ARKATANA

Pse lobova unë për pavarësinë në SHBA?

/ 26 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Behgjet Pacolli – Siç më ka thënë një burrështetas i madh kohët e fundit, unë nuk di të tregoj gjithmonë pjesë të rëndësishme dhe të jashtëzakonshme të jetës sime. I prekur nga e keqja njerëzore, apo nga modestia, i pushtuar nga punëra të mëdha, nga një listë e gjatë prioritetesh të qëndrueshme apo të ndryshueshme të vendosura në hapësirë, por që më lejojnë pak kohë të tregoj për veten, unë nuk kam bërë publike shpesh vepra të mëdha të miat në favor të kombit dhe popullit tim. E di që ky është gabim i madh, jo thjesht pse përfytyrimi publik rreth meje është i paplotë, por dhe pse historisë sonë do i mungonte kësisoj një copëz e vogël kontributi si ajo e imja.

Një libër punësh dhe jo fjalësh

Siç më ka thënë një burrështetas i madh kohët e fundit, unë nuk di të tregoj gjithmonë pjesë të rëndësishme dhe të jashtëzakonshme të jetës sime. I prekur nga e keqja njerëzore, apo nga modestia, i pushtuar nga punëra të mëdha, nga një listë e gjatë prioritetesh të qëndrueshme apo të ndryshueshme të vendosura në hapësirë, por që më lejojnë pak kohë të tregoj për veten, unë nuk kam bërë publike shpesh vepra të mëdha të miat në favor të kombit dhe popullit tim. E di që ky është gabim i madh, jo thjesht pse përfytyrimi publik rreth meje është i paplotë, por dhe pse historisë sonë do i mungonte kësisoj një copëz e vogël kontributi si ajo e imja.

Kësaj here mora një vendim tjetër. Krejt rastësisht pashë korrespondencat e mia me faktorë të rëndësishëm të diplomacisë amerikane në favor të shpalljes së pavarësisë pas ngjarjeve të vitit 2004, së bashku me shumë artikuj, në shtypin amerikan dhe atë botëror, si dhe pak foto që e sjellin atë periudhë. Ishte një punë e madhe, vërtet, dhe bashkëpunëtorët e mi e kishin sistemuar bukur, aq sa mua, falë kujtesës sime të veçantë, më erdhi në mendje gjithë ajo periudhë e madhe angazhimesh që kulmoi me thënien e famshme të Presidentit Bush në Tiranë: “Kosova duhet të jetë e pavarur: Tani”! I mbushur me kujtime dhe emocione thashë: Unë dua t’ia bëj të ditur gjithë këtë punë popullit tim, rinisë sonë, studiuesve të diplomacisë. Në Kosovë, apo gjetkë.

Kështu lindi ideja e këtij libri dokumentar i shartuar me kujtime apo shpjegime të kohës dhe hapësirës ku zhvillohen ngjarjet. Besoj se në këtë libër dokumentar (ku korrespondencat apo artikujt janë në origjinal në gjuhën angleze, në PDF ), jepen dëshmi të pamohueshme të këtij kontributi të madh për të cilin unë jam krenar. Përbri secilës letër në PDF gjendet një sintezë e shkurtër apo përkthim i plotë në shqip dhe ndonjë përjetim imi. Ka një aneks me faksimile artikujsh të shtypit kosovar kryesisht të asaj periudhe. Kështu vendosa ta paraqes përmbledhjen time të parë dokumentare rreth lobimit, përmbledhje e cila shoqërohet me fotografi.

