Uji Dea

PTK në vdekje klinike

/ 5 minuta lexim
Fundamenti

Edhe pas një muaj pushimi, Kuvendi i Kosovës nuk ka mundur as të enjten të këndellet dhe t’i tejkalojë përplasjet e thella në mes pozitës dhe opozitës rreth privatizimit të 75 për qind të aksioneve të Postës dhe Telekomit të Kosovës, që ka çuar deri te bllokimi i punës dhe zhytja në krizë të thellë e legjislativit.

Me të filluar seanca plenare e Kuvendit të Kosovës, deputetët e koalicionit dhe ata të opozitës kanë nisur debatin e tyre të fortë, i cili është shoqëruar me replika të rrepta e deri të fyerjet pikërisht për shkak të futjes apo mosfutjes në rend të ditës të një mocioni nga PDK-ja përmes të cilit është kërkuar që të votohet raporti qeveritar për privatizimin e PTK-së dhe më pastaj të procedohet me formimin e Komisionit Hetimor Parlamentar për hetimin e postës.

Insistimi i Grupit Parlamentar të partisë në pushtet, që fillimisht të votohet për mocionin (raportin e Qeverisë për privatizimin e PTK-së) dhe më pastaj të plotësohet me anëtarë komisioni hetimor, ka shtyrë grupet opozitare, LDK-në, VV-në dhe AAK-në që t’i braktisin punimet.

Kjo “rrëmujë” e krijuar në Kuvendin e Kosovës ka pamundësuar zhvillimin e punimeve, gjë që ka çuar deri të ndërprerja e seancës për shkak të mungesës së koriumit me vetëm 50 deputetë në sallë. Duke i parë pozicionet e ngurta të deputetëve të të dyja palëve, kryeparlamentari Jakup Krasniqi ka kërkuar pauzë (prej 30 minutash), në mënyrë që shefat e grupeve parlamentare të provojnë të gjejnë pika pajtimi, para se çështja të nxirrej në votim.

Por, as ky propozim nuk solli deri të zgjidhja për shkak se shefat e grupeve parlamentare as që janë ulur për të tejkaluar ngërçin e krijuar në Kuvendin e Kosovës për privatizimin e PTK-së. Pas pauzës, e cila zgjati gati një orë, nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti, njoftoi deputetët se nuk ka kuorum për t’i vazhduar punimet, derisa ka theksuar se kjo çështje duhet të shqyrtohet në mbledhjen e ardhshme të Kryesisë së Kuvendit, e cila siç tha ai duhet të vendosë për vazhdimin e kësaj seance për PTK-në.

Ai shfaqi shpresën se në ndërkohë do të arrihet një marrëveshje politike për zhbllokimin e punës së Kuvendit të Kosovës. E në ndërkohë, shefi i grupit kuvendor të PDK-së, Adem Grabovci u shpreh i shqetësuar me situatën e krijuar në Kuvend, pasi që sipas tij, logjika e bojkotimit të seancave nuk i kontribuon procese në Kosovë. Ai madje akuzoi LDK se po i bënë këto veprime për shkak të fushatës elektorale në kohën kur shumë komuna do të shkojnë në balotazh.

RCCOLA

Ndërsa, Ismet Beqiri i LDK-së tha se grupi i tij parlamentar nuk do të bëhet pjesë e votimit të një raporti, i cili siç tha ai, tenton ta legjitimojë një proces të paligjshëm. Fundi i fundit, deklaroi ai, nuk është përgjegjësi e LDK nëse ky bllokim mund të çojë në zgjedhjet edhe të parakohshme.“Nëse ata e kanë këtë vullnet që të shkojnë në zgjedhje të parakohshme dhe pësojnë edhe një goditje elektorale le ta bëjnë”, ka thënë ai.

Edhe Visar Ymeri i Vetëvendosjes tha se pa u formuar komisioni hetimor që do të hetojë privatizimin e asetit më të madh në Kosovë, PTK, nuk mund të futet në rend dite çështja e votimit të raportit qeveritar për postën.

Ardian Gjini i AAK-së, ndërkaq, është shprehur i shqetësuar më bllokimin e punës së Kuvendit duke thënë se që të dyja pikat e propozuara nga pozita e opozita duhet të votohen. Mirëpo, me të filluar seanca plenare ndodhi në përplasje e fortë mes Ismet Beqirit të LDK-së dhe deputetit të PDK-së, Berat Buzhala, ku nuk munguan as fyerjet për inteligjencë në mes tyre. I pari në foltore doli deputeti Buzhala, i cili iu drejtua Beqirit me fjalët:

“Kur e ni Ismetin tu fol për miliona, sikur me ni ndonjë baqicë (shtëpiake) në katund të flas për çështje të holla. Kjo është ofendim për secilin njëri që me kaq nënshalancë dhe me kaq papërgjegjësi me fol për një proces që është tepër i hollë dhe tepër i komplikuar që Ismeti me marrë vesh”.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i Beqirit, i cili me një nervozizëm iu drejtua Buzhalës më fjalët: ”po i kallëzoj këtij se ia kanë ngreh veshtë dhe i duhet me fol çka i thonë të tjetër. Bile ky më së paku merr vesh në punën e baqicave, por ky merr vesh në miliona të paligjshëm. Prandaj, Berat Buzhala është i njohur për manovrime politike, kurse sa i përket inteligjencës së tij kjo është e dëshirueshme dhe unë s’kam nevojë me e matë se qytetarët e Kosovës e masin edhe timen edhe të tijën”, kanë qenë fjalët e Beqirit. Ndërsa,deputeti i PDK-së, Shaip Muja e ndërlidhi rastin e PTK-së me aspektin e profesional prej mjeku, duke thënë se “PTK është një vdekje klinike”./zeri/