Fundamenti

Pse Ritën?

/ 5 minuta lexim
RCCOLA

Nga Leonard Kerquki – Ta zgjedhësh Rita Orën “Personalitet të Vitit” ndoshta është diçka e natyrshme dhe nuk mund të konsiderohet ndonjë gjetje e madhe e gazetës. Megjithatë, të mos ia japësh asaj këtë epitet, është absurditet.

Me vështirësi të mëdha, drejtuesit e Gazetës Express vite më parë instaluan modelin e përzgjedhjes së “Personalitetit të Vitit” në çdo numër të fundit të vitit. Ky model i importuar nga mediat perëndimore nuk dukej se ngjiste shumë në Kosovë dhe njerëzit e merrnin me shumë dyshime përzgjedhjet e bëra – iu dukej pak pretencioze dhe në shumicën e rasteve udhëhiqeshin nga ideja se duhet të ketë një konsensus gjithëpopullor për njeriun që merr këtë epitet, diçka absurde për mediat perëndimore që kanë një traditë të gjatë në këtë aspekt.

Debate të ngjashme kemi pasur edhe në redaksi për çdo dhjetor kur diskutonim më intensivisht për njeriun që do ta qesim në faqen e parë të atij që quhet “numër festiv”.

Por sivjet ishte krejt ndryshe, të paktën në redaksi dhe tek kolegët e redaksive tjera të cilëve iu treguam se kë do ta zgjidhnim “Personalitet të Vitit”.

Pothuajse me një zë vendosëm që këtë epitet t’ia japim Rita Orës, këngëtares së famshme britanike me prejardhje shqiptare. Konsensusi ishte aq i madh, saqë na frikësoi se mos përzgjedhja nuk do të ishte “lajm”, pra diçka që nuk përbën interes, një zgjedhje e zakonshme. Ndoshta edhe është e tillë, por do të ishte tejet absurde sikurse ta zgjidhnim dikë tjetër e jo Ritën, vetëm për të qenë interesant.

Gjatë vitit 2012, Rita Ora i ka krijuar një favor të jashtëzakonshëm Kosovës dhe shqiptarëve, një favor i pritur me vite nga ne. Sot ajo është fytyra jonë më të cilën gjithmonë kemi dashur t’i paraqitemi botës, pra jo me kriminelë që vrasin dhe bëjnë tregti droge në vendet perëndimore, jo më me luftën, shkatërrime, varfri, korrupsion dhe njëmijë e një të zeza tjera.

Me Rita Orën kemi një pamje tjetër, një fytyrë tjetër, një fytyrë të bukur.

Kjo për kombet e vogla, siç jemi ne, ka një rëndësi të madhe.

Mos të keqkuptohemi, Rita nuk do ta ndreq imazhin e prishur nga ne për vite me radhë. Por ajo është një pikë tjetër reference, një referencë e mirë e Kosovës për të rinjtë e botës dhe një shtysë për kosovarët e rinj që kanë ëndrra të ngjashme me ato të Ritës.

Këtë në fakt edhe po tenton ta bëjë Rita. Realizimi i spotit të këngës “Shine Ya Light” në Prishtinë ka këtë qëllim. Aty ajo tenton të jap pamje të bukura të kryeqytetit kosovar, paraqet të rinj optimistë, të lirë, europianë.

Eco Higjiena

Edhe teksti i këngës është një lloj himni për ne, për ne që himnin e kemi pa tekst.

“Ne nuk dorëzohemi deri sa të na dojë qejfi / E shohim fundin dhe kurrë nuk lodhemi / Ne jemi fitues sepse e mbajmë titullin e botës / Ne filluam ngadalë, por ju fituam në finale”.

Për të qenë tregimi akoma edhe më i mirë, duhet thënë se ky është veç fillimi i Ritës – një rrugë e gjatë dhe e lavdishme e pret atë. Ne nuk kemi ndonjë kontribut në ngjitjen e saj të hovshme, prandaj na mbetet vetëm t’i gëzohemi sukseseve të saj të ardhshme ashtu sikurse bëmë gjatë këtyre viteve.

Këtë mund ta bëjmë.

Por ka edhe një arsye tjetër pse Rita Ora është “Personalitet i Vitit”.

Duke e zgjedhur këtë vajzë të talentuar, ne kemi tentuar t’i nderojmë edhe krejt gratë dhe vajzat kosovare të cilat kanë një kontribut të madh për atë çfarë jemi dhe çfarë gëzojmë sot si komb. Jam thellësisht i bindur se pikërisht pamjet e grave refugjate në vitit ‘99 goditën fuqishëm në ndërgjegjen e botës dhe e shtynë atë të ndërhyjë ushtarakisht për të ndalë spastrimin etnik dhe për t’i shpëtuar kosovarët e persekutuar. Kujtojeni pak atë gruan në ballë të kolonës së refugjatëve duke i dhënë gji foshnjës së saj. Kujtoni edhe lëvizjen e fuqishme të grave para dhe gjatë luftës. Flora Brovinën, Igballe Rugovën, Edi Shkukriun… Apo vajzat që iu bashkëngjiten luftës së UÇK’së. Të tjerat që si gazetare apo përkthyese ndikonin direkt tek gazetarët e huaj për sensibilizimin e opinionit botërorë për gjendjen e mjerueshme të popullit tonë.

A ka nevojë të përmendet Nëna Terezë?!

Apo bashkëkohaniket e Ritës – Majlinda Kelmendi dhe Fatmire Bajrami?

Krahas kësaj, historia e Kosovës është ngushtë e lidhur me gra të fuqishme të globit, të cilat ndaluan spastrimin etnik, ndihmuan në pavarësimin e Kosovës dhe tash përpiqen të ndërtojnë këtu një shtet demokratik.

Le të jetë ky numër gazete një falënderim edhe për Madeleine Albright, Hillary Clinton, Rosemary Di Carlo, Ulrike Lunacek…