Besoj se prej kësaj forme të zgjedhur për të prezantuar aktivitetin tim të madh lobues në SHBA, kuptohet qartë se çfarë kam bërë dhe çfarë pasojash ka sjellë vepra ime. Në këtë libër siç kuptohet nuk ka shumë foto të kohës nga takimet e mia me personazhet që kanë lëvizur mbrapa apo para perdes së veprimtarisë diplomatike amerikane. As me protagonistët e mëdhenj që vunë firmën në aktet e rëndësishme, apo ata që unë i quaj arkitektët e pranimit të pavarësisë si zgjidhja e vetme për të ardhmen e Kosovës. Nuk ka gjithashtu as dhe shumë komunikime të miat, por janë kryesisht të tjerët që më njoftojnë mua për veprimtarinë e tyre, apo të zyrtarëve amerikanë të rangjeve të ndryshme të mobilizuar në favor të pavarësisë. Ka artikuj të ndryshëm në mediat më të rëndësishme të SHBA-ve dhe botës mbarë. Ka fjalime. Ka arsye serioze për këto mungesa fotosh apo komunikimesh. Unë s’jam përpjekur të bëj foto me këta miq të mëdhenj amerikanë, të cilëve po i shlyej një borxh mirënjohjeje për këtë që kanë bërë në favor të kombit tim. S’isha në politikë dhe si zakonisht unë s’jam përpjekur për dukjen. Ndërkohë gjithë kjo punë e tyre ka mbrapa idetë e mia fillestare, sugjerimet e mëpasshme dhe forcën time lëvizëse ideore, infrastrukturore, financiare. Nuk ka kurrfarë dëshire për protagonizëm, por mendoj se historia do të flasë për këtë pjesë të diplomacisë së zhvilluar në forma tipike amerikane në favor të pavarësisë së Kosovës.

Një gjë dua ta them. Unë kam miqësitë e mia të mëdha në SHBA prej një kohe të gjatë. Janë miqësi për të cilat as nuk mburrem dhe as nuk abuzoj. Që herët kam njohur Presidentin e madh të SHBA-ve, mikun më vendimtar të Kosovës, Bill Klinton. Kam njohur dhe të tjerë presidentë, apo zyrtarë të lartë amerikanë, njohje të cilat u shpeshtuan shumë në periudhën e lobimit për pavarësinë e Kosovës. Gjithmonë dhe për më shumë prej asaj periudhe kam pasur bindjen e përforcuar për rolin themelor të SHBA-ve në çlirimin e Kosovës, pavarësimin e saj, dhe ecjen përpara drejt një shteti të ri. Mirënjohja për këtë rol duhet të jetë pjesë e pashlyeshme e kujtesës sonë kombëtare, gjegjësisht të kosovarëve. Kjo aleancë përcaktoi një nga zhvillimet më të rëndësishme, jo thjesht të kombit, por dhe të kohës që jetojmë: pavarësimin e Kosovës.

Sekretarja amerikane e shtetit ka thënë në vizitën e saj në Tiranë: Do jemi bashkë dhe 100 vjetë të tjerë!
Ndoshta në kohë të tjera, ky objektiv-që SHBA të pozicionoheshin publikisht pro pavarësisë sonë- mund të ishte më i lehtë, apo më i vështirë, në varësi të koniunkturës ndërkombëtare. Ndoshta siç thotë një komentator i rëndësishëm kosovar, ne vetë kemi humbur kohë dhe kemi bërë gabime, diçka që ka sjellë për pasojë humbjen e koniunkturës së favorshme. Për të kuptuar më mirë këtë proces janë dhe shënimet e mia që tregojnë pikërisht se në cilin kontekst kohor zhvilloheshin ngjarjet. Kështu, ata që e e lexojnë librin, e kuptojnë më mirë diçka që sot mund të duket e lehtë, apo e thjeshtë. Po flas për të rinjtë e sotëm apo të nesërm që nuk i kanë jetuar në vetë të parë ato kohë dhe që e kanë pavarësinë e Kosovës pjesë normale të jetës së tyre. Nuk po flas për skeptikët, apo për ata që vazhdimisht do pyesin se çfarë uji i ke dhënë gomarit dhe për secilën përgjigje, e kanë reagimin e tyre kritik, gjegjësisht keqdashës.

Si çdo shqiptar që kishte dëgjuar për Presidentin Uillsën (Wilson) dhe parimet e tij mbi vetëvendosjen e popujve, të cilat shërbyen për të ruajtur integritetin territorial të Shqipërisë si shtet, e kisha adhuruar dhe dashur Amerikën që në fëmijëri. Edhe më shumë do ta doja pas asaj që bëri për të ndaluar gjenocidin mbi
popullin tim në Kosovë. Kështu, angazhimi që SHBA-të kërkonin përfundimisht (publikisht) pavarësinë e Kosovës, për mua ishte një sfidë plot emocion. Ishte vijim i një vepre të lënë përgjysmë.

Siç kam lënë të kuptoj, asnjëherë në punën time nuk kënaqem me çfarë kam bërë dhe nëse më jepet rasti ta bëj sërish një punë, do ta përkryej atë. Kështu e kam parë dhe kontributin tim për Kosovën: unë asnjëherë s’kam qenë i kënaqur me çfarë kisha bërë dhe sapo më jepej rasti vendosja të angazhohesha për të bërë më shumë. Në të gjithë çështjet ku unë mund të ndihmoja më shumë se të tjerët. Çfarë mund të kontribuoja unë në bazë të analizës që herë pas here bëja mbi ngjarjet në Kosovë dhe përfshirjen e faktorëve ndërkombëtarë atje?

Cila ishte analiza që bëja asokohe në vitet e para të mijëvjeçarit të ri? Menjëherë pas asaj që ndodhi me sulmin burracak të 11 shtatorit 2001 në SHBA, mjerisht edhe në opinionin publik amerikan apo dhe më gjerë, Kosova humbi rëndësinë e vet të mëparshme në planin ndërkombëtar, veçanërisht sa i takon zgjidhjes përfundimtare të statusit të saj. Madje, ngjarjet e vitit 2004, kur në Kosovë pati incidente të natyrës ndëretnike me humbje jetësh njerëzore, filluan të kontribuonin negativisht për imazhin tonë si Kosovë, duke ushqyer me argumenta të sforcuar kundërshtarët e pavarësisë sonë. Ajo që ndodhi pas çlirimit kur rolin kryesor po e merrnin jo vendorët, por ndërkombëtarët që nuk kishin apo nuk donin të merreshin me gjithçka nevojitej, bënë që Kosova të humbte pak nga pak shanset e krijuara të rritjes me çlirimin e saj në 1999.

Dukej sikur çështja e statusit po shtyhej vazhdimisht. Kosovarët ishin të hendikepuar për shkak të dokumentave të udhëtimit që nevojitej për t’i dhënë frymëmarrje një shoqërie të izoluar dhe post-traumatike. Serbia po bënte presion të madh diplomatik për frenimin apo kthimin pas të rrotës së historisë. Lobi sërb po rriste këtë presion sidomos në SHBA, ku shquhej një zyrtar i lartë amerikan me origjinë serbe, guvernatori i Ilinoisit, Rod Blagojevich, i lidhur me Kishën serbe. Serbia po intensifikonte vizitat e emisarëve të vet në vendin që kishte udhëhequr procesin për një Kosovë të re. Rastësisht ose jo, pak para se të takohesha me nënsekretarin e përgjithshëm të OKB-së Sabaan, po diskutoja me këshilltarin tim Puskar për dëmet e Blagojevich dhe supozoja se vetëm një forcë madhore mund ta ndalonte këtë njeri. Pas takimit me zyrtarin e lartë të OKB, duke ndenjur në një bar, televizioni CNN po jepte me germa të mëdha arrestimin e tij për korrupsion.

Më kujtohet se në një televizion lokal amerikan kam parë kreun e kishës ortodokse të Kosovës, Vladika Artemije, i cili fliste me gënjeshtra, se Kosova asnjëherë s’do të jetë e aftë të ndërtojë shtet, shqiptarët s’janë të aftë të ndërtojnë shtet, të ruajnë familjet e tyre. Është ky Artemija i famshëm që dihet se si përfundoi sot. Një firmë amerikane ligjore si Venable vendosi përkundrejt një pagese të mirë të përfaqësojë interesat e Këshillit Amerikano-Serb duke mundësuar shumë vizita të zyrtarëve të lartë serbë me synim lobimin kundër pavarësisë.

