Eko Higjiena

Pse pranuam të varemi nga leja e Beogradit

/ 15 minuta lexim
Uji Dea

Nga Augustin Palokaj – Pse Qeveria e Kosovës për dy vjet qëllimisht e ka heshtur faktin se „lehtësuesit“ e BE-së i kanë garantuar Serbisë se në dialog do të respektohet Kushtetuta e saj.

Sjellja e butë e Kosovës (duke shprehur madje edhe „mirëkuptim“ që të mos kërkohet njohja e Kosovës nga Serbia) dhe “neutraliteti i BE-së” kanë ndikuar që Beogradi të bëhet aq agresiv saqë të kërkojë “autonomi në autonomi” , të sillet sikur Kosova nuk ka status dhe e tërë Kosova është “problem i pazgjidhur”.Si rezultat të sjelljes së Kosovës në dialog si e “gjelit pa kokë” tash kemi situatën në të cilën ecja drejt BE-së është kushtëzuar nga raportet me Beogradin dhe nga Beogradi tash na duhet madje edhe leja për të luajtur futboll.

Për të satën herë duhet sqaruar se Kosova nuk ka pasur mundësi e nuk ka as sot që të refuzojë dialogun me Serbinë. Po ashtu duhet sqaruar se në Kosovë, me përjashtim të lëvizjes “Vetëvendosje”, asnjë subjekt i rëndësishëm politik nuk ka qenë kundër dialogut me Serbinë. Madje edhe “Vetëvendosja” kohëve të fundit ka një qëndrim jopërjashtues të dialogut por, siç shprehen përfaqësuesit e saj, është kundër dialogut të pakusht. Këtë duhet sqaruar për të kursyer nga reagimet e panevojshme dhe arrogante ndërkombëtare dhe vendore se “dialogu nuk ka alternativë”. Ata që me gjuhë të tillë tash e tre vjet janë mbrojtur nga kritikat për dialogun në mënyrë foshnjore kanë implikuar sikurse kritikët e dialogut janë për „konflikt“ që është e kundërta e dialogut. Dhe këtu kemi pasur një harmoni të atyre pak personave në Bruksel që merren me dialog dhe përfaqësuesve të qeverive të Kosovës dhe Serbisë.

Qëllimisht ata të cilët kanë ndier se duhet të mbrohen kanë ngatërruar kritikat me të qenit kundër. E këto nuk janë gjëra të njëjta. Ata që kanë kritikuar dialogun nuk do të thotë se doemos kanë qenë kundër.

E tash duhet dhënë një epilog të asaj që ka ndodhur deri më tash në dialog dhe pasojat dhe rezultatet që kanë dalë nga ai. Bilanci gjithsesi shkon në favor të Serbisë. Së pari dialogu u nis me propozime të Beogradit, pra si rezultat i një rezolute në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Ajo rezolutë arriti një efekt të madh në neutralizimin e një mendimi aq pozitiv për Kosovën që kishte dhënë Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. Në vend që Kosova dhe miqtë e saj të shfrytëzonin atë mendim të jashtëzakonshëm, dhe të kërkonin njohje të menjëhershme nga të gjitha shtetet të cilat thirreshin pikërisht në të drejtën ndërkombëtare në argumentet për të mos e njohur Kosovën, të gjithë filluan të merren me dialogun. Kjo dukshëm ngadalësoi njohjet. Ajo që bëri dëm edhe më të madh BE-ja, në vend që të punojë për të bindur vetëm 5 anëtare të saja që të bashkohen me shumicën për ta njohur Kosovën, ajo për të ruajtur rolin e saj „neutral si lehtësues“ e bëri të kundërtën. Qartë persona nga Zyra e baroneshës Ashton u thanë shteteve, të cilat nuk e kanë njohur Kosovën, por edhe opinionit dhe Serbisë, se një gjë e tillë është „përparësi e madhe e BE-së, sepse kjo e bën BE-në si lehtësuesen më të mirë të mundshme në dialog“. Kështu dialogu në vend që të jetë mjet për të arritur qëllim për vite, po vazhdon të jetë qëllim në vete.

Dialogu nuk i hoqi, por i legjitimoi strukturat paralele në veri

Serbisë iu garantua se nga ajo nuk do të kërkohet asgjë që do të vinte në pikëpyetje qëndrimin e saj refuzues ndaj pavarësisë së Kosovës. Serbia fitoi statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE. Heqja e strukturave paralele në veri të Kosovës u bë vetëm duke hequr fjalën „paralele“. Edhe pse zyrtarë të Qeverisë së Kosovës zotoheshin se ato struktura do të hiqen shpejt, madje duke dhënë edhe si datë muajin nëntor të vitit 2011, ato struktura u forcuan edhe më shumë. Ndodhi edhe më keq. Ato tash edhe nga zyrtarë të Kosovës përmenden si „struktura të vetme në atë pjesë“, ndërsa të gjithë e dinë se ato janë struktura të Serbisë. Pra, dialogu nuk ndihmoi që të ndalen pretendimet territoriale të Serbisë ndaj Kosovës. Bëri të kundërtën, ndihmoi që ato të legjitimohen.

Kosova nuk fitoi shumë. Para Kërshëndellave të vitit të shkuar Edita Tahiri, në atë kohë e dërguar e posaçme e kryeministrit Thaçi për dialog, na fliste për një „pako dhuratash nga BE-ja“. Tash një vit më vonë më nuk na përmend askush dhurata. Nuk kemi vendim për nisjen e negociatave për Marrëveshjen SAA, nuk kemi asnjë lidhje kontraktuale, ndërkohë që larg jemi nga liberalizimi i vizave. Edhe kur të bëhen „lidhje kontraktuale“, ato nuk do t’i kemi sikur shtetet sovrane, por si „entitetet që nuk janë shtete sovrane“. Kur këtë e përmendëm në një konferencë në Prishtinë, përfaqësuesi i BE-së u dëshpërua duke na quajtur „jomirënjohës ndaj BE-së, e cila i ka dhënë një ofertë zemërgjerë Kosovës“. Por nuk është fjala këtu për falënderime apo mirënjohje. Këtë e ka përmendur vetë BE-ja në dokumentet e saj ndërkohë që pikërisht Hashim Thaçi e ka shpallur pavarësinë e Kosovës.

Tash, nëse pranohet që Kosova të hyjë në raporte me BE-në si joshtet, nëse ka pranuar që të marrë pjesë në nismat rajonale dhe ato ndërkombëtare me fusnotë, duke u dalluar nga të gjitha shtetet e tjera, atëherë Kosova vetë po pranon të trajtohet ndryshe. Ky është konstatim i një fakti e jo kritikë e as shprehje kundër. Në fund të fundit, Qeveria është ajo e cila ka mandatin për të vendosur në emër të qytetarëve, por kjo nuk është arsye për t’ua mbyllur gojën atyre që mendojnë ndryshe rreth dialogut. Në vend të „pakos me dhurata nga Brukseli“ këtë fundvit kemi shtimin e kushteve pa asnjë zotim nga BE-ja dhe kemi edhe në letër kushtëzim formal të përparimit të Kosovës në rrugën drejt BE-.së me atë të Serbisë dhe madje në nivele shumë të pabarabarta; Kosova drejt hapjes eventuale të negociatave për Marrëveshje të papërcaktuar Stabilizim-Asociimi, ndërsa Serbia për hapje të negociatave të anëtarësimit. Shprehur në numra, dallimi është diku 10 vjet në proces, duke mos llogaritur vonesat shtesë që mund të shkaktojë mosnjohja e Kosovës nga ana e 5 shteteve të BE-së që rezulton me situatën ku Kosova nuk është shtet as për BE-në.

Beogradi merr rol për të ndikuar në politikën e brendshme dhe të jashtme të Kosovës

Pse Qeveria e Kosovës për dy vjet qëllimisht e ka heshtur faktin se „lehtësuesit“ e BE-së i kanë garantuar Serbisë se në dialog do të respektohet kushtetuta e saj, e cila përmend Kosovën si „pjesë të Serbisë“. Sjellja e butë e Kosovës (duke shprehur madje edhe „mirëkuptim“ që të mos kërkohet njohja e Kosovës nga Serbia) dhe „neutraliteti i BE-së“ kanë ndikuar që Beogradi të bëhet aq agresiv, saqë të kërkojë „autonomi në autonomi“ , të sillet sikur Kosova nuk ka status dhe e tërë Kosova është „problem i pazgjidhur“.Si rezultat të sjelljes së Kosovës në dialog si e „gjelit pa kokë“ tash kemi situatën në të cilën ecja drejt BE-së është kushtëzuar nga raportet me Beogradin dhe nga Beogradi tash na duhet madje edhe leja për të luajtur futboll.

