si kundërshtar politik i shefit të tij (Hashim Thaçit). Po e shan këtë të fundit, edhe pse vetë edhe më tutje është anëtar i partisë që e drejtorin ai (Thaçi).
Atë kohë (para më shumë se katër vitesh) nënshkrimi i kontratës me turqit (pronar të kompanisë ndërtuese), dhe Qeverisë sonë, pikërisht ndodhi nga këta dy. Thaçi nënshkroi në emër të Qeverisë, e Limaj në emër të dikasterit që ka drejtuar atëherë. U shpenzuan shuma të mëdha parash, e që tashmë kjo po dihet publikisht.
Shumën e bënë publike të gjithë, por detajet edhe më tej kanë mbetur si sekret institucional (që deri më tash është i vetmi i kësaj natyre). Por, mister edhe më tutje mbeti personi, apo personat që morën përqindje për këtë projekt (në vendin tonë mesatarisht korrupsioni për tender lëviz nga 10 deri në 20 për qind). Kështu kanë thënë ata që kanë dhënë, por edhe ata që kanë përfituar tender.
Në ndërtimin e autostradës shteti i varfër (që po kërkon ndihma anembanë botës) humbi 1 miliardë euro. Disa familje humbën të afërmit e tyre, të cilët ishin duke punuar sa për të krijuar ekzistencën për veten dhe familjen e tyre. Punëtoret shqiptarë punonin për 10 euro në ditë. Madje, së fundi kjo shumë ka qenë edhe për lakimi.
Nga ndërtimi i autostradës miliardësh, disa familje kosovare humbën edhe më të dashurit e tyre. Dhe për këtë janë versionet zyrtare. Mirëpo, si zakonisht kompania që i ka kryer punimet gjithmonë është munduar t’i fshehë gjërat. Këta të fundit gjithnjë në vendin tonë e kanë pasur një aleat të fuqishëm, Hashim Thaçin, apo vëllain prej feje të kryeministrit turk, Rexhep Taip Erdogan.
Ndërtimi i autostradës la pa pronat, apo edhe shtëpitë e tyre që i kanë trashëguar brez pas brezi më shumë se 4 mijë qytetarë. Disa morën më shumë se që është dashur (si biznesmeni që privatizoi në atë kohë një pronë shoqërore në fshatin Bellanicë të komunës së Malishevës). Por, ka nga ata që nga paratë që morën, nuk mundën ta ngrenë as një shtëpi solide sa për t’i futur anëtaret e tyre të familjes.
Por, përpos gjërave që kanë mbetur sekret, në këtë projekt kanë ndodhur edhe parregullsi tjera e që janë vërejtur gjatë ekzekutimit të projektit në terren. Ndryshimi i trasesë është bërë në dy vende. Edhe kjo pa qëllim nuk është bërë, sado që në opinion mund të interpretohet si kursim paraje.
Po ndalemi te segmenti i fundit i autostradës nga Fushë Kosova e deri në fshatin Besi të Prishtinës, ku buxhetit të Kosovës llogaritet t’i ketë kushtuar përafërsisht rreth 200 milionë euro, shumë kjo e papërballueshme për arkën e varfër të shtetit.
Pavarësisht kundërshtimeve rreth 200 milionë euro u shpenzuan për ketë pjesë jofunksionale, ku tërë ditën mund të numërohen në gishta makinat që e shfrytëzojnë atë. Në kushte normale nëse e bëjmë një kalkulim kostoja e kësaj pjesë është e barabartë me ndërtimin e 10 mijë shtëpive me vlerë prej 20 mijë euro për secilën familje skamnore në vend.
Biznesmenëve, politikanëve dhe pak qytetarëve të pasur iu duhen autostradat e rrugët e mira. Mirëpo, skamnorëve që në vendin tonë nuk janë të paktë, iu duhen shtëpi për të strehuar familjet e tyre. Ata që nuk kanë shtëpi nuk çajnë kokën për autostradë, edhe nëse kjo e fundit do të kishte qenë e dekoruar me ar.
Zgjedhjet e fundit lokale në vend e dhanë një sinjal shumë të qartë për partinë e kryeministrit Thaçi, me ç’rast qytetarët e këtij shteti nuk i morën fare në konsideratë projektet që i ka realizuar ai. Por, ata e ndëshkuan me vota duke i humbur dy prej gjashtë komunave më të mëdha në vend. Autostrada u duhen atyre që kanë makina e para për t’i mbushur ato me derivate. Por, jo rreth 50 për qind të popullsisë në vend që konsiderohen të varfër.


