Eko Higjiena

PTK po zhvlerësohet

/ 5 minuta lexim

Zvarritja e privatizimit të PTK’së vlerësohet se po ia ulë vlerën ndërmarrjes. Ekonomistët kosovarë kërkojnë nga Qeveria që të ketë kujdes me këtë proces, pasi në këtë situatë çmimi i shitjes nuk do të arrijë në 300 milionë eurot e parapara.

Alternativë mbetet ndërprerja e privatizimit, ndërrimi i menaxhmentit të kësaj ndërmarrjeje, lejimi i investimeve dhe ulja e numrit të të punësuarve.

Sa më shumë që po zvarritet, aq më shumë po e humb vlerën. Shtyrja e afatit për privatizimin e 75 për qind të aksioneve të PTK-së i ka bërë të mendojnë njohësit e ekonomisë se kështu nuk duhet të vazhdojë më ky proces.

Alternativë mbetet mosprivatizimi fare i kësaj ndërmarrjeje publike.

Sipas tyre, kritikat që shoqëria civile i ka adresuar për këtë çështje që nga viti 2010 po dalin të vërteta.

Drejtori i Institutit për Studime të Avancuara GAP, Agron Demi, thotë se qysh më herët kanë paralajmëruar se kriza financiare globale do të ketë ndikim negativ në ofertat dhe çmimin e shitjes si dhe imazhi korruptiv i vendit, hetimet për korrupsion në PTK dhe numri i madh i të punësuarve në të do të ndikojnë negativisht në këtë proces.

“Vetë shtyrjet e shumta na tregojnë se oferta për PTK nuk do të jetë e kënaqshme dhe se nëse nuk ndërpritet ky proces, ne mund të përfundojmë me një transaksion skandaloz, sikurse ai i shitjes së rrjetit të energjisë”, thotë Demi.

Sipas tij, në këtë gjendje që ndodhet PTK, me këto dështime të njëpasnjëshme dhe duke marrë parasysh fuqinë blerëse të kompanive të interesuara për blerjen e PTK, çmimi i shitjes nuk do të arrijë në 300 milionë eurot e parapara nga Qeveria e Kosovës.

Kreu i GAP-it kërkon nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik që tani për tani ta ndërpresë procesin e privatizimit të PTK.

“…Ta ndërrojë menaxhmentin e kësaj ndërmarrjeje, t’i hapet rrugë projekteve investuese të ndërprera vite më parë me qëllim që PTK të jetë konkurrente në treg, të ulet numri i punëtorëve dhe pas disa viteve të hapet sërish debat nëse do të duhej të shitej PTK ose jo”, thekson Demi.

Uji Dea

Kështu ishte kërkuar edhe në vitin 2011, kur dështoi për herë të parë shitja e një pjese të aksioneve të ndërmarrjes më fitimprurëse në vend.

Por as atëherë e as tani Qeveria nuk po i merr parasysh këto vlerësime.

Besim Beqaj, ministër i Zhvillimit Ekonomik, ka thënë se procesi i privatizimit do të vazhdojë dhe se shtyrja e afatit për dorëzimin e ofertave është bërë me kërkesë të investuesve dhe të institucioneve financiare ndërkombëtare.

“Pra zgjatet afati për dorëzimin e ofertave deri më datën 14 mars. Dhe arsye për një proces të tillë është të kemi oferta sa ma të qarta, të kemi mundësi që kompanitë që janë në proces të konkurrimit të japin oferta sa më të larta. Ne kishim para disa ditësh një takim edhe me BERZH-in dhe një ndër kërkesat e tyre ka qenë që ata të kenë kohë për të marrë pjesë në këtë proces”, ka thënë Beqaj.

Për dikë që merret vazhdimisht me investuesit e huaj, shtyrjet janë normale në procese të tilla. Kujtim Dobruna, kryesues i Nismës Ekonomike për Kosovën në Vjenë të Austrisë, pohon se qeveria e ka përfunduar punën e vet nëse e ka shpall tenderin dhe i ka përgatit dhe i ka hap mundësitë për oferta.

“Tash është proces që në shumë raste duhet me i marr parasysh kërkesat e investitorëve për me arrit një marrëveshje normale. Nëse është kërkesë e investitorëve, duhet të merret parasysh pasi që ka shuam faktorë që ndryshojnë gjatë procesit si çështja e financimit apo e vendimmarrjes, sidomos te investitorët e mëdhenj”, thotë Dobruna.

Ai nuk përjashton mundësinë se këto shtyrje mund të shfrytëzohen nga investuesit për të sjellë Qeverinë e Kosovës në një pozitë që ta shesë PTK-në më lirë.

Megjithatë, më së keqi, sipas tij, do të ishte po të dështonte procesi i shitjes si herën e parë.

“Kish me qenë sinjal negativ te investitorët nëse dështon komplet procesi”, pohon Dobruna.

Në këtë rast, qeveria, sipas tij, ish dashur të mendojë për ndonjë formë tjetër të privatizimit ose ta ndërpresë privatizimin dhe të investojë në kompani për të ofruar shërbime që ia rrisin vlerën.(express)