Pse po investohet

/ 4 minuta lexim
Uji Dea

Qeveria e Kosovës e ka në strategji mbylljen e termocentralit Kosova A deri në vitin 2017, e në anën tjetër, investon miliona euro në blloqet e këtij termocentrali.

Edhe Komisioni Europian vazhdimisht kërkon që këto blloqe të shuhen. Burime të Expressit tregojnë se një prej arsyeve të mosmbylljes është edhe se grupe të interesit duan t’i shesin pajisje KEK-ut për këto blloqe.

Qeveria në krye me Hashim Thaçin, si duket nuk po mundet ta shtyjë deri në fund strategjinë e saj energjetike. Sipas strategjisë së Qeverisë, Kosova A do të mbyllej deri në vitin 2017 dhe do të ndërtoheshin kapacitete të reja prodhuese të energjisë. Për këtë ishte pajtuar edhe me Komisionin Europian. E siç po shihet, kapacitete të reja gjeneruese nuk do të ketë edhe për shumë vjet, për shkak se Kosova e Re nuk është as gati, e ndërtimi i hidrocentraleve është ndaluar nga Qeveria.

Burime të Expressit tregojnë se në rrugë kësaj strategjie i kanë dalë edhe kompani të caktuara, të cilat kanë për qëllim t’i shesin pajisje Korporatës Energjetike për dy termocentralet e Kosovës A.

“Kjo është dashur të mbyllet sa më shpejt dhe është futur në agjendën e Qeverisë dhe Komisionit Europian, por tash nuk po mbyllet për shkak se është edhe interes i dikujt që të investohet në termocentralet e Kosovës A”, tha ky burim i Express.

Komisioni Europian, edhe një herë gjatë ditëve të fundit, tha se Kosova A duhet të shuhet.

Por drejtuesit e KEK-ut me ngulm thonë se do të investohet në blloqe dhe do të revitalizohen për t’u shuar dikur më vonë.

Leonita Shabani, zëdhënëse në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, thotë se mbyllja e këtij termocentrali është obligim ligjor dhe premtim shtetëror në raport me Bashkimin Evropian, kështu që viti 2017 është vit i mbylljes.

“Ky mbetet njëri nga prioritet kryesore në kuadër të sistemit energjetik në vend. Njëkohësisht, mbetet përkushtim i Republikës së Kosovës për të implementuar këtë vendim në të ardhmen”, konfirmon Shabani.

Hidromorava

Vendimi për ndërtimin e këtij termocentrali, shkruan agjencia Evropa e Lirë, është marrë gati qe një dekadë, por ende nuk është realizuar.

Madje, sipas zyrtarëve të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, ky projekt tashmë gjendet në udhëkryq. Për këtë qëllim, edhe zyrtarë të Korporatës Energjetike të Kosovës insistojnë që termocentrali Kosova A të jetë në sistem deri në ndërtimin e kapaciteteve të reja.

Viktor Buzhala, zëdhënës në këtë korporatë, thekson se mbyllja e këtij termocentrali pa ndërtimin e termocentralit Kosova e Re, i shkakton humbje të mëdha financiare vendit.

Termocentrali Kosova A ka kapacitet prodhues rreth 400 megavat orë energji, ndërkaq në fillim të këtij viti, KEK-u ka filluar revitalizimin e njësisë A-2 të këtij termocentrali.

“Kjo është arsyeja pse ne këmbëngulim që të jetë në sistem deri në ndërtimin e kapaciteteve të reja gjeneruese, të cilat mund të ndërtohen edhe në vitin 2017, pasi ne nuk mund të paragjykojmë në këtë drejtim”, shprehet Buzhala.

“Në rast se paraqitet ndonjë problem në shtyrjen e zbatimit të projektit që lidhet drejtpërdrejt me funksionalizimin e termocentralit Kosova e Re, atëherë ka gjasa që të prolongohet deri në një periudhë të shkurtë kohore mbyllja e termocentralit Kosova A”, tha Shabani. Edhe përfaqësues të konzorciumit të shoqërisë civile për zhvillim të qëndrueshëm, që vazhdimisht janë marrë me çështjet energjetike, konsiderojnë se ky termocentral duhet të mbyllet sa më shpejt.

Agron Demi nga ky konzorcium, thotë se termocentrali Kosova A është një ndër ndotësit më të mëdhenj të ambientit, jo vetëm në Kosovë, por edhe në Evropën Juglindore, dhe kjo po dëmton shëndetin e popullatës.

“Në rast se nuk ndodhë kjo, rrezikojmë që t’i prishim të gjitha marrëveshjet e deritashme me Komisionin Evropian, sidomos me Traktatin e Energjisë, ku është paraparë që ky termocentral të mbyllet”.

Ndryshe, në një komunikate për media, edhe Zyra e Bashkimit Europian është inkurajuar nga deklaratat e fundit të Qeverisë së Kosovës, përmes të cilave ajo ka siguruar zotimin e saj për të zbatuar standardet e BE-së për emetim brenda afatit të caktuar, respektivisht mbylljen e termocentralit Kosova A deri në vitin 2017.