PTK-ja prishi imazhin Kosovës

Dështimi i shitjes së PTK-së, ka bërë që të prishet imazhi i Kosovës dhe investitorët e huaj ta shikojnë Kosovën me një sy tjetër. Kështu është thënë në konferencën, në të cilën është prezantuar Indikatori matës për bizneset i bërë nga Oda Ekonomike e Kosovës (OEK).
Kryetari i OEK-ut, Safet Gërxhaliu, ka deklaruar se nuk duhet që të vlerësohet i kënaqshëm niveli i investimeve gjermane.
“Gjermania e ka përkrahur Kosovën që nga paslufta, andaj duhet që të punohet më shumë që të rriten investimet gjermane”, ka thënë ai.
Edhe zëvendësambasadori gjerman në Kosovë, Mathias Kiesler, ka bërë më dije se mosprivatizimi i PTK-së, ka bërë që biznesi gjerman të krijojë hamendje për investime në Kosovë.
Sipas tij, edhe imazhi i Kosovës, në përgjithësi nuk është i mirë. Ai thotë se është shumë me rëndësi që të ndërtohet imazhi i përgjithshëm i Kosovës.
“Investimet gjermane janë rritur në Kosovë, kryesisht duke iu falënderuar lidhjeve personale që kanë bizneset kosovare me ato në Gjermani. Megjithatë në disa momente duhet të kthehem nga e kaluara. Çështja e privatizimit të PTK-së dhe çështja e dështimit të këtij privatizimi është një sinjal i cili mund t’i shqetësojë edhe investitorët tjerë. Mirëpo jam i vëmendshëm dhe konsideroj se nga ky pësim, do të mësohet diçka për të ardhmen”, ka deklaruar ai…(Tribuna).