ARKATANA

Kosova nuk ka arritur në dialog synimin që e kishte shprehur para dy vjetësh. Nga ana e tjetër, nuk mund të tërhiqet nga dialogu edhe pse platforma e Serbisë e fundit do të mund të shfrytëzohej si arsye për të mos marrë pjesë në dialog. BE-ja nuk do të heqë dorë nga dialogu, sepse duket se është e vetmja gjë me të cilën mund të mburret baronesha Catherine Ashton dhe shërbimi i saj diplomatik që është nën kritika të ashpra nga të gjitha anët për mungesë të rezultateve. Mund të merrni parasysh sesa të suksesshëm janë në pjesë të tjera të botës kur dialogu me Hashim Thaçin dhe Ivica Daçiqin konsiderohet si njëri ndër sukseset më të mëdha të baroneshës Ashton më pak se dy vjet para mbarimit të mandatit të saj.

Në Bruksel mendojnë se në dialog është arritur edhe një „afrim personal mes Thaçit dhe Daçiqit“. Nga burimet diplomatike baronesha Ashton citohet t’u ketë thënë ministrave të BE-së, duke u lavdëruar se sa shumë i ka afruar „dy ish armiq“ se : „Në fillim Daçiqi dhe Thaçi e kishin vështirë t’ia shtrëngonin duart njëri-tjetrit. Tash janë relaksuar dhe nuk hezitojnë as t’ia rrahin krahët njëri- tjetrit!“. Vetë Daçiqi në një konferencë në Bruksel kishte shkuar aq larg saqë pati thënë se ai dhe Thaçi „janë bashkuar kundër Ashtonit!“. Këtë e kishte thënë kur këta dy kishin rënë dakord për të kërkuar para nga BE-ja për ndërtimin e autostradës Prishtinë – Nish. „Nëse kërkoni që ne të bashkëpunojmë, duhet edhe të paguani“, pati thënë Daçiq, t’i jetë përgjigjur baroneshës Ashton, kur kjo ka thënë se „ju tash jeni bashkuar kundër meje“.

Nëse Daçiqi dhe Thaçi mendojnë se Ashton mund t’u sigurojë para nga buxheti i BE-së për autostradë, nëse besojnë zyrtarët e Kosovës se ajo mund t’u sigurojë MSA apo heqje vizash, atëherë mashtrohet shumë, sepse këto gjëra nuk janë në kompetencat e saj. Besimi në fuqinë e baroneshës Ashton në këto raste është shprehje e mosnjohjes së gjërave më themelore të funksionimit të BE-së. Qytetarët e Kosovës nuk besojnë aq shumë. Ata, të ngopur me premtimet e parealizuara për heqje vizash, më shumë u besojnë premtimeve të kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, për t’u pajisur me pasaporta të Shqipërisë dhe për të udhëtuar pa viza në BE, sepse ndonjë heqje të shpejtë të vizave për kosovarët.

Brukseli po ashtu beson se “njerëzit e luftës” mund të bëjnë kompromise më lehtë

Kryeministri Thaçi, i cili duket se edhe vetë më në fund ka pranuar pakënaqësinë me të arriturat në rrugën drejt BE-së, duke e fajësuar natyrisht Brukselin, megjithatë ka një fat të madh. Sa herë është në ndonjë krizë atij i vjen shpëtimi nga diku. Pas manipulimit të votave, ishte BE-ja dhe ambasadori amerikan që ndihmuan të tejkalohet kriza. Njëlloj ndodhi kur i zgjedhuri i tij për president të Kosovës, Behxhet Pacolli, u shpall si jokushtetues. Tash, kur ndoshta është i vetëdijshëm se dialogu duhet të vijë në pikën kur do të diskutohet veriu i Kosovës, dhe kur vetë baronesha Ashton paralajmëron ardhjen e kohës për “vendime të rënda”, Thaçit në ndihmë i ka ardhur Ramush Haradinaj. Me kredibilitetin e tij patriotik, me popullaritetin e fituar me pafajësinë e shpallur në verdiktin e Tribunalit të Hagës, me heshtjen e menjëhershme të AAK-së për korrupsion dhe afera të pushtetit në Kosovë, qeveria e Thaçit nuk ka mundur të ketë ndonjë „lehtësim“ më të madh në këtë kohë sesa afrimin me Haradinajn. Madje Thaçit kjo tash i ka lënë kohë dhe hapësirë të rregullojë punët në partinë e tij duke marrë pjesë nëpër takimet në degë dhe nëndegë, ani pse nëpër ato takime në Prizren dhe Kaçanik flet ndryshe nga ajo që thotë në Bruksel.

Edhe në Bruksel nga ata që janë „afër dialogut“ dëgjohen fjalë mbështetëse për bashkëpunimin e Thaçit me Haradinajn. Disa prej tyre citohen të kenë thënë se „lirimi i Haradinajt dhe gjeneralit kroat Ante Gotovina nuk janë lajme të mira për pajtimin në rajon, por tash kjo mund të shfrytëzohet për dialog“. Sado e thjeshtë që duket, në Bruksel vërtet një numër i konsiderueshëm diplomatësh besojnë se është një „moment i mirë kur në Kosovë dhe Serbi kemi njerëzit e luftës në pushtet dhe ata duhet të ndërtojnë paqen dhe të marrin vendime të vështira, sepse askush nuk mund t’i akuzojë ata për tradhti duke pasur parasysh të kaluarën e tyre“. Pra Brukseli i mbështet ata, jo pse u pëlqejnë, apo pse besojnë në orientimin e tyre evropian, por për shkak se besojnë se me ta mund të kryejnë punë. Si shembull kemi mënyrën se si tash në Bruksel lavdërohet Qeveria e tashme e Serbisë më shumë sesa ajo e mëparshme: „Kjo qeveri bën atë që thotë, nuk ka dallim mes fjalëve dhe veprave“, pati thënë komisioneri i Zgjerimit të BE-së, Stefan Fule, për Qeverinë e Serbisë, edhe pse e toleruan tej mase ish-presidentin serb Boris Tadiq, duke dashur t’i ndihmojnë që të mbetet në pushtet si „forcë proevropiane“

Hashim Thaçi dhe Ramush Haradinaj janë politikanë dhe vetë do të dinë se si të veprojnë për veten e tyre. Fundi i fundit, ata do të ndajnë meritat për sukseset e mëdha, por edhe përgjegjësinë për vendime të vështira. Nëse i bëjnë numrat në Kuvend, atëherë askush nuk mund t’i ndalë që të bëjnë edhe rikompozimin e Qeverisë dhe ndarjen e posteve të tjera.

Forcimi i shtetit ndihmon integrimin në BE më shumë sesa dialogu

Sa për dialogun, përmes të cilit kemi pranuar që të na duhet leja e Beogradit për të ecur përpara drejt integrimeve në BE e madje edhe për punë të brendshme të Kosovës, duhet të bëhet një analizë e kujdesshme dhe një pushim i përkohshëm. Kosova, duke pasur parasysh strategjinë e Serbisë, duhet ta ndërtojë një strategji të veten. Dhe atë strategji nuk duhet kurrsesi ta bëjë me BE-në, por me vendet anëtare, të cilat e kanë njohur Kosovën dhe duan të ndihmojnë në forcimin e shtetësisë së saj. BE-ja dhe NATO-ja mund të ndihmojnë në shumë gjëra, por nuk mund të ndihmojnë në ndërtimin e shtetit, sepse për to Kosova nuk është shtet fare dhe nuk do të jetë për disa vjet. Derisa kjo të mos ndodhë, nuk ka as gjasa minimale për të bërë as hapat e parë drejt anëtarësimit në BE dhe NATO.

Tash Kosova urgjentisht duhet të vendosë që FSK-ja të bëhet edhe formalisht ushtri e Kosovës. Për këtë duhet të lidhë marrëveshje bilaterale për bashkëpunim ushtarak me shtetet e NATO-s dhe të BE-së që e njohin shtetësinë. Asnjë demilitarizim i Kosovës nuk mund të ndodhë, përderisa në Kushtetutën e Serbisë të mos figurojë Kosova si pjesë e Serbisë dhe ushtria e Serbisë të mos jetë e detyruar të mbrojë Kushtetutën. Nga shtetet kryesore që e mbështesin Kosovën duke kërkuar edhe ndihmë në fushat e tjera. Një shqetësim, tash për tash i vogël, duhet të jetë edhe mospjesëmarrja e SHBA-së në dialog. Në atë dialogun e mëparshëm të Edita Tahirit me Borko Stefanoviqin në takime ishte i pranishëm edhe një përfaqësues amerikan, tash në takimet e Thaçit me Daçiqin nuk ndodh një gjë e tillë, edhe pse SHBA-ja „,mbështet fuqishëm dialogun“ siç di të na kujtojë gjithmonë kryeministri Thaçi. Por “mbështetja e fuqishme“ nuk është njësoj sikur edhe pjesëmarrja.

Premtimet për „integrime evropiane“ janë aq afatgjata, saqë nuk ia vlen të besohet shumë në to. Në fund të fundit, siç jemi dëshmitarë në procesin e anëtarësimit të Kroacisë, është forcimi i shtetit ai që hap dyert e integrimit e jo premtimet e zyrtarëve nga Brukseli, të cilët vijnë e shkojnë dhe nga të cilët askush asnjëherë nuk do të mund të kërkojë llogari.