RCCOLA

Pse me viza?!

/ 3 minuta lexim

Nga Veton Nevzadi – Sepse “ata” kanë pasaporta diplomatike dhe nuk kanë nevojë për viza turistike që të udhëtojnë kudo që dëshirojnë.

Familjarët e tyre kanë lekë aq sa të mos presin radhëve të gjata përpara ambasadave të vendeve të Europës, ashtu siç bëjnë votuesit e tyre të papunë dhe me shumë halle.
Fëmijët e tyre nuk janë pa të ardhme sepse po shkollohen nëpër shkollat më prestigjioze, të cilat janë kryesisht private dhe shumë të shtrenjta.

“Ata” nuk kanë çështje shëndetësore të pazgjidhura në shtëpitë e tyre, sepse e kanë siguruar veten dhe familjet e tyre për gjithë jetën në kompanitë më prestigjioze të sigurimeve shëndetësore.

Përderisa qytetarët e tyre vuajnë edhe për barna elementare secilën ditë të re që dielli sjellë me vete.
“Ata” kanë lidhje të fuqishme me paranë dhe joformalitetin në çdo qoshe të vendit, mbase edhe e udhëheqin atë, prandaj me viza është më mirë, madje duhet vazhduar kështu!

Disa nga “ata” fëmijët e tyre po i rrisin jashtë Kosovës, ndërsa gojën e kanë plot republikë e nacionalizëm. Vrasin e presin për kufinjtë e për flamur me mundin dhe sakrificën e fëmijëve të huaj.

Fëmijët tjerë nuk kanë pse dalin jashtë vendit për një jetë më të mirë, për shkollim më cilësor, sepse ju duhen revolucionit të klasave si mish për top kur të jetë nevoja.

Të zakonshmit mund të kryejnë cilindo nga fakultetet publike që u hapën për të blerë paqen sociale, e ku niveli profesional i stafit “politik dhe me të njofshëm” është i barabartë me humbjen e kohës më të çmueshme të një të riu, me ndonjë përjashtim shumë të rrallë!

UBT

Nuk u besohet atyre kur flasin për vizat dhe prosperitetin. “Ata” thonë që po e mbrojnë Kosovën e Republikën, ndërsa në anën tjetër çdo ditë e minojnë të ardhmen e saj me babëzinë e tyre.

“Ata” po shtiren se janë me Amerikën dhe Evropën kurse me punët që i kanë bërë dhe po i bëjnë përfaqësojnë të kundërtën e vlerave të atij civilizimi.

Pse ti besosh pozitës kur për ata punon opozita secilën ditë? Përse ti besosh opozitës, përderisa atyre po u shërben pozita në secilin moment?

“Ata” janë bashkë, janë dy anët e së njëjtës medale, medaljes së mjerimit dhe turpit, të cilën e meritojnë në gjoks për gjendjen ku e kanë futur këtë vend.

Ti injorojmë “ata”, ta luajnë vet lojën e dreqit pa spektatorë, ti lëmë të përgazohen, të koriten, të puthen, të zgërdhihen, të pështyhen, të përgjaken, të përjargen, të tymosen bash qysh e meritojnë.

Ti shpërblejmë me mospërfillje, pa më të voglën konsideratë.

Veton Nevzadi