PTK sanksionohet sërish

Kompania Artmotion ka fituar një konflikt me PTK’në lidhur me shfrytëzimin e fibrave optikë. Vendimin në favor të kësaj kompanie e mori ART’ja, e cila edhe obligoi PTK’në që ta lejojë këtë kompani ta shfrytëzojë infrastrukturën e saj. Kjo është hera e dytë brenda dy muajsh që sanksionohet kjo ndërmarrje.

Brenda dy muajsh, Post-Telekomi i Kosovës u sanksionua dy herë nga Autoriteti Rregullativ i Telekomunikacionit. Një herë u gjobit me 150 mijë euro për shfrytëzim të paautorizuar të spektrit frekuencor, kurse tash e humbi një konflikt lidhur me shfrytëzimin e fibrave optikë, shkruan gazeta Express.

Kjo korporatë nuk ia kishte lejuar kompanisë Artmotion, shfrytëzimin e infrastrukturës së saj, në mungesë të kapaciteteve. Si pasojë, kompania parashtroi ankesë në Autoritetin Rregullativ të Telekomunikacionit.

Vendimi i kësaj të fundit nuk vonoi shumë. Ishte në favor të kompanisë “Artmotion”.
“Obligohet operatori PTK sh.a. që të lejojë bashkëshfrytëzimin e infrastrukturës së saj telekomunikuese, gjegjësisht mundësoi dhënien në shfrytëzim të fibrit optik të pandriçuar në pikat e prezencës, respektivisht relacionet si në vijim; a. Relacioni; Fushë-Kosovë – Mitrovicë (1 fije optike) b. Relacioni; Fushë-Kosovë – Ferizaj (1 fije optike)”, thuhet në vendimin ART-së.

Komisioni i caktuar nga ART-ja, gjithashtu gjeti se PTK-ja në trasetë e kërkuara nga pala parashtruese e ankesës ka numër të mjaftueshëm të fijeve optike. Po ashtu, kjo ndërmarrje nuk ka arritur të argumentojë mjaftueshëm me ndonjë plan se cilat janë nevojat reale të saj dhe sa është numri i fijeve optike të pandriçuara.
Ndërkaq, për procedurat për shfrytëzimin e përbashkët të infrastrukturës, rregullatori ua lë t’i rregullojnë vetë palët.

Sipas këtij vendimi, çmimi i huazimit të fibrit të pandriçuar është çështje që duhet të përcaktohet nga pronari i infrastrukturës, në këtë rast operatori PTK.
“Obligohen palët që të depozitojnë në ART një kopje të marrëveshjes të nënshkruar brenda pesë ditëve nga data e nënshkrimit të saj”, thuhet në vendim.
Megjithëkëtë, drejtori i Artmotionit, Kujtim Hajredini, nuk e ka komentuar vendimin e ART-së, duke lënë të kuptohet që nuk janë të kënaqur dhe se çështja nuk është zgjidhur definitivisht.

Bile, drejtuesit e kësaj kompanie po e presin një vendim tjetër të rregullatorit.
“NPSH Artmotion është në pritje të një vendimi tjetër të ART-së për zgjedhjen e drejtë dhe definitive të konfliktit duke konsideruar ART-në si institucionin rregullator që do të vlerësojë pretendimet e Artmotionit”, ka thënë Hajredini për “Express”.

Nga ana tjetër, zyrtarët e Post-Telekomit të Kosovës thonë se nuk bëhet fjalë për kontest, por për sqarime teknike të kërkesës së Artmotionit që ka kërkuar PTK-ja.
“Jo vetëm Artmotioni, por edhe çdo kompani e licencuar nga ART-ja në tregun kosovar ka të drejtë të bëjë kërkesa për shfrytëzimin e fibrave optikë të PTK-së. PTK-ja ofron kapacitet në vende ku ka mundësi teknike dhe aplikon çmimoret që janë në favorin ekonomik të saj”, ka thënë Arsim Bilalli, menaxher për Informim në Departamentin për Relacione me Publikun në PTK.

Ndryshe, muajin e kaluar, Rregullatori i telekomunikacionit e gjobiti PTK-në me 150 mijë euro për shfrytëzim të paautorizuar të spektrit frekuencor.

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS