Pse investitorët arabë nuk po investojnë në Kosovë, ku qëndron shkaku?

Nga Mergim Saqipi – Duke marrë parasysh periudhën gati 20 vjeçare, të pavarësimit të Kosovës nga Serbia, shihet qartë se mungojnë investimet nga bota arabe e islame tek ne. Megjithatë, ndihmat humanitare nuk kanë munguar, jo vetëm në rindërtimin e xhamive të djegura e disa të reja, por edhe në ndërtimin e objekteve shkollore, ambulanca, në infrastrukturë, spitale etj. Pra e pandershme është teza se vendet arabe nuk kanë ndihmuar fare në Kosovë, dhe teza tjetër se vetëm kanë investuar në ndërtime të objekteve fetare. Mirëpo, pse nuk ka investime ekonomike, ashtu siç po bëhen në vendet fqinje, atëherë duhet një analizë për t’i gjetur shkaqet.

Si po arrijnë ato vende t’i tërheqin investitorët arabë?

Shtrohet pyetja, a thua ata nuk janë të interesuar për investime në Kosovë? Apo, Kosova nuk është atraktive për investitorët e huaj, apo mungon siguria, ose mungon korniza e kompletuar ligjore, apo një administratë tepër burokratike dhe e korruptuar? Apo mosgatishmëria e bashkëpunimit me vendet arabo- islame . Disa nga faktorët e lartë përmendur në njëfarë mënyre ekzistojnë si barriera për investime jo vetëm nga vendet arabe, por edhe të tjerat.

Megjithatë, Kosova i ka përparësitë e saj, si: pasuritë nëntokësore e mbitokësore, rininë e kualifikuar, fuqia punëtore e lirë, lidhjet rrugore, ajrore me qendrat ballkanike si dhe me ato evropiane.

Mirëpo, nuk po arrijnë të tërheq kapitalin nga vendet arabe, sikurse fqinjët tanë. Ata pa kurrfarë hezitimi kanë krijuar lidhje të fuqishme me investitorët arabë, po arrijnë të përvetësojnë investime miliardësh, kur kemi mundur që së paku një pjesë e asaj shume të ishte investuar në Kosovë, ku do të ishin hapur vende pune që do të kishin ndikuar që Kosova mos të boshatisej nga të rinjtë e saj.

Po ashtu duhet ta pranojmë se diplomacia jonë është treguar jo e aftë, jo aktive dhe jo e frytshme për të sjellë investime nga vendet e pasura arabe në Kosovë, apo është politikë shtetërore për mospranim të kapitalit arab?

Ne duhet të ndryshojmë logjikën e deritanishme, t’i përshtatemi kërkesave të investitorëve, pa maltretime burokratike, pa korrupsion, jo të ndryshojnë investitorët, por ne sjelljen tonë. T’i kopjojmë vendet fqinje të cilat janë treguar shumë të suksesshme në thithjen e investimeve arabe- islame, si dhe ku është suksesi i tyre, në çka bazohet.
Sot në shtetet fqinje po shtohen investitorët, si: Banka Islamike për Zhvillim, Banka Islame Abu Dabi dhe Banka Islamike Dubai, si dhe kompani të tjera dhe investitorë të ndryshëm.

Një raport nga ministria e Ekonomisë për Tregtinë e jashtme e Emirateve Arabe e publikuar më 2019, ku tregon rritjen e investimeve të tyre në botë. Sipas shënimeve të atyre: Emiratet, shënojnë rritje të investimeve të jashtme, duke e zënë vendin e pestë në botë.

Investimet e Emirateve të Bashkuara Arabe jashtë vendit kanë fituar reputacion global, pasi ato drejtohen në projekte të synuara që forcojnë ekonominë lokale në vendet ku investojnë, duke krijuar mundësi punësimi, zhvillimi e ngritje të standardit jetësor. Investimet janë bërë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britani të Madhe, në disa vende evropiane, aziatike.

Kompania «Borouge Real Estate Development» Emiratet e Bashkuara Arabe në partneritet me qeverinë boshnjake dhe disa investues është duke realizuar investimin e projektit të qytetit «Borouge Ozone», i cili e kapë vlerën mbi 4.5 miliardë euro.
Po ashtu, edhe Serbia e cila i ka masakruar myslimanët (Bosnje) dhe tani i lufton në forma të ndryshme, ata që janë pjesë e saj, i etiketon,i njollosë me lloj lloj emërtimi ku i konsideron si element i rrezikshëm.

Ndërsa në politikën e jashtme, zhvillon marrëdhënie të suksesshme me shtetet myslimane. Emiratet e Bashkuara Arabe, kanë investuar miliarda dollarë në Serbi, në sektorin e zhvillimit të armëve dhe modernizimin e armëve, si edhe investimi në Beograd në mega-projektin “Beogradi në Ujë” investim 4 miliardë dollarësh,në këtë projekt Serbia merr pjesë në financim me 32 % ndërsa Emiratet me 68%.

Edhe Maqedonia ishte e interesuar për investimet arabe,ish kryeministri i Maqedonisë Veriore, Nikola Gruevski, u kishte bërë thirrje investitorëve sauditë për të realizuar projekte në sektorin e turizmit, industri dhe bujqësi, duke i siguruar prona tokësore pa kompensim për të investuar, si dhe përjashtimin nga taksat për një kohë 10 vjeçare. Gruevski, kishte pasur një takim me investitorët dhe pronarët e bizneseve në Odën Industriale Ekonomike në Jeddah në vitin 2015 , ku ishin shqyrtuar mundësitë e bashkëpunimit tregtar dhe të investimeve në Maqedoninë Veriore të investitorëve të Arabisë Saudite.

Ai i kishte njoftuar nikoqirët se qeveria e tij kishte aprovuar një sërë ligjesh të cilat i mbrojnë investitorët dhe u krijojnë siguri.

Edhe Republika e Malit të Zi,është cak i investimeve të Emirateve Arabe, ku janë caktuar disa fusha në të cilat mund të bëhen investime, si: në sektorin e turizmit , bujqësisë dhe blegtorisë në vlerë mbi 4 miliardë euro deri në vitin 2021.

Mendoj se Kosova duhet t’a rishikojë politikën ndaj investimeve arabe e infrastruktura ligjore sa më të avancuar e cila e bënë Kosovën të jetë konkurrente me vendet e tjera. Të hiqen paragjykimet se me pranimin e investimeve nga Lindja e Mesme po i afrohemi lindjes, dhe frika se do të keqkuptohemi nga Perëndimi, i cili ka marrëdhënie të mira ekonomike me shtetet e Lindjes së Mesme dhe bashkëpunim në shumë fusha.

Ne duhet të angazhojmë njerëz profesionist, që e njohin kulturën dhe mentalitetin tregtar arabë, të jenë të sinqertë dhe të marrin iniciativa të komunikimit e bashkëpunimit, sepse ne nuk e kemi komoditetin që ata të na lusin neve.
“Kancerin” e institucioneve të larta (korrupsionin) ne vet duhet ta luftojmë, duke mos lejuar që ata të kenë komoditetin që për interesa të tyre t’i largojnë investitorët e interesuar që të investojnë në vendin tonë.

Unë brenda mundësive të mia, kam lobuar për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga ana e Qeverisë së Libisë, duke kontaktuar me organizata të ndryshme joqeveritare, duke shfrytëzuar lidhjet me kolegët me biznesmenë të fuqishëm, njerëz me autoritet.
Në vitin 2015, personalisht unë kam tentuar si përfaqësues i Organizatës “Libyan youth businessmen association“ mes Odës Ekonomike të Libisë për bashkëpunim me Odën Ekonomike të Kosovës, por fatkeqësisht nuk ka pasur fare interesim për këtë bashkëpunim.

Po ashtu, kam qenë i angazhuar në një projekt binjakëzimi, ndërkomunal mes komunave të Libisë dhe të Kosovës. Ndonëse, edhe ky projekt ka dështuar nga ana e komunave të Kosovës, nga jo serioziteti i kryetarëve të komunave të cilave u është ofruar projekti. Këto komuna do ishin përfituese të mëdha të mjeteve financiare 5. 000000 dollarë investime në bujqësi dhe prodhimtari.

Ndërsa, ndërmarrjeve të Kosovës, duke i’u mundësuar që të marrin tenderë në komunat e Libisë në vlerë deri në 300.0000 investime. Në një anë paraqitemi se po na dhimbsen ata që po e lëshojnë Kosovën e në anën tjetër nuk bëjmë asgjë për ta!

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS

Vërejtje!

RajoniPress.com nuk do të botojë shkrime që nuk i përmbushin kriteret dhe standardet profesionale të gazetarisë bashkëkohore. Nuk do të ketë për askënd mbyllje apo censurë, por jemi të fokusuar që në këtë agjenci, lajmi, shkrimi, raporti, intervista dhe opinioni të plotësojnë kriteret profesionale. Gjithashtu opinionet, analizat, komentet, nuk duhet të shkelin parimet etike (gjuhën e urrejtjes, fyerjet, diskriminimet e çfarëdoshme).