Pse nuk po joshen investitorët e huaj?
Prishtinë – Procese të gjata administrative dhe burokratike, politika të pafavorshme fiskale janë vetëm disa nga arsyet thelbësore që po pengojnë investimet direkte në Kosovë, vlerësojnë ekspertë të çështjeve ekonomike.
Sipas tyre, shtetet tjera, që janë në garë me Kosovën për tërheqjen e investimeve ndërkombëtare, janë duke krijuar politika shumë më të favorshme ekonomike për tërheqjen e investimeve të huaja.
Autoritetet e Kosovës, sipas ekspertëve, janë duke bërë fushatë deklarative për joshjen e investitorëve të huaj dhe asgjë konkrete për përmirësimin e ambientit afarist.
Profesori i ekonomisë, Musa Limani tha për Radion Evropa e Lirë se për të tërhequr investimet e huaja direkte, që sipas tij janë shumë të domosdoshme, Qeveria e Kosovës duhet të krijojë politika të favorshme fiskale.
“Në Kosovë janë të gjitha kushtet dhe resurset për të investuar. Ka mundësi të zhvillimit për shumë lëmi. Ekziston faktori njeri, madje i kualifikuar, por mungojnë politikat joshëse fiskale dhe elemente tjera që ndikojnë në ardhjen e investitorëve”, tha ai.
Sipas të dhënave të BQK-së, që nga viti 2000 e deri në tremujorin e parë të vitit 2012, investimet e huaja direkte në Kosovë kapin shifrën rreth 2.4 miliardë euro.
Në tremujorin e parë të vitit 2012 investimet e huaja direkte kanë qenë vetëm 60.4 milionë euro.
Investimet e huaja, sipas profesor Limanit, do të shënojnë rënie derisa nuk bëhen reforma të theksuara. Një element që, sipas tij, do ta bënte Kosovën më atraktive për investitorët e huaj, është lirimi nga disa tatime.
“Ne deri më tani nuk e kemi bërë një gjë të tillë, derisa shtetet fqinje e kanë bërë. Pra, te ne duhet të bëhen reforma rrënjësore në politikën fiskale, në politikën kreditore dhe në tregtinë e jashtme e që do të ndikonin pozitivisht te bizneset vendore si dhe te investitorët e huaj”, vlerëson Limani.
Ndërkaq, eksperti i ekonomisë, Lekë Musa thotë se për të pasur investime të huaja Kosova duhet të krijojë mundësi të barabarta me atë që kanë shtetet fqinje për investitorët e huaj.
“Problemi themelor qëndron në shumë procese administrative dhe te çështjet tjera burokratike që nuk janë ende të harmonizuara me praktikat më të mirë për tërheqjen e këtyre investimeve. Shumë politika në fusha të ndryshme ende mungojnë, sidomos ato politika të cilat do t’i bënin sektorët e ndryshëm konkurrues me industritë tjera në vendet përreth”, thekson Musa.
Musa thekson se shtetet e rajonit kanë arritur të ofrojnë stimulime të ndryshme për investitorët e huaj. Sipas tij, vendet e rajonit, përveç tjerash, kanë krijuar subvencione për investimet e huaja nëpërmjet uljes së normës së tatimit. Po ashtu, Musa përmend edhe disa praktika tjera që kanë bërë vendet e rajonit karshi investitorëve të huaj.
“Për koncesionin e tokës, ose jepen pa pagesë, ose jepen me kushte të favorshme për investime afatgjata, ndërsa në Kosovë, përveç fjalëve të bukura, asgjë konkrete nuk është duke iu ofruar investitorëve”, shprehet Musa.