Mobi Casa

Psikografi primatësh (IV) Albini

/ 4 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Xhemal Ahmeti – Thonë se Albin Kurti nuk bën hiçgjë pa e konsultuar Adem Demaçin. Këto spekulime majëzohen madje drejt jonosferës kur atij i mvishet funksioni i ekzekutorit praktik që jetëson planet e mentorit të tij në realpolitikën kosovare.

Diplomatë e gazetarë të huaj e trashin këtë rrëfim madje edhe për të ngritur teza formë komploti mbi opozitarin kosovar: ndërmjet disa faktorëve politikë kosovarë ekzistuaka kinse një marrëveshje për ta sponsorizuar dhe mbështetur radikalitetin e Albin Kurtit dhe organizatës së tij si mjet për të vënë bashkësinë ndërkombëtare nën presion sa herë që të shfaqet nevoja. Skena konkrete e kësaj teorie do të dukej kështu: Hashim Thaçi me ndërmjetësimin e Adem Demaçit instrumentalizon Albin Kurtin për ta vënë baroneshën Ashton nën presion duke i thënë: “mos më akuzoni pastaj kur të na dalë situata nga kontrolli, ata çegevarat që kërkojnë bashkimin etnik të shqiptarëve në Ballkan dita-ditës shumohen dhe rrezikojnë projektin tonë”. Absurd apo jo? Kundërthënëse këto teza mbi instrumentalizimin dalin po ashtu sepse bien ndesh së paku me dy tipare konstante të shefit të “Vetëvendosjes”: Inteligjencën dhe kryeneçësinë!

ARDHJA

Në skenën politike kosovare Albini 22 vjeçar shfaqet flokëgjatë, me këmishë të bardhë, përkrah studentëve, profesorëve në protestë (1 tetor 1997) kundër uzurpimit serb të institucioneve të arsimit. Një vit më vonë studenti Kurti është sekretar i Adem Demaçit, asokohe përfaqësues i përgjithshëm politik i UÇK-së. Në prill të vitit 1999 arrestohet dhe një vit më vonë dënohet me 15 vjet burg. Para gjyqit recitoi fjalinë e famshme të të gjithë revolucionarëve të botës, duke thënë se nuk e njeh gjyqin dhe se nuk pendohet për atë që ka bërë. Për lirimin e tij pati edhe mobilizime ndërkombëtare. Në prill të vitit 2003 i rikthehet Kosovës si polit-ikona e gjeneratave të reja. Është kontribut i Albin Kurtit që Kosova sot disponon me opozitën (“Vetëvendosja” – si nxitëse reformash dhe denoncuese politikash të dëmshme) më aktive dhe më të fuqishme në rajon.

MBETJA

Ende pa u mbyll duhet vrimat e shkaktuara nga bazukat dhe topat serbë fasadave kosovare, Albin Kurti nis luftën për shkolonizimin e vendit të tij nga superfuqitë dhe administrata ndërkombëtare. Prej atyre që e çliruan, kërkon që të shporren sa më parë. Kryefjala e tij: vetëvendosje! Në komunikim me masat përdor një fjalor të thjeshtë me krahasime po si ata profetët e vjetër fetarë, është i kapshëm për çdo nivel, flet shkurt dhe shqip në bazë të dëshirave apo mllefit të atyre që e dëgjojnë. Në raport me aktorët tjerë politikë veçohet me gishtin e tij kërcënues. Formulimet biografike si “Gjatë kësaj kohe ka qenë i angazhuar në gjetjen e zgjidhjes politike për krizën në Kosovë” manifestojnë një lider që beson të jetë mesia i shpëtimit të Kosovës. E njëjta mendjemadhësi paraeksploduese syprinohet edhe kur në pozën dhaskalit komunikon me apo për liderët tjerë në stilin “Unë ia sqarova Ramushit …”. Se ky kompleks i superioritetit të udhëheqësit dëmton organizatën tregon edhe ngushtësia debatuese dhe monokultura politike që mbizotëron në “Vetëvendosje”. Edhe pse brenda këtij subjekti militojnë të rinj me përgatitje të shkëlqyeshme akademike, personalitete dhe njerëz të aftë, ata perceptohen vetëm si papagaj që përsërisin parullat e Njëshit.

Uji Dea

ANALIZA:

Në çështjet patriotike: Koncepton atdheun si projekt personal.
Në politikë: Autoritar. Populist me doktrinë izolatore që e maskon me “luftën kundër neokolonializmit”. Pretendent që nëpërmjet protestës dhe integrimit demokratik synon qeverisjen e vendit.

Perceptimi jashtë: Neomarksist me metoda të revolucionarëve të 68-s perëndimore. Perceptimi brenda: Korrektor i nevojshëm i politikave qeveritare.
Ethosi: Hegelian i së majtës (ose i Ri).

Diagnoza: Albin Kurti do të vazhdojë të jetë figurë me peshë të rëndësishme mobilizuese politike derisa të integrohet në qeverisje. Që këtej do ta nisë karrierën e politikanit pragmatik dhe të aftë për kompromise.

NOTA JONË (për rolin aktual): Mirë!