E kuptova asokohe, por dhe miqtë më sugjeruan, se beteja për Kosovën vendosej në Uashington. Kisha udhëtuar shpesh atje, por tanimë po kthehesha me një mision të madh. Shkova në SHBA, dhe fillova me disa miq të mi të punoj, intensifikova kontaktet me senatorë e kongresmenë, por kjo nuk mjaftonte. SHBA-të ishin shumë të angazhuara në problemet e veta në Afganistan, Irak më pas, dhe për Kosovën nuk flitej thuajse fare publikisht- duke u zhvendosur nga prioritetet e politikës së jashtme. Kështu mendova të bëja diçka më profesionale. Pas ngjarjeve të vitit 2004, kur Kosovës iu cenua imazhi, shkova në SHBA ku kontaktova një kompani lobuese që ma prezantoi presidenti Mesiç, e cila kishte ndihmuar kroatët më parë.

Kompania quhej Jefferson Waterman International Group, dhe ajo mori përsipër për të lobuar në SHBA dhe BE, dy faktorët vendimtarë që duhej të mbështesnin publikisht pavarësinë e Kosovës. Ne diskutuam jatë rreth objektivit, kohës së mbërritjes së tij, mjetet për ta arritur. Objektivi ishte qartësisht PAVARËSIA. Në mjediset e veta, brenda një kohe të shkurtër grupi ynë lobues vendosi një qendër për Kosovën, e cila filloi të frekuentohej nga miqtë që punonin për kauzën tonë.

Ata hapën një departament të tërë, si një miniambasadë, për t’u patur zili. Këtu u themelua Aleanca për Kosovën e Re, me statutin e vet, planin e veprimit, etj. Ajo filloi të ringjalle temën e Kosovës, të motivojë njerëzit kyç në Shtëpinë e Bardhë, Departamentin e Shtetit, Kongresin, Këshillin e Sigurisë Kombëtare, për një problem që pothuajse ishte harruar në opinionin publik amerikan. Kjo ringjallje do duhej t’i përshtatej politikës së Bushit, politikë që më vonë e quajti Kosovën histori të suksesit. Qendra për Kosovën përfshinte Uiliam Uokër (William Walker), Janus Bugajski, zyrtar për Evropën Juglindore në Këshillin për Studime Ndërkombëtare Strategjike të drejtuar nga Henri Kisinxhër (Henry Kissinger), Sem Haçkinsën (Sam Huchkinson), një ish-zyrtar i lartë amerikan, Frenk Karluçi (Frank Carluci), ish-sekretar amerikan i mbrojtjes, Morton Abramoviç (Morton Abramovitz), ish-ambasador amerikan, etj. Ishin figura që kishin akces të madh në të dy krahët e politikës amerikane, për më shumë në administratën Bush.

Ishte maksimumi i përqëndrimit të figurave: disa ish-sekretarë të mbrojtjes, disa të jashtëm, disa këshilltarë të sigurisë kombëtare në administrata të ndryshme, praktikisht vendim-marrës të nivelit të lartë në administratat e tyre. Waterman u përplas me qeverinë serbe, e cila, siç e thashë, lobonte gjithashtu në Uashington. Grupi im sensibilizoi çiftin Klinton-Hillarin dhe Billin, ambasadorin e ndjerë Holbruk, etj., duke i informuar me atë që ndodhte në terren, me probleme të ligjshmërisë së shpalljes së pavarësisë së Kosovës, etj. Miqtë tanë lobistë i jepnin bashkëbiseduesve argumente të forta, nga pikëpamja ligjore dhe e sigurisë, pro pavarësisë së Kosovës.

Kur nevojitej, unë lija biznesin duke udhëtuar sa në Evropë, në SHBA, në Azi, etj. Lobistët e thirrur prej meje, bënë diçka dhe në Bruksel, Paris, Gjermani, gjithashtu, megjithëse fokusi ishte Uashingtoni. Çdo njeri me peshë në këtë qendër të rëndësishme të vendim-marrjes globale e dinte se çfarë bënte grupi ynë. U kontaktuan zyrat përgjegjëse të Serbisë, Kroacisë, në Departamentin e Shtetit, u takuan ambasadorë të vendeve fqinje me Kosovën, organizoheshin seanca dëgjimi në institucionet amerikane, OJQ –të me peshë. Çdokush tjetër fliste për autonominë, miqtë tanë vetëm për pavarësinë, si zgjidhja e vetme.
Madje, jo për pavarësinë e kushtëzuar, por për pavarësinë e plotë.

ARKATANA

Ata morën përsipër që të prodhonin artikuj në mediat më të rëndësishme amerikane, të publikonin intervista të figurave pro pavarësisë së Kosovës, ata vendosën kontakte të qëndrueshme qoftë me Shtëpinë e Bardhë, me Kongresin, me komitetet e ndryshme të tij, me Departamentin e Shtetit dhe me Komitetin Kombëtar të Sigurisë, por punuan shumë dhe në planin ekonomik. Ata madje e ndërlidhën vendosjen e pavarësisë, me krijimin e një hapësire ekonomike të përbashkët në rajon.

Ky fokusim te ekonomia për të cilën unë isha ideator vinte prej një bindjeje personale që unë kisha mbi forcën e ekonomisë në amortizimin e problemeve apo ndarjeve etnike dhe kombëtare. Unë gjithnjë kisha bindjen se ky lobim pro pavarësisë duhej të shoqërohej krahas këtyre lloj aktiviteteve edhe me lobim për zhvillimin ekonomik të rajonit si një i tërë. Ndaj unë mbështeta fuqimisht krijimin e korporatës SEED, South Eastern Economic Development (Zhvillimi Ekonomik Juglindor), e cila organizoi konferenca të ndryshme në Uashington me pjesëmarrjen e biznesit të nivelit të lartë amerikan, por dhe jashtë SHBA-ve, për t’u njohur me zhvillimet ekonomike në rajon. U prodhuan dokumente të ndryshëm politike, programore, që u vunë përpara kongresmenëve të dy krahëve për t’i informuar ata për zhvillimet në terren.

Në ndikimin e këtij grupi pune, u zhvilluan seanca pyetjeje në Kongres, ku pa dyshim më e rëndësishmja ishte seanca e 8 nëntorit 2005 që pa të përfshirë ish-senatorin, zëvendëspresidentin amerikan të sotëm Xhozef Bajden (Joseph Biden), nënsekretarin amerikan të shtetit Bërns (Burns), dhe ish-ndihmës Sekretarin
e shtetit Holbruk (Richard Holbrooke).

Bajdeni, ky mik i madh e i sprovuar i kombit shqiptar, djali i të cilit, Beau, kishte punuar në Kosovë për Departamentin e Drejtësisë në një program për të mbështetur sistemin e drejtësisë në vendin tonë, tha se situata e krijuar në terren nuk mund të tolerohej, se shqiptarët meritonin të shpërbleheshin, etj. Po ashtu Holbruku dhe Bërns u shprehën pro një forme statusi që nuk lejonte kthimin në gjendjen e para 1999, apo ndarjen e Kosovës. Sigurisht, Hollbruku ishte më i drejtpërdrejtë, pasi ai nuk ishte pjesë e administratës si sot. Sot këto propozime duken si kufizuese, por duhet vërtet të kuptojmë atmosferën e kohës, duhet të kuptojmë evoluimin e pozicioneve të administratës që kishte sigurisht një bazament, qoftë te politika e administratës demokrate, qoftë dhe te Bushi i vjetër, i cili kishte folur i pari për vijën e kuqe të Beogradit në Kosovë.

Bajden shkroi artikuj të ndryshëm, madje dhe në Wall Street Journal. Shumica e anëtarëve të grupit tonë kishin akses në media të tilla të rëndësishme si kjo gazetë, apo në Ëashington Post, Washington Times, etj ku ata botuan artikuj të shumtë. Bugajski shkroi për shembull dhe kundër rolit rus në Ballkan, pikërisht në ËSJ. Konferenca që mbajtëm në 2006, organizuar prej Aleancës Kosova e Re, pati një impakt të madh në SHBA.

Në gazetat dhe mediat më të mëdha amerikane, Karluçi, Abramovic, Bugajski, kërkonin drejtpërsëdrejti nga çdo dashamirës i lirisë në Amerikë për të përkryer punën e nisur me bombardimet e vitit 1999. Kjo u bë si një lloj detyrimi për miqtë tanë që e shndërruan Kosovën në çështje elektorale. Kur shkoje në institucionet amerikane dhe prezantoheshe si nga Kosova, ata pyesnin: aha, po loboni për pavarësinë e Kosovës! Kompania u bë simbol i këtij objektivi. Mes arritjeve të lobimit kah media amerikane dua të kujtoj një paraqitje në Qendrën e Mediave Ndërkombëtare në Uashington, me një prani shumë të madhe të gazetarëve.

Me këtë lobim të vazhdueshëm mund të them pa modesti, ne ia arritëm ta rikthenim Kosovën në vëmendjen amerikane. Në këtë kuadër edhe vetë jam takuar vazhdimisht me krerë institucionesh të rëndësishme në Departamentin e Shtetit, në Senat, në Shtëpinë e Bardhë. Filloi të flitej edhe pse jo zyrtarisht se Kosova duhej të pavarësohej. Asokohe ne përplaseshim me lobin sërb, dhe mora informacione nga miqtë e mi me ndikim në Uashington se duhet të mendoja më shumë për sigurinë time, pse jo dhe në Lugano.

Unë nuk mora ndonjë masë të veçantë sigurie, por vendosëm të shumëfishonim përpjekjet tona për të mundur lobin serb i cili u aktivizua shumë jo thjesht në Kongres, por dhe në vigjilje të mbledhjeve të përvitshme të nivelit të lartë të OKB-së, duke shfrytëzuar koniunkturën e re botërore dhe amerikane.
Nuk ka asnjë diskutim se ne e gjenim në forma të ndryshme prirjen pro pavarësisë së Kosovës brenda administratës republikane, apo në qarqe të tjera. Pra ne nuk ishim aktorët e vetëm që përcaktuam kursin e mbështetjes amerikane të nivelit më të lartë për pavarësinë, por sigurisht ne ishim jashtë qeverisë amerikane, aktorët më cilësorë siç duket nga përbërja e aktivistëve tanë.

Por padyshim momenti më kulmor i lobimit tonë ishte futja e frazës “KOSOVA DUHET TË JETË NJË SHTET I PAVARUR, TANI”, në fjalimet e Bushit gjatë vizitës në Shqipëri në qershor të vitit 2007. Ishte praktikisht kurorëzimi i punës sonë të madhe me miqtë që përmenda dhe miqtë e miqve. Nuk di të them se kush tjetër ka punuar në favor të pavarësisë dhe s’jam duke pretenduar për ekskluzivitet, por unë flas për punën time dhe të miqve të mi. Të tjerët le të flasin për punën e tyre.
Si punuam për këtë objektiv?
Kur u vendos që Bush të vizitonte Shqipërinë, unë dhe miqtë e mi patëm rastin që me njerëzit më të afërt të presidentit të njihnim dhe diskutonim për agjendën që po diskutohej dhe me ambasadën shqiptare në telefon. Mbaj mend se punuam shumë, u desh shumë kohë që ajo fjalë të vendosej në gojën e tij deri në orën 4 të mëngjesit, në bashkëpunim me një mik tonin që punonte në Administratën e lartë të Presidentit Bush, dhe që vinte prej Zvicrës dikur.

Unë e kam ditur, pra, dhe nuk e kam thënë kurrë më parë se Bush do të përmendte fjalën magjike PAVARËSIA, dhe se kjo ishte fryt i lobimit tonë.
Ardhja e tij në Shqipëri, pritja madhështore që iu rezervua, ia nxori këtë fjalë jo vetëm nga mendja, por dhe nga shpirti. Unë pata rastin që ta falënderoja personalisht Presidentin Bush për këtë nder të madh që i bëri Kosovës. Më 4-5 prill të vitit 2008, ai vizitoi Zagrebin dhe miku im, Presidenti Mesiç, më ftoi që të merrja pjesë në disa prej aktiviteteve të tij. Kështu arrita ta takoja në hotelin ku ai rrinte dhe t’i dhuroja një pikturë që riprodhonte një foto familjare të Bushit, me gruan dhe vajzat. Ishte një pikturë e jashtëzakonshme e autorit nga Shqipëria, të famshmit Zef Shoshi, e cila e la pa fjalë Presidentin Bush. I thashë se “ju keni bërë shumë për Kosovën, ju jeni i pari që keni folur për këtë pavarësi dhe unë dua t’ju lë këtë pikturë si kujtim!” Zoti Bush më tha se “kishte marrë shumë dhurata, por kjo sigurisht ishte diçka e paharruar që do ta marr me vete në shtëpinë time. ”Dhurata ishte zgjedhur në mënyrë të tillë që Presidenti Bush të mos e harronte Kosovën- një portret familjar, që ai mund ta çonte në shtëpinë e vet, ku do ta sodiste më shpesh se një dhuratë tjetër tipike.

Me këtë fjalë të Bushit në Shqipëri, me vizitën e suksesshme në vendin amë, me pritjen që iu rezervua, lobimit iu hap një horizont i ri. Gjithçka u bë më e lehtë. Lobistët tanë realizuan takime me think tank-et kryesore amerikane ndaj që në 2005 dhe 2006 ne arritëm të vendosnim kontakte me CSIS-in, ndoshta organizatën më të madhe studimore dhe me ndikim në politikën e jashtme amerikane, që u shndërruan në marrëdhënie shumë intensive duke përfshirë edhe ata në lobim. CSIS mbante brenda vetes tre prej këshilltarëve aktualë të Presidentit Obama dhe disa ish-sekretarë të mbrojtjes, ish-këshilltarë të sigurisë kombëtare, figura kyçe në formulimin e politikës së SHBA-ve.
Për rëndësinë e vet jo vetëm në nivel amerikan, por dhe global, CSIS (Center for Strategic and International Studies- Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare) vizitohej nga burrështetas evropianë që vinin dhe mbanin fjalime në konferenca apo në mjediset e kësaj organizate të drejtuar siç thashë nga Kissinger. Kjo mundësonte që lobimi të orientonte ndikimin tek vendet anëtare të BE. Më kujtohet p.sh., ardhja e krerëve të shteteve evropiane në CSIS, mes të cilëve presidenti francez Zhak Shirak. I pyetur për cfarë mendonte për Kosovën, menjëherë pas vizitës së zotit Bush në Tiranë, ai tha: “siç e dini, Presidenti Bush ka menduar për këtë gjë”.

Organizoheshin konferenca dhe gjatë drekës, njerëzit që punonin, që lobonin, diskutonin me të ftuarit e tjerë. Në vitin 2006, mua më propozuan që të jem këshilltar i përhershëm ndërkombëtar i Komitetit të udhëhequr nga Kissinger, komiteti më me rëndësi i CSIS. Ne mblidhemi çdo tre muaj, dhe komiteti është një urë lidhëse me shtete të tjera. Për mua është lehtësi shumë e madhe që të lidhem me burrështetasit e botës, sidomos ata që më interesojnë mua- ata që duan ta njohin Kosovën.

Me Kissingerin, këtë burrë të jashtëzakonshëm që është shprehur shumë herët për pavarësinë e Kosovës në Foreign Politics jam gjithnjë në të njëjtën tavolinë në të gjithë aktivitetet ku marr pjesë. Ai thotë mes të tjerash duke iu referuar Kosovës se “duhet harruar dhuna, duhet shikuar përpara. Me zhvillimin e marrëdhënieve ndërnjerëzore, mos u ndalni në problemet banale. Ju duhet të arrini qëllimet tuaja, duke angazhuar tërë potencialin tuaj. Të radhiteni si shtet i dëshmuar pozitivisht. S’ka rëndësi mënyra, ajo ju lihet juve. Shfrytëzoni çdo energji. Duhet të jeni unikë, pavarësisht se cilës palë i përkisni, opozitës apo qeverisë, duhet të jeni unikë”.
Gjatë këtyre takimeve në CSIS, unë jam njohur dhe me gjeneralin Xhejms Xhons (James Jones), aktualisht këshilltari për Sigurinë Kombëtare i Presidentit Obama, si dhe me atë që më pas u bë këshilltari i Obamës për ekonomi, Pol Uokër (Pol Wolker). Jemi takuar dhe kemi bashkëbiseduar disa herë jo thjesht për Kosovën, por dhe për çështje të ndryshme të rajonit apo më gjerë. Më kujtohet një episod interesant gjatë takimeve me këta personalitete të rëndësishëm të skenës politike amerikane. Gjatë një konference për krizën ekonomike, të gjithë po flisnin për humbjen e parave dhe skemat financiare. Unë pyeta: “ku shkuan paratë? Ku shkoi cash-i?” Paul Wolker u përgjigj: “ju zoti Pacolli mund ta dini më mirë se çdo njeri tjetër”.

Unë e dija se ai e njihte aktivitetin tim biznesor dhe që unë harxhoja mjete të shumta për çështjen e Kosovës. Duke ndjekur këtë moment, Kissingeri më shkroi një mesazh në stilin e vet në copa letre: “Ju bëtë pyetjen më të mirë”. Gjatë pjesëmarrjeve të mia në CSIS, kam patur kontakte me Zbignju Brzezhinskin (Zbigneë Brzezinski), një figurë autoritare e studimeve strategjike, diplomatike amerikane, përveçse vendim-marrës në cilësinë e këshilltarit për çështje të sigurisë kombëtare të një presidenti amerikan. Ai ka premtuar të vijë në Kosovë dhe më ka thënë ndërsa flisnim për sfidat ndërkombëtare të Kosovës se “ju duhet të keni rrjet të zhvilluar diplomatik. Ju nuk mund të dominoni me para dhe me politikë. Kosova s’mund të jetë një qendër ku zhvillohet politikë me rëndësi për Evropën dhe botën. Ju duhet që të aktivizoni gjithë kontaktet tuaja nëpër botë. Ju duhet të përkujdeseni për minoritetet, të bashkëjetoni me ta. Kufijtë tuaj s’duhet të lëvizin asnjëherë. Nuk duhet të bashkoheni sepse bashkësia ndërkombëtare do të demoralizohej nëse do të dilni nga ai format i përcaktuar më parë prej saj”.

Ky angazhim imi në SHBA do të thoshte përkushtim i madh financiar për gjashtë vite me radhë duke arritur disa milionë dollarë, të cilat unë i kam dhënë pa mëdyshje për vendin tim. Ia arritëm qëllimit, ama: në vitin 2007 grupi lobues e përmbylli punën e tij, sepse konsideroi se Departamenti i Shtetit dhe Shtëpia e Bardhë tashmë ishin të qartë në qëndrimin e tyre për pavarësinë e Kosovës. Ardhja e Bushit në Shqipëri dhe shprehja e tij decizive se Kosova do të bëhet e pavarur, ishte epilogu që i përmbylli të gjitha rreth qëndrimit zyrtar të Uashingtonit. Që atëherë, për mua pavarësia e Kosovës ka qenë çështje e përfunduar në pikëpamje të vendosjes së saj prej faktorëve më të rëndësishëm ndërkombëtarë.

Pas shpalljes së pavarësisë vendosa që puna të mos ndalej, por prioriteti kishte ndryshuar- njohja e saj nga shtetet e ndryshme. Zgjodha partnerë të tjerë. Fillova të loboj sërish me ndihmën e CSIS, por jo vetëm të saj. Në aktivitetet e organizuara atje kam takuar krerët e Salvadorit, mbretin e Jordanisë, shumë liderë të vendeve islamike, kryesuesen e UNICEF -it, nënsekretarin e OKB, Muhammad Shaaban, shumë zyrtarë afrikanë me të cilët jam dakorduar t’i vizitoj në vendet përkatëse. P.sh., aty kemi patur presidentin e Bregut të Fildishtë, i cili më ftoi për vizitë në vendin e tij. Krerët e Ganës, gjithashtu. Direkt ose indirekt, një pjesë e madhe e lidhjeve të mia ndërkombëtare në funksion të njohjes vijnë prej atje, prej CSIS. Por nuk kanë qenë vetëm kontakte të nivelit të lartë politik: kam hapur horizonte të reja jo thjesht gjeografike, por dhe mediatike, etj. Kam kontaktuar me shumë organizata, me universitete anembanë globit etj. Prej lobimit në Amerikë, hodha kështu prej njohjeve personale, prej eksperiencës së krijuar diplomatike, një bazë të re të lobimit tim të mëtejshëm pro njohjes së shtetësisë së Kosovës, për të cilën do të flas në një libër tjetër…

(Pjesë nga libri i Begjet Pacollit “Të lobosh për Kosovën – Pavarësia dhe SHBA-